Uji i Najës
«Ujë naje», vazhdoi plaku, «e bëjnë ca murgj të krishterë, thellë në Azi, afër Izraelit. E nxjerrin nga naja, që është më helmuesi i gjarprinjve. Është zvarranik i vockël, por të bën gjëmën ama. Syri nuk ta zë – me atë gjarpër, thonë, e vrau veten edhe Kleopatra. Marrin, që thua ti, malin tre murgjër, në verë, kur zë e shtrëngon vapa. Secili ka me vete nga një vegël muzikore. Hapen bokërimave të kreshtës.
Përkthyer nga Romeo Çollaku
«Në të ngrëntë gjarpër helmues a shok për kokë në ta pastë me të pabesë, pi ujë naje. Por edhe merimangë, akrep a grua dinake në të pickoftë, prapë ujë naje merr e pi. Pas një ore ke për të qenë shëndoshë e mirë, do vish në vete», më thosh murgu nën hijen e manastirit të Stavronikitës, ulur në pezulin e bardhë, ndanë kroit.
Ndenji një grimë në heshtje dhe shtriqi këmbët. Sapo kishte zbritur nga një qelë majë malit dhe qe ulur të pushonte ca, para se të hynte në manastir. Ishte gjithë pluhur, gërmuq, i nxirosur prej rasës, me duar të pista, në ngjyrë okre, fytyrë të zbehtë prej yejtjeve. Si kërcënim rrinte bri meje e si shpëtim njëherësh dhe vinte erë djerse, përzier me temjan Athosi. Ende gulçonte e fliste disi prerë, duke u mbushur herë pas here me frymë, ndërsa ledhatonte gjithnjë një pagur që i varej mbi gjoks. Pak më parë e kisha pyetur ç’kishte në pagur.
«Ujë Naje», vazhdoi plaku, «e bëjnë ca murgj të krishterë, thellë në Azi, afër Izraelit. E nxjerrin nga naja, që është më helmuesi i gjarprinjve. Është zvarranik i vockël, por të bën gjëmën ama. Syri nuk ta zë – me atë gjarpër, thonë, e vrau veten edhe Kleopatra. Marrin, që thua ti, malin tre murgjër, në verë, kur zë e shtrëngon vapa. Secili ka me vete nga një vegël muzikore. Hapen bokërimave të kreshtës. Gjejnë vend të sheshtë e ulen përdhe, që të çlodhen. Një copë herë nuk flasin me shoshoq. Prehen».
Plaku mori frymë thellë, ngriti sytë për të soditur arat e manastirit, që shtriheshin kundruall nesh të begata e ngjiteshin deri rrëzë maleve. Në të mëngjër, poshtë, deti rrëzëllinte nën diellin e mesditës, që kishte zënë vend pothuajse në kupë të qiellit.
«Pasi çlodhen mirë e mirë», vazhdoi ai, «murgjit ngrihen pastaj e rrinë në tri pika, në formën e trekëndëshit – shkojnë gjithnjë tre e nga tre, për nder të Trinisë së Shenjtë. Qëndrojnë në heshtje të plotë. Bëjnë kryqin e, pastaj, njëri nis, butë e ngadalë, të luajë një muzikë të ëmbël, një melodi.
Paspak, nga shkurret e nga shkarpat, nxjerr kryet, përherë me frikë, gjarpri, një najë, zvarranik ky që e do muzikën më shumë edhe se kobra. Murgu vazhdon të luajë, pa lëvizur nga vendi, po atë motiv të ëmbël. Gjarpri, pak e nga pak, fillon e merr zemër dhe, i joshur, zvarritet ngadalë drejt murgut. I avitet dhe, sapo ndodhet dy hapa larg, ky pushon së luajturi dhe, po atë çast, nis të luajë murgu tjetër.
Gjarpri shtang, pastaj kthehet e zvarritet në drejtim të muzikës, për tek murgu tjetër. Me t’iu afruar, ndalon edhe ky e ia fillon i treti. Naja vërtitet e niset drejt tij, i avitet, ndalon i treti, fillon prapë i pari e pastaj i dyti – muzika fluturon nga vegla në vegël dhe gjarpri detyrohet të përdridhet rretheqark, duke vizatuar mbi baltë qerthuj që sa vijnë e ngushtohen. Murgjit e shpejtojnë ritmin, e shpejtojnë gjithnjë e më shumë, naja tani rrotullohet në vend, përdridhet rreth trupit të saj, bëhet kutullaç e i merren mendtë, ritmi bëhet edhe më i shpejtë, i çartur, gjarpri lodhet, e lënë fuqitë, zë e çmendet, kruspulloset i pushtuar nga djajtë dhe, një çast, në dëshpërim e sipër, kafshon veten e vet. Ngaqë nuk arrin dot muzikën.
Pas disa ngërçeve», tha plaku, që tashmë po torturonte nëpër gishtrinj një rruzare të rrëgjuar, «pas disa përpëlitjeve, gjarpri ngordh. Nderet i vdekur përdhe, porsi shufër e zezë. Murgjit vazhdojnë të luajnë muzikë, duke e ngadalësuar ritmin gjithnjë e më shumë, derisa heshtin, pushojnë krejtësisht. Qetësia bie prapë gjithandej. Atëherë, njëri nga murgjit i afrohet najës së vdekur, vë dorezë në njërën dorë dhe, me kujdes, i shkul zvarranikut gjuhën dhe dhëmbin helmues. I mbështjell në një shami dhe, pastaj, gjithë murgjit marrin shtegun, për të zbritur prapë në manastir.
Atje, gjuhën dhe dhëmbin e gjarprit i vendosin në një shtambë, të cilën e mbyllin mirë e mirë. E lënë një mot e, pastaj, e hapin dhe ujin, që është bërë tashmë ujë naje, ua ndajnë murgjve të tjerë. Që ta kenë, në rast se i pickon gjarpër, merimangë apo akrep.
Kështu qëndron puna me ujin e najës», shtoi, pas një heshtjeje të shkurtër, plaku, duke më treguar pagurin që i varej në qafë. Dhe, në vazhdim, më pyet:
«Po ti, përse u ngjite gjer këtu? Për pelegrinazh apo ashtu, ngaqë të shtyu kureshtja?»
«Nuk e di, o plak», ia kthej, i zënë disi në befasi. «A s’the se uji i najës të shpëton, në të ngrëntë gjarpër, a edhe në të tradhtoftë grua, apo edhe shok për kokë?»
«Mbas tradhtisë së burrave fshihet, të shumtën e herës, Eva dhe mbas Evës gjarpri», tha me vete murgu, duke vështruar sërish drejt arave, a thua se aty ndodhej Parajsa dhe po kundronte dy njerëzit e parë tek përqafoheshin mes gjethnajave apo gjarprin tek varej prej një molle.
«Më jep atëherë, o plak, të pi nja dy gllënjka. Mbase prandaj erdha dhe unë e nuk e di. Dhe mbase, ashtu si naja që the, e kam të vështirë ta arrij muzikën. Po vallë, e arriti njeri ndonjëherë?»
«Për një çast e arrijmë muzikën dhe pastaj shket e ikën», tha i menduar plaku.
Heshti një grimë, bëri kryqin e, në vazhdim, pa u ngutur, e la rruzaren sipër pezulit, zhvari pagurin nga qafa dhe, me lëvizje të ngadalta, zuri t’i zhvidhoste kapakun.
(Jorgos Skabardonis)
Comments (0 posted)
Post your comment