Home | Literature | In Memoriam: Dr. Ardian Klosi

In Memoriam: Dr. Ardian Klosi

image
Dr. Ardian Klosi (9 July 1957 – 26 April 2012) was an Albanian publicist, writer, translator, social activist and an opinionist.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Dr. Ardian Klosi (9 July 1957 – 26 April 2012) was an Albanian publicist, writer, translator, social activist and an opinionist. Klosi was born in 1957 and earned a degree in Literature in the University of Tirana, in 1981.

 

 

* * *

Ardian Klosi iku drejt një bote, ku ndoshta ka më shumë miq sesa tek kjo e jona. Dikush thotë se la një shenjë. Dikush tjetër, një ish bashkudhëtar i viteve të zjarrta, se i kërkoi ndjesën e fundit për moskuptimet ku e ngërtheu kjo kohë. Dikush kujton ekspozitën e fundit që pa dhe dikush vargjet e fundit satanike që, në mendjen e shqipëruesit, i ndërthurte, sëbashku me idenë për t’u hakmarrë qoftë edhe ndaj vetë zotit. Klosi iku në një botë, ku ndoshta ndihet më i qetë. Ku takon shkrimtarët e lexuar në rini. Autorët e librave që përpiu me aq ëndje. Autorët që përktheu. Por edhe këtej në botën tonë, në botën e të gjallëve, nuk la pak. Shumëkush e ka kujtuar sot për aktivitetin e tij publicistik. 

Por Ardian Klosi, nuk ka qenë vetëm kaq. Bashkëmoshatarët e brezit tim, e mbajnë mend për një nga ngjarjet që u quajt ndër aktet e para të kundërvënies me regjimin, organizimin e mbrëmjes së përvjetorit të Xhon Lenonit, një ditë të shënuar, të dhjetorit ’90. Më të rinjtë e mbajnë mend për betejat e tij për të mos vrarë botën ku do jetojmë nesër. Kolegët e tij të letrave, për thyerjen e tabuve që vazhdonin si zgjatime të kohës së realizmit socialist. Ndërsa unë vetë, për librin e fundit që kam pasur në dorë, për disa poezi të Brehtit, që më bëjnë të mendoj, se ndonjëherë, dashuria edhe mund të vrasë. (Andi Bushati) 

 

Më pikëlloi shumë vdekja e Ardian Klosit. Ajo është vdekje për pikëllim të thellë e të përgjithshëm, sepse ajo është vdekje e shkaktuar prej ndotësive politike e intelektuale që e kanë pushtuar jetën shqiptare sot. I veçantë me sjellje e me mendime, ai s’mund të pajtohej me këto ndotësi. Vdekja e tij e papritur është dënimi më i madh që i shqiptohet kësaj rënie të tmerrshme morale, politike dhe intelektuale në jetën tonë të sotme. (Rexhep Qosja) 

 

