Gravitacioni i Erës!
Era e kishte mbushur jetën e saj me gjëra kuptimplote. E tërhiqte shumë fizika. I gjente ligjet e fizikës shumë joshëse dhe tërheqëse. Ashtu si moshataret e saj shpenzonin orë të tëra mbi librat rosë mbushur me dashuriçka, ajo zhytej në libra dhe artikuj mbi fizikën dhe psikologjinë.
Nga Nimfa Hakani
Shpesh e mahniste fakti se si kishte arritur mendja e njeriut ...... të ishte në gjëndje të krijonte tërë ato që kishte krijuar....... deri tek teknollogjia e vendosur tashmë në duart e njeriut në madhësinë e një drejtëkëndëshi prizmatik më të vogël se vetë pëllëmba e dorës, për ta çuar atë, njeriun, kudo që ai do të donte të shkonte, pa lëvizuar fare nga koordinatat ku ishte, që nga gadishulli i Alaskës deri në ishullin Tasmanian, dhe të ishte në gjëndje ta shihte botën nga lart nëpërmjet ekranit të vogël të atij drejtkëndëshi prizmatik duke i kthyer ligjet e qëndrueshme të gravitacionit në mosekzistencën e abstraksionizmit gravitacional.
E pa veten para pasqyrës për herë të fundit. Vajza që po e shihte në anën tjetër ishte një e huaj. Reflektimi në paqyrë nuk i ngjante fare asaj. Qerpikët të rënduar dhe të gjatë, vetullat e hequra pak që ja vinin më në pah sytë, buzët e lyera me një vernik të lehtë rozë në çiklamin i dukeshin më të plota, flokët të lyer në nuancë të kuqërremtë të errët, me pak onde që i arrinin deri pak poshtë shpatullave, pak pudër të lehtë bojkafe në faqe, e bënin të dukej si një kukull e ngrirë. “Çfarë po ndodh me mua?”-pyeti vetveten. Vajza në pasqyrë dukej shumë tërheqëse, por asaj nuk po i pëlqente. S’ishte mësuar ta shihte veten kështu. Para saj nuk ishte Era, por një nga ato vajzat moderne të bulevardit, një nga ato kukullat e pispillosura siç ishte mësuar t’i quante ajo vetë. Ndejti një copë herë përpara pasqyrës duke vrojtuar atë vajzë të panjohur që fshihte njeriun që përfaqësonte Erën e vërtetë. “Përse e gjithë kjo?”-i tingëlloi një pyetje tjetër në kokë. Për një moment rrëmbeu peshqirin me mendimin të fshinte makiazhin. Por diçka përbrënda e ndaloi.
Era e kishte mbushur jetën e saj me gjëra kuptimplote. E tërhiqte shumë fizika. I gjente ligjet e fizikës shumë joshëse dhe tërheqëse. Ashtu si moshataret e saj shpenzonin orë të tëra mbi librat rosë mbushur me dashuriçka, ajo zhytej në libra dhe artikuj mbi fizikën dhe psikologjinë. Pesë vjet pas mbaroi fakultetin për fizikë, dhe pasi studioi ndërkohë disa vjet për psikologji, Era mbrojti dizertacionin mbi një temë shumë pak të rrahur, “Si ndikojnë emocionet dhe veshja në gravitacionin e trupit të njeriut!”, një dizertacion që u konsiderua i veçantë, dhe ku ndërthurej fizika dhe psikollogjia në një mënyrë të sofistikuar. Megjithëse dizertacioni ishte përgatitur për mbrojtur shkallën mastër, asaj ju dha unanimisht titulli “Doktor i Shkencave Fizike në fushën e Psikologjisë!”
Gjithmonë e kishte tërhequr mënyra se si ecnin njerëzit në rrugë. Gjithmonë e ngacmonte fakti se si ndryshonte një e ecuar nga personi në person. A varej e ecura nga struktura e trupit, apo nga mënyra se si njerëzit ndiheshin përbrënda? Ku qëndronte qëndra e gravitetit të një personi, në strukturën fizike të tij apo në gjëndjen emocionale që e bënte trupin të ndihej më i lehtë apo më i rëndë? Si kombinoheshin këto të dyja për të krijuar qëndrën gravitacionale të një njeriu ku pesha, stuktura fizike, dhe emocionet ndërthureshin dhe e përbënin qëndrën gravitacionale, një qëndër që ndryshonte vazhdimisht brënda të njëjtit person? Si spostohej qëndra fizike e gravitetit kur personi ndjehej i gëzuar, dhe e bënte personin të ndjehej më i lehtë, dhe çfarë ndodhte me qëndrën e gravitacionale të njeriut kur personi ndjehej i lodhur, i mërzitur, apo i depresuar kur flitej për të njëjtën peshë trupore? Përse trupi rëndohej në këto raste? Si funksiononte truri dhe çfarë roli luante sistemi nervor që e bënte trupin të ndihej i lehtë apo i rëndë? Si motivohej ecja në bazë të çfarë vishte njeriu? Si ndryshonte dinamika e trupit kur njerëzit vishnin atlete me rastet kur vishnin këpucë të rregullta? Përse njeriu ecte dhe ndjehej ndryshe fizikisht kur ndryshonte nga këpucë në atlete, apo dhe sandale? Si ndryshonte qendra e gravitetit të tij nga një ndryshim i vogël nga veshje të ndryshme në këmbë? Si ndikonte veshja në të gjithë këtë dinamikë trupore? Përse disa njerëz ndiheshin më rehatshëm kur vishnin rroba që u rrinin lirshëm në trup, dhe shumë të tjerë kur vishnin rroba që u rrinin ngjitur pas trupit dhe si ndikonte kjo në ecjen e tyre? Përse disa njerëz, kryesisht të grupit femëror, pranonin shpesh “torturën” që vinte nga të veshurit shik, vetëm e vetëm që të ndjeheshin mirë rreth vetes, dhe të tërhiqnin me ecjen e tyre vëmëndjen e të tjerëve, vëmëndje që ju krijonte një stimulim pozitiv pa të cilin nuk mund të jetonin dot dhe krijonin një qëndër gravitacionale artificiale?
Të gjitha këto pyetje e kishin ngacmuar vazhdimisht dhe ajo kishte prirjen të vëzhgonte njerëzit në rrugë, vetveten, njerëzit që njihte dhe mbante shënime se si ndryshonte ecja e tyre nga dita në ditë, nga mëngjezi në darkë, para dhe pas pushimeve, para dhe pas punës, dhe mundohej t’i jepte një shpjegim çdo gjëje që vrojtonte. Bazuar në këto vëzhgime dhe në deduksionet shkencore që ajo i kishte bërë këtyre vëzhgimeve të para si nga ana e ligjeve fizike, ashtu edhe nën këndvështrimin e fenomeneve psikollogjike dhe shpirtërore, ajo kishte shkruar shpjeguar me imtësi se si truri dhe sistemi nervor luante rol në të gjithë këtë proçes, dhe kishte formuluar tezat e saj.
Studimi i saj ishte botuar si libër. I ishte dhënë mundësia to bënte promovimin e librit dhe të parashtronte tezat e saj të doktoraturës mbi këto hipoteza kudo, në podiume brënda dhe jasht vendit, dhe kudo kumtesat e saja ishin pritur me interesim. Ja kundërshtonin dhe ja miratonin hipotezat që parashtronte, por i gjenin teoritë e saj intriguese. Momentet e saj më të preferuara, më interesante dhe tepër sfiduese ishin ato kur ja kundërshtonin tezat. E tërhiqnin dhe ngacmonin shumë argumentat që ja kundërshtonin studimin që kishte bërë. Ja nxisnin trurin në një mënyrë të tillë, sa që përgjigjet e saj intrigonin dhe habisnin profesorë të njohur fizicienë dhe psikollogë në audiencë. Mprehtësia e saj ishte mjaft ngacmuese dhe elektrizonte sallën. Ishte bërë e njohur më shumë për përgjigjet që jepte nga podiumi dhe debatin që krijonte me përgjigjet e saj, se sa për dizertacionin në vetvete. Pas çdo simpoziumi ajo ulej dhe rishikonte atë pjesë të tezave të saj për të cilën kishte pasur kundërshtime, dhe e pasuronte studimin e saj me përgjigjet që jepte të cilat i thellonte akoma më shumë kur ishte në vetminë e dhomës së saj. Oponentët, me pyetjet e tyre i hapnin këndvështrime të reja në mënyrën se si i shihte të njëjtat teza, dhe e kishin ndihmuar mjaft të thellohej në mënyrën se si i kishte parë dukuritë që kishte studiuar deri tani. I