* * *
Mes këtyre fytyrave, kishte të kuqe, të bardha, jeshile e të verdha, e që të gjitha pasqyronin një urrejtje të thellë dhe dhimbje të madhe. Xhaxhai ishte shastisur fare por s’e jepte veten, e kështu nxitoi ta ndërpriste këtë lumë idhnimi : mirë, mirë, mjafton që secili të ketë një armik të ngulur thellë në zemër, dhe stërvitja jonë do të jetë top fare !
Përkthyer nga Urim Nerguti
Duke e çuar trupën e vet në stërvitje, xhaxhai im përshtatej me metodat ushtarake gjatë viteve gjashtëdhjetë. Kërkonte nga rojet që ishin rritur me bythë në pambuk, që të stërviteshin me një ndjenjë të thellë klasore në zemër. Këta shqyenin sytë dhe pyesnin të shqetësuar : komandant, çfarë quani ju ndjenjë klasore ? gjë që, për një çast, e zhyti xhaxhain tim në një gjendje shushatjeje të thellë, nga ku më në fund doli me ca psherëtima që s’ia prisnin njëra-tjetrën : kaq e pati, fund, mbaroi, rinia e këtij brezi ka marrë fund, rrënjësisht, nuk dinë as ç’është ndjenja klasore, male dhe lumenj të kuq të mëmëdheut, e nga të jemi të sigurtë tani që një ditë s’do të ndryshoni ngjyrë ? Më vonë, xhaxhai pohoi se, po ta kishte në dorë, do t’ua kishte ngjeshur secilit nga një qytë pushke në zverk, por ata s’i përkisnin trupës ushtarake, dhe fundja padituria s’është gabim në vetvete, por edhe po të ishte, s’kemi të drejtë të qëllojmë, të qëllosh do të thotë të shkelësh ligjin, le të themi se padituria e fëmijëve s’mund t’iu mvishet kurrë të rriturve, po të ishte dikush aty për t’u goditur, duhen goditur ata, të rriturit. Xhaxhai im, gjatë instruksionit të kësaj rinie të paditur, s’pati rrugë tjetër veç të tregohej i kujdesshëm, duke përdorur durimin e një beqareshe plakë në qëndisje. Bijtë e mi, iu tha ai atyre, ju nuk e dini ç’është ndjenja klasore, por a e dini të paktën se ç’është urrejtja klasore ? Të gjithë rojet e sigurimit teknik, njëri pas tjetrit tundën kokën, do të kishim thënë se po ndiqnin një ndeshje pingpongu : nuk-kup-toj, nuk-kup-toj.
Mirë, a e njihni ju Chiang Kai-shekun ? pyeti xhaxhai im. Chiang Kai-shekun ? Kush është ky ? s’kemi ndonjë Chiang në fshat, thanë rojet. Po trupat e rikthimit , vazhdoi ai me pyetje, a i njihni ? Dhe rojet iu përgjigjën njëlloj : në ç’ushtri janë këta, trupat e rikthimit ? Xhaxhai s’pushonte së lëshuari psherëtima, dhe pyeti për herë të fundit : mirë pra, pa më thoni, kë urreni më shumë ju ? Një nga rojet iu përgjigj me guxim : personi që urrej më shumë, është sekretari i celulës së partisë në fshat, ky i poshtër vjedh fondet e posaçme, e për më tepër ka rritur çmimin e energjisë elektrike me tre juan kilovatin, babai s’mund ta paguante faturën, e ai i poshtri, jo vetëm që ia ka thyer hundën me një grusht, por i ka urdhëruar qentë e vet që të na e presin linjën dhe marrin lopën ! Këtu mbërriti gërthima e rojes së dytë : ai që urrej më shumë, është kryetari i komunës sonë, kështu si pa u ndjerë i ka zhvendosur kufinjtë e tokës sonë dhe na ka marrë nja dy metër, im vëlla ka vajtur t’i kërkojë llogari por ai s’ia ka vënë veshin fare, dhe thjesht me një telefonatë, ka sjellë aty shërbimin e postës së milicisë së fshatit, e ma kanë lidhur vëllain brenda postës, duke e akuzuar për prishje të qetësisë publike dhe goditje të një kuadri revolucionar, e ma kanë shqepur në grushta, ia kanë bërë hundën petë fare, e në fund i kanë kërkuar të paguante një haraç prej dymijë juanësh që ta linin të dilte… Kështu, nëpërmjet gjithfarëlloj ankimesh, rojet e sigurimit teknik padisnin sjelljen kriminale të armiqve të tyre.
Mes këtyre fytyrave, kishte të kuqe, të bardha, jeshile e të verdha, e që të gjitha pasqyronin një urrejtje të thellë dhe dhimbje të madhe. Xhaxhai ishte shastisur fare por s’e jepte veten, e kështu nxitoi ta ndërpriste këtë lumë idhnimi : mirë, mirë, mjafton që secili të ketë një armik të ngulur thellë në zemër, dhe stërvitja jonë do të jetë top fare ! Që nga këtu, për ju mjafton ta shihni dordolecin përballë si personin që urreni më shumë, dhe ta shponi me bajonetë ! Filloni ! Xhaxhai i shpërndante urdhërat po aq rreptë sa një shef zbatimi dënimesh : Ve-për ! – shpo ! Rojet dukeshin nën ndikimin e ndonjë gjilpëre eksituese, sytë të skuqur në gjak, goja që iu nxirrte flakë, përballë dordolecëve lëvizjet e tyre dukeshin se ishin të frymëzuara vërtet nga urrejtja, e disa prej tyre, ndërkohë që shponin kashtën pëllisnin dhe ca sharje, duke e shndërruar shumë shpejt atmosferën e uzinës së riciklimit të gëzofëve të lepurit në një grumbull kapsollesh. Kalimtarët ndaleshin, rrinin aty të ngulur duke shikuar, e disa pyesnin : po çfarë dreqin po ndodh këtu ? dhe ca të tjerë përgjigjeshin : po a s’e shikoni që po xhirojnë një film !
(Mo Yan, Nobel 2012)
Comments (0 posted)
Post your comment