Home | Literature | * * *

* * *

image
Kur u zgjua, dielli kishte rënë gjithandej. Bëri disa lëvizje shpirëse dhe doli jashtë. Ishte akoma herët. Duke u orientuar sipas diellit, priti të afronte ora dhjetë. Ndezi dy qirinjtë e fundit në të dy dhomat, mbushi Beretën dhe e futi në xhep bashkë me krehrin e fishekëve rezervë. Mbylli derën dhe, pa e hequr çelësin prej bravës, i ktheu krahët shtëpisë së destinuar për braktisje.

 

 

 

 Nga Agim Hamiti

 

 

 

 

 

 

 

Shpresimi e përcolli të bijën deri pranë shtëpisë së Rasimit. Gjatë rrugës, ai u shmangej reflektimeve të dritave të jashtme. Në ndarje u përqafuan nxehtësisht. Ai nuk po shkëputej dot prej së bijës. I dukej se po ia dorëzonte gjakun e tij një të huaji.

— Mos e lësho veten, baba! Unë do të vij përsëri tek ti, sa më shpejt që të jetë e mundur.

— Ardhsh sa më vonë tek unë, bijë e dashur! tha me vete tek po i kthente krahët.

*

Kur u kthye në shtëpi, Shpresimi e piu dhe rakinë e mbetur. Pastaj i bëri pako librat dhe dorëshkrimet që kishte marrë me vete prej burgut. Sipër tyre vendosi një zarf me 700 lekë të reja, të cilat i kishin ngelur prej kursimeve kur punonte në kampin e Spaçit. Ato i mbuloi me shaminë e çmallimit, mbi të cilën kishte shkruar: Vajzës sime, Manushaqe. Pakon e vendosi në mes të tavolinës.

Doli jashtë dhe mori lopatën, të cilën e kishte flakur një ditë më parë rrëzë shkallëve. U mundua ta pastronte disi, duke e përplasur mbi një gur nga të dy anët. Në çastin që kapi bishtin e kazmës, ndjeu një djegie në gishtin e vogël të dorës së djathtë. U afrua me kazmë në dorë pranë dritares së kuzhinës dhe nën dritën e qirinjve pa një akrep të vogël, të verdhë, i cili kishte ngritur bishtin përpjetë nga krenaria për fitimin e betejës së parë në luftën e jetës.

— Mirë bëre që më pickove, se vetëm helmi yt më kishte mbetur pa provuar prej hidhërimeve të jetës. Por kujdes, mos është më i hidhur prej tij gjaku im në këto çaste, se je i njomë.

Shpresimi e flaku akrepin përtokë, pa e vrarë. Shkoi në mes të bahçes së dikurshme dhe diçka po kërkonte me taminá. Në një rrëzë kumbulle degëthyer filloi të gërmonte. Pas një çerek ore, nxori prej andej një qeskë mushamaje të mbështjellë në një plastmasë. Me të në dorë, shkoi në kuzhinë. E shpalosi plastmasën dhe, pas tij, mushamanë. Bereta e grasatuar dhe e fshehur para 14 vjetësh ishte si ditën kur e kishte groposur. E pastroi mirë nga jashtë, pastaj e hapi. Krehri me fishekë, që kishte brenda, ishte i pastër si atëherë. Njolla e ndryshkut në cep të krehrit me fishekët rezerve kishte mbetur e pazmadhuar. E pastroi edhe nga brenda armën, pastaj fshiu me një leckë dy krehrat me fishekë e i la në anë të tavolinës. Me sytë mbi Beretën që mbante në dorë filloi të fliste me zë të ulët:

— Erdhi ora jote, më së fundi. Kur të mbolla në bahçe, nuk e mendoja se korrja do të ishte kaq e hidhur. Unë të varrosa përkohësisht, ti do më varrosësh përgjithmonë. Sa shpikje të çuditshme ka bërë njerëzimi për të keqen e tij! Gijotina e përbindshme mori emrin e atij që e shpiku. Pak më vonë i mori edhe kokën. Po ti, zonjëz e bukur, ia ke ledhatuar zemrën atij që të nxori në dritë? Vështirë të ketë ndodhur ndryshe. Atë që mbjell edhe do ta korrësh një ditë. Po e provoj vetë këtë. Unë nuk kam qëlluar njeri me pëllëmbë në jetën time. Ndoshta prania jote në bahçe e shkretoi atë edhe mua.

«Bëra shaka, mos m’u zemëro besnikja ime e fundit. Fati im nuk është faji yt. Petritët, Nihatët e sojin e tyre nuk m’i hodhe ti përsipër. Përkundrazi, ti nganjëherë t’i heq qafe këta gjëmbaçë infektues. Por ata janë shumë, shumë… Është koha e tyre, klima e tyre, devra e tyre dhe fatkeqësia jonë. E keqja në pushtet është si bari i keq në pleh: lëshon rrënjë të thella e zhvillohet me vrull, të merr frymën. Edhe ti një e keqe je, zonja Beretë, por një e keqe e domosdoshme. Të këqijat e domosdoshme janë të mira. Le ta kalojmë bashkë këtë natë, bardhoshja ime, se nesër do të mbetesh e vé.

Rakia dhe lodhja nervore e fizike ia kishin zvogëluar sytë. Mori batanijen në dhomën e gjumit, u mbështoll me të dhe u ul përsëri atje ku kishte qenë. Mbështeti kokën mbi duart e kryqëzuara sipër tavolinës, midis pakos së librave dhe revoles. Mendja e tij, e kyçur me çelësin e një vendimi përfundimtar, gjeti prehje. Shpresimin e zuri një gjumë i thellë.

 

Kur u zgjua, dielli kishte rënë gjithandej. Bëri disa lëvizje shpirëse dhe doli jashtë. Ishte akoma herët. Duke u orientuar sipas diellit, priti të afronte ora dhjetë. Ndezi dy qirinjtë e fundit në të dy dhomat, mbushi Beretën dhe e futi në xhep bashkë me krehrin e fishekëve rezervë. Mbylli derën dhe, pa e hequr çelësin prej bravës, i ktheu krahët shtëpisë së destinuar për braktisje.

 

Nihati kishte një vajzë të martuar dhe dy djem. Të madhin e martonte atë ditë. Prej një kohe të gjatë kishte menduