Home | Literature | * * *

* * *

image
— T’ia shtrëngojmë pak rrathët, meqenëse i është liruar i ati prej burgut. Prania fizike e atij armiku në fshat, ndërkohë që ajo vazhdon universitetin, do ta detyrojë mëzin të tregohet e afërt me dorën e ngrohtë, ha,ha,ha!

 

 

 

 

Nga Agim Hamiti

 

 

 

 

 

 ...

— Alo, kush je?

— Nihati jam, Nihati. Si jeni ju nga qyteti, Petrit, mirë?

— Gjynah të qahemi, valí. Ju andej na jeni shtuar me një banor të ri, apo nuk ka ardhur akoma?

— Erdhi, erdhi; për këtë të telefonova. Sapo e mori çelësin e shtëpisë, se e mbanim ne. Ia dërgova jashtë, në oborr, me sekretaren. Nuk doja të më hapte barkun me praninë e tij këtu. Apo nuk ishte katandisur! Kaluar një gjashtëdhjetëvjeçari. I zbardhte koka së largu prej thinjave.

— Ku bëhet shaka me pushtetin popullor, o valí! Ne e kemi shpallur parimin tonë: ose do të skuqen, siç duam ne, ose do të zbardhen, si ai miku yt.

— E kemi të dy mik, jo vetëm unë.

— Sigurisht. Po ti je valiu i fshatit, unë jam larguar; nuk punoj më operativ zone që t’i kem pranë.

— Megjithatë nuk i shpëton gjë syrit tënd edhe atje ku je. Dhe furriqet e pulave këtu, në fshat, i dini më mirë nga ne.

— Për atë paguhemi. Javën e kaluar nuk i shpëtoi dot syrit tim as Manushaqja tek agjencia e autobusëve. Ishte me një shoqe nga fshati. Ktheheshin prej universitetit.

— U takove me të, apo jo?

— Pyetje është kjo, o vali? Ku diskutohet. Apo s’ishte bërë, alamet mëzi! Edhe një parfumi të lehtë që kishte hedhur era manushaqe i vinte.

— Është 19 vjeçe sivjet ajo, ore! Duhej ta kishe pështyrë, se mos na i ke ngrënë me sy.

— Hamë me dhëmbë ne, kur hamë, jo me sy. Ha, ha, ha , ha!

— Apo s’i keni të mprehtë dhëmbët ju! Megjithatë ajo duket vajzë serioze.

— Serioze, por e zgjuar. Ajo e kupton mirë se me një relacion nga ana ime e humbet shkollën, si bijë armiku që është. Me dashje ose jo, është e detyruar të ndjekë rrugën e mamasë. Interesi të bën t’i buzëqeshësh dhe atij që urren, jo më neve që jemi interesuar posaçërisht për ato të dyja.

— Dhe do të interesohemi edhe në të ardhmen.

— Sigurisht. Ja, p.sh., pas tre-katër vjetësh ajo diplomohet mjeke. Mjeku i DPB të rrethit tonë del në pension në atë kohë. Po pati sjellje të mira do ta gjejë gati vendin e punës tek ne.

— Domethënë do që ta kesh pranë, ë? Ha, ha, ha!

— Pranë syrit, pranë zemrës. Qengji i urtë pi dy nëna, i egri nuk pi as të ëmën. Po diti, le të zgjedhë.

— Shtrunga juaj një shteg kalimi ka. Nuk të lini të zgjedhësh ju, jo! I merrni masat me kohë që ta siguroni gjahun. Ha, ha, ha!

— Ndryshe nuk do të na quanin Sigurim, ha, ha, ha! Desh harrova, se na i bëri mendjen çorape Manushaqja e Pranverës, ha, ha, ha, ha! E premte është sot?

— Gjithë dita.

— E kishim vendosur me time shoqe të vinim tek ju sonte t’ju uronim për martesën e djalit. Mirëpo pas dy orësh do të nisem për në Tiranë me shërbim. Ka të ngjarë që edhe nesër mbrëma të kthehem vonë. Prandaj sonte do të vijë

vetëm gruaja t’ju urojë. Pasnesër do të jemi të dy në dasmë. Urimin tim po ta jap në telefon: trashëgime e jetë të lumtur çiftit të ri!

— Faleminderit, Petro; mirë ardhsh në dasmë!

— Mirë ju gjetsha, valí! Porosite Rasimin ta marrë Manushaqen me vete në dasmë. Ta shohim nga afër të pispillosur, se do ta bëjmë një dorë muhabet me të. Të na flasë pak për mjekësinë, dé, ha, ha, ha!

— Mos ki merak; atje do ta gjesh kur të vish, ha,ha,ha!

— T’ia shtrëngojmë pak rrathët, meqenëse i është liruar i ati prej burgut. Prania fizike e atij armiku në fshat, ndërkohë që ajo vazhdon universitetin, do ta detyrojë mëzin të tregohet e afërt me dorën e ngrohtë, ha,ha,ha!

— Nuk keni vetëm dorën të ngrohtë ju…ha,ha,ha!

— Të gjitha në shërbim të popullit, ha,ha,ha! Të rrojë partia, që na i krijoi këto kushte! Mirupafshim në dasmë, valí!

— Mirë ardhsh, dor’ e ngrohtë e krip’ e gjellës!

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0