pëlqenin më shumë pyetjet dhe analizat që e kundërshtonin se ato që i bënin analizë pozitive dhe i jepnin mbështetje tezave të saj. Në një simpozium në Francë, nuk pati asnjë që të dilte në kundërshtim të tezave të saj. Francezët ishin si të hipnotizuar me të dhe tezat e saj. Pati vetëm lavdërime superlative. E kishte ndjerë të rëndë trupin atë ditë, si s’e kishte ndjerë asnjëherë në jetën e saj. Ishte larguar nga podiumi sikur kishte një peshë të rëndë në këmbë e mezi i kishte hedhur ato tre katër shkallë të podiumit dhe kishte ecur mjaft ngadalë për të shkuar në karriken e saj. Lavdërimet që kishte marrë s’i kishin sjellë asnjë kënaqësi. Përkundrazi! Mungesa e pyetjeve konfrontuese e kishte bërë të ndjehej sikur s’ishte marrë seriozisht, dhe se ajo që kishte thënë mbase s’ishte kuptuar plotësisht apo s’ishte dëgjuar me vëmëndje, dhe se ajo vetë ishte konsideruar nga audienca si një ornament oriental i rallë në jetën e tyre të zhurmëshme dhe sqimtare pariziane me të cilin ata kishin mbytur disa orë të mërzisë së tyre. E kishte përdorur këtë episod më vonë si një fakt që të përforconte tezën e saj se si gjëndja emocionale, stimulimi apo dhe mungesa e stimulimit ndikon në gravitacionin e trupit.
Njerëzit shpreheshin nëpër bllogje se pasi kishin lexuar librin e saj kishin tendecën të ishin më të vëmëndshëm ndaj vetes dhe të vërenin se si ju ndryshonte ecja e tyre në bazë të gjëndjes emocionale apo të këpucëve dhe rrobave që vishnin dhe mundoheshin të ndryshonin ato gjëra që mundeshin që të ndjeheshin më të lehtë fizikisht. E bënte të ndjehej mirë fakti që tezat e saj i bënin njerëzit të mendonin dhe reagonin ndaj vetes që të përmirësonin jetën e tyre. Po bëhej gati ta çonte për ribotim studimin pas ndryshimeve që i kishte bërë tërë këto vite ku kishte reflektuar tërë vërejtjet që i ishin bërë.
Era Gjiknuri ishte tashmë një emër i njohur në botën shkencore megjithëse ishte tepër e re. Dhe ftesat fluturonin nga të tëra kontinentet për ta patur të pranishme në ngjarjet shkencore që zhilloheshin që nga Japonia deri në Amerikën e Jugut. Kishte arritur deri aty sa që kishte filluar të kthente përgjige negative për shumë ftesa të bëra kohët e fundit sepse s’i përballonte dot gjithë ato udhëtime.
S’kishte ndjerë kurrë kënaqësi apo pakënaqësi të vogla si ndjenin moshataret e saj. Kur dilte nga shkolla me to, si në gjimnaz ashtu dhe fakultet, ndërsa ato çuçurisnin për djemtë dhe se çfarë kishte ndodhur dje tek kafeneja X, apo Y, emra kafenesh që ajo s’i regjistronte dot në tru se s’ishin kaq shumë, çfarë thuhej në fajsbuk, apo tuitër, çfarë i ndodhte yjeve hollivudiane, kush ishte shtatzënë e kush ishte ndarë prej tyre; vëmëndja e Erës largohej nga realiteti i gjithë këtyre çikërimave, dhe përqëndrohej në ndonjë flutur që sillej aty rreth e qark, tek krahët e saj që e mahnisnin me ngjyrat shumëllojshe dhe me mënyrën se si ishin ndërtuar për të krijuar dinamizmin e fluturimit, tek ecja e çuditëshme e dikujt që kalonte pranë, dhe çfarë kjo mënyrë tregonte për njeriun vetë, tek ndërtesat që i rrethonin dhe arqitektura e tyre. Shpesh e mahniste fakti se si kishte arritur mendja e njeriut të evolohej duke filluar që nga koha që kërcente nga një degë peme tek tjetra, nga gërryerja e tokës për të gjetur ushqim, nga jetesa nëpër shpella, dhe krijimi i shpellave artificiale për t’i shpëtuar tërbimit të natyrës, tek përsosmëria e sotme pas këtij evoluimi milionavjecar, që të ishte në gjëndje të krijonte tërë ato që kishte krijuar sotë; nga banesat shumë katëshe që arrijnin gati tek retë, deri tek teknollogjia e vendosur tashmë në duart e njeriut në madhësinë e një drejtëkëndëshi prizmatik më të vogël se vetë pëllëmba e dorës, për ta çuar atë, njeriun, kudo që ai do të donte të shkonte, pa lëvizuar fare nga koordinatat ku ishte, që nga Alaska deri në ishullin Tasmanian, dhe të ishte në gjëndje ta shihte botën nga lart nëpërmjet ekranit të vogël të atij drejtkëndëshi prizmatik duke i kthyer ligjet e qëndrueshme të gravitacionit në mosekzistencën e abstraksionizmit gravitacional.
Shoqet të mësuara me ëndërrimet e Erës që kur ishin fëmijë, dhe çvendosjen e vëmëndjes së saj nga ambienti, nuk ja vinin re përhumbjeve të saj ndërsa ato flisnin me këmbë e me duar për ato që i atyre ju interesonin. Ato e dinin se Era preferonte më shumë të rrinte në shtëpi të lexonte, apo të shkruante mbi tezat e saj, se sa të rrinte me to apo të vente të argëtohej në një klub nate gjatë fundit të javës.
Asnjëherë më parë Era s’kishte ndjerë boshllëk në jetën e saj. As edhe një minutë të vetme mund të thuhej. Por! Dhe kjo por ishte bërë diçka stërmadhe dhe e çuditëshme kohët e fundit, ajo kishte filluar të ndjehej si bosh në përgjithësi. S’e kuptonte se nga i vinte e gjithë kjo. Interesi i saj ishte i shpërqëndruar, dhe nuk fokusohej dot si më parë. E kishte të vështirë të pranonte këtë që po ndodhte, dhe kur e jëma e kishte pyetur nja dy herë se ç’kishte, nuk i kishte dhënë përgjigje të saktë, se s’kishte një përgjigje të tillë as vetë, por kishte thënë diçka të rëndomtë sa për të kaluar momentin. E çudiste fakti që ajo që ishte në gjëndje të analizonte çdo gjë me një qartësi dhe gjakftohtësi mahnitëse, s’mund ta bënte këtë gjë për vetveten. Ajo që ishte më e rëndësishtmja në këtë mes, ishte fakti që ajo s’ishte mësuar të ndihej në këtë mënyrë. Kjo gjëndje ishte diçka e re për të. Kishte arritur të tridhjetat dhe ishte e bindur se e njihte vetëveten shumë mirë. Suksesi kishte qënë forca shtytëse në jetën e saj, por tashti s’e ekzaltonte më as e vajtura në Australi ku e kishin thirrur kohët e fundit. E kishte ëndër të shihte Sidnin. Kishte ëndërruar ta shihte atë nën dritën e diellit, dhe magjinë e tij gjatë natës nën reflektimin e dritave të shumta në ujrat që e lagnin, të shihte një opera në të famëshmen “Opera House” të Sidnit, të vizitonte Tasmaninë, të vizitonte plazhet e magjishme në pjesën perëndimore të Australisë ku ëndërronte të llapashiste këmbët në ujin e cekët të bregut gjatë zbaticës në mëngjes herët e veshur e tëra në të bardha, dhe të vështronte perëndimin e kuqërremtë australian e ulur në një shezlong në një plazh të qetë. Por, për çudi kur mori ftesën disa ditë më parë, në vënd të hidhej përpjetë nga gëzimi, nuk ndjeu asgjë. Nuk ndjeu as eksitimin që ajo e kishte ndjerë vetëm kur ëndërronte se do të shihte Australinë një ditë. Qëndra e saj e gravitetit dukej se ishte çvendosur dhe ajo nuk kishte shpjegim përse. Ajo që kishte shkruar më shumë se një qind faqe për ta shpjeguar dhe analizuar këtë ndryshim graviteti njerëzor, ishte në vështirësi për ta bërë atë analizë për vetveten.
E pa përsëri vetëveten në pasqyrë. Ju kujtua vështrimi i shqetësuar që e jëma i hidhte shpesh kohët e fundit. Mos vallë ajo shihte diçka në të, diçka që Era s’ishte në gjëndje ta shihte në vetevete? U përqëndrua më shumë në pasqyrë, dhe ajo që pa i tregoi se nuk ishte vetëm pamja e ndryshme por edhe diçka brënda saj kishte ndryshuar. Çfarë kishte ndryshuar?-pyeti veten. S’kishte kohë të mendonte. Rrudhi lehtë shpatullat, dhe doli nga banja. E kënaqur që s’kishte njeri në shtëpi ta shihte të ngjyer e të veshur në atë mënyrë, rrëmbeu çantën e vogël të zezë që e kishte blerë në mëngjes për këtë rast dhe eci me shpejtësi drejt derës së jashtëme.
Nëpër shkallët e gjëra ndeshi me Oltionin fqinjin e katit të katërt, që po ngjitej lart. Ai e vështroi me kuriozitet, si të shihte një vajzë interesante në rrugë, por s’e përshëndeti si zakonisht. “S’më njohu!”- mendoi. Ishin rritur bashkë, por Oltioni ishte nga ata djem që konsiderohej don Zhuan. Ajo dhe Oltioni nuk përsilleshin në të njëjtat rrethe shoqërore që kur kishin arritur moshën e adoleshencës. Dikur kishin luajtur futboll bashkë. Ai kishte mbaruar një nga to universitet private me zë, dhe thoshin se kishte dalë prej andej ashtu siç kishte hyrë. Kishte dëgjuar se punonte si avokat në një firmë ligjore. I jati kishte një firmë të madhe shpërndarjeje, dhe fitonte mjaft mirë. Thashethemet ishin se për çdo provim të tij, xhepat e profesorëve fryheshin si padashur. E shikoje çdo javë me vajza të ndryshme. Deri më sot ajo s’i kishte kushtuar vëmëndje, por sot i pëlqeu fakti që ai e vështroi me vëmëndje, dhe ju duk tërheqës. Deri në atë moment ajo e kishte konsideruar Oltionin si një nga ata djemtë pa bosht dhe s’i kishte kushtuar vëmëndje më parë. Pati përshtypjen se ai po e ndiqte me sy nga pas dhe ndjeu drithërima në trup. Reagimi i trupit të saj e habiti jasht mase. E përmbajti veten të mos e kthejë kokën por ishte e sigurtë se ai kishte ndaluar në anë të shkallëve ta shihte deri sa ajo t’i zhdukej nga pamja. Kjo ishte hera e parë që një djalë e kishte parë me kuriozitetin mashkullor, dhe hera e parë që ajo e ndjeu kënaqësi që po shihej si femër. Më parë shikimet e meshkujve e irritonin. I dha trupit drejt dhe zbriti shkallët ngadalë dhe me një ecur të re femërore, dhe jo duke vrapur si bënte zakonisht.
Sa doli nga pallati në rrugë ndjeu kokat e njerëzve të kthehen, dhe kjo i dha një kënaqësi dhe konfidencë femërore që s’e kishte ndjerë më parë. Takat e larta që gjithmonë e kishin munduar nuk po i ndjente ta bezdisnin dhe këmbët nuk po i merreshin si një herë që kishte provuar të ecte me një palë këpucë me taka tre katër centimetra. Sot kishte veshur një palë që ishin të paktën tetë centimetra të larta. Ngriti kokën lart me krenari. Flokët ja mori flladi i lehtë i erës që frynte në atë çast. Një freski e këndëshme ja mbështolli fytyrën dhe gjoksin, dhe ndjeu se u bë edhe më tërheqëse. Për herë të parë në jetën e saj u bë e vetëdijëshme për format dhe lëvizjet e trupit të saj. Iu kujtua Australia dhe u ndje mirë që do të shkonte. Sytë i shkëlqyen dhe mori për nga shtëpia e Orës.