Dan Klosi… sa emër i dashur! Dani, çfarë privilegji ta kishe mik! Ku është ai tani? Pse iku? Pse nuk e besuam krejtësisht asnjëherë atë njeri? Pse menduam se pas asaj që thoshte kishte diçka tjetër? Pse njohim kaq pak intelektuale në Shqipërinë tonë? Jam menduar gjatë për këtë dhe nuk kam arritur kurrë të numëroj dhjete syresh… As edhe një herë të vetme! Dhe tani e kuptoj pse sepse prania e Klosit kish përcaktuar një cak të lartë, shumë të lartë. Kujtoj ndeshjet e tij, betejat e tij: Betejën e humbur për europianizimin e Televizionit Publik; betejën e humbur për të drejtat e autorit dhe të botuesve; betejën e humbur për restaurimin e gjuhës së gjymtuar shqipe, nga genishtja tek Reinholdi; betejën e humbur për ndalimin e importit të plehrave të botës ndër ne; betejën e humbur për kauzat e mëdha ambientaliste: gjirin e Vlorës, shkallën e Tujanit, kodrat e gjelbërta të Tiranës…; betejën e humbur për mbrojtjen e Monumenteve Kombëtare të Shqipërisë: fshatrat e jugut, shatrivanin dhe parqet e Namasgjase, Piramiden dhe sheshin e Tiranës; betejën e humbur me gja-patriotet për zdritjen e historisë shqiptare, për Arbeninë Venedike, Skenderbeun e Ali Pashën; betejën e humbur për edukimin e fëmijve me kulturën tonë autentike nga Camaj tek Ali Asllani; betejën e humbur për rrënjosjen e një kulture gjermane përmes eseve, përkthimeve e venieve në skenë në Shqipërinë e shkatërruar moralisht; betejën e humbur shumë keq për emancipimin e shoqërisë; betejën e humbur për demokracinë… Ah, kjo e fundit ose e para farë krejtësisht e humbur! Betejen e humbur për… çka tjetër ende (?), sa shume humbje, sa shumë beteja! Dhe ne e shihnim si alien të mirë, por që ishte ca i çuditshëm, e nganjeherë “i jepnim dhe ndonjë dorë”. Po Ardiani fitoi luftën pikërisht sepse i humbi të gjitha betejat, luftën që e humbasin përherë më të shumtët po edhe thuajse të tërë ata që mes të shumtëve dallojnë: Luftën kundër hipokrizisë dhe vulgaritetit, kundër mjerimit shpirtëror dhe mediokritetit, kundër rrënimit të ngadaltë po të pandalshëm të dinjitetit, atë luftë që ngjan se krejt shoqëria shqiptare po e bën pa kurrfarë rezultati. Kjo e bën Klosin një shqiptar të pazakonte, një fitimtar në luftën e të humburve që numërojnë fitoret e tyre të zakonta. Kjo e bën edhe ekzistencën e tij një privilegj asnjëherë vërtet të merituar për shumëkënd që e njohu në gjallmeni të vet. “Klosi do të jetë kryqi ynë, të cilin do e mbajmë në shpinë gjithë jetën”, tha Ard Vehbiu me të marrë vesh lajmin “të gjithë duhet të kishim bërë më shumë për të”. Fshikulluese kjo frazë, por e vërtetë. Të gjithë e shtymë nga pak ne humnerën e akullt ku ai ra pa kthim. Të gjithë nga pak. Kush thotë jo, le të ngrejë dorën… Lamtumire o shok! (Artan Shkreli) 

 

A asht ngjitëse vetëvrasja doktor? Doktori bahet gati me m’u përgjegj, por mu s’më duhet përgjigjja tashma. Në janarin pranveror të këtij viti u ritakova për të satën herë me mikun tem të shtrenjtë Ardian Klosi, ashtu në një dhomë të pastër spitali, ai me nji libër n’dorë, si gjithmonë. Shprehte çudi pse njerëzia qenkan çu peshë për çfarë i kishte ndodhë. Ah Zot, sot nuk do doja të isha thjesht një mike, që ka pranu një rrëfim profesional avokator, por nji njiri i lirë dhe me i thanë gjanat me za të naltë, që tanë ta ndigjojnë se Ardian Klosi ky shpirt i pastër dhe i drejtë din m’u fliju, me na zgju nga limontia, ne konfirmistëve të pamoraltë të shoqnisë së re. Do të dosha që Ardiani me kenë si Krishti dhe m’u ringjallë, e me diskutu mbrapa sesi shoqnia jonë i përballon fenomene të tilla. Në fakt Ardiani duhet m’u ringjall se përndryshe një pjesë e madhe e aktivitetit kulturor në Shqipni do të shuhej… Sa shumë libra ka shkru, po aq ka përkthy me një intensitet dhe cilësi të admirueshme. Betejat qytetare të Ardianit janë të panumërta, frymëzuese, e sot ende nuk asht shkru e folë për ta sa duhet. Por, unë s’du me e besu se Ardiani na ka thanë lamtumirë përgjithmonë, du me fjetë me andrrën se asht strukë diku me shkru nji kryevepër. As tragjizmi në vargjet e Camajt, shkrimtarit tij t’preferuem se: “Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri, prandaj jam i trishtueshëm, Lule.”, nuk arrin me shpreh dhimbjen e thellë, kur nji Njiri i papërsëritshëm e plot vlera largohet, pa lanë zëvendësues të llojit të tij. (Blerta Kraja) 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00