Një gjyshe me një foshnjë në karrocë po i vinte përballë dhe i hodhi një vështrim kurioz nga që s’e kish parë më parë nëpër lagje. Era vështroi të voglën. Kishte një fytyrë tepër të lezeçme që zbukururohej edhe më shumë nga ca kacurrela bojkafe të çelta që i vareshin në ballë. Era ndjeu diçka t’i ngacmonte gjoksin duke parë atë fytyrën të vockël njomzake. Vogëlushja sa ndjeu shikimin e saj, ngriti sytë, e i buzëqeshi me dlirësinë fëminore të një foshnje. Pastaj ngriti dorën e vogël dhe e përshëndeti tërë hare. E kaplloi një kënaqsi e çuditëshme nga ajo buzëqeshje e pafajshme foshnjore që i hyri brënda në shpirt dhe ndjeu që zemra t’i gurgullonte paksa në krahëror. Ia ktheu buzëqeshjen të voglës dhe e përshëndeti mbrapsht me dorë. Ju duk se gëzimi foshnjor i të voglës ju përçua edhe asaj. Një ndjenjë e mirë e mbështolli, dhe një shprehje e bukur ju çfaq në fytyrë. Vuri re Çeljetën dhe Orën që po e prisnin tek qoshja e trotuarit para shtëpisë së Orës. Ato po e vështronin me kuriozitet nga larg. Ajo kishte ndjekur të gjitha këshillat që ato i kishin dhënë atë mëngjes. Kuptoi që nuk po e njihnin. Me siguri që s’prisnin të dukej aq elegante. U kaloi pranë pa ju folur për të parë reagimet e tyre. Ndjeu që kthyen kokën duke e parë nga pas, dhe dëgjoi që thanë, “Po pse po vonohet kaq shumë dhe kjo?” Pasi bëri disa hapa pas tyre, u kthye, ju ndaloi para syve dhe ju tha, “ Gati të shkojmë?” Ato mbetën gojë hapur për një moment, dhe një gëzim vajzëror shpërtheu nga të dyja. Pasi i thanë në një zë, “Sa e keqe që je!”- të mahnitura nga pamja e saj filluan të bëjnë komente duke i ardhur rrotull e duke i vëzhguar çdo gjë, që nga qerpikët që i dukeshin të gjatë dhe të plotë dhe i jepnin syve të saj larushë një ndriçim tepër të veçantë e ja tregonin edhe më të mëdhenj se ishin, flokët valë valë si në të zi të kuqërremtë, fundin e zi, që ishte pak mbi gjunjë por jo mini dhe që kishte marrë formë të lehtë harkore rreth vitheve të saj disi të mbushura, bluzën boj rozë që i hapej me pak lezet tek gjoksi dhe tregonte varësen elegante që kishte blerë atë mëngjes dhe i vinte në pah shpatullat paksa të gjëra që i jepnin trupit të saj një formë të bukur dhe i vinin në dukje belin e hollë, këpucët e zeza mjaft fine, me një vijë të lehtë rozë në të dyja anët, dhe më në fund këmbët që s’ja kishin parë kurrë më parë se ishin gjithmonë të mbuluara nën pantallona dhe kishin një formë të tillë të përkryer që do ja kishin zili edhe modelet më të njohura.
Gëzimi i tre vajzave mbërtheu edhe kalimtarët. Njerëzit që kalonin aty pari, kthenin kokën dhe buzëqeshnin me këtë grup kaq të gëzuar vajzëror që përçonte rreth e qark freski rinore. Ora, duke e parë nga këmbët tek koka, i tha, “Më në fund! Kurrë s’kisha menduar se ti mund të dukeshe ndonjë ditë kështu!” Dhe të treja, pasi i futën njëra tjetrës krahun, me një gëzim që vjen vetëm nga natyra femërore kur ndjehet e përmbushur, u drejtuan nga zona e bllokut duke kërcitur takat në trotuar e duke tërhequr fort vëmëndjen e kalimtarëve që me kureshtje shihnin se si këto tre vajza shtatgjata, duke ecur me të njëjtin hap, me takat e tyre tepër të larta e të holla mposhtnin ligjet e gravitacionit.
Duke ecur midis Orës dhe Çeljetës, Era ndjente se gravitacioni i trupit të saj ishte në kërkim të një equilibri të ri, të një qëndre gravitacionale të re. Psenë do ta gjente më vonë. Tashti thjesht donte të shijonte momentin. Buzëqeshi, pa nga të dyja, i dha një shtrëngim të lehtë krahëve të tyre, dhe vështroi përpara vetes me një shikim që s’e kish patur më parë.
5 Maj, 2013
Comments (0 posted)
Post your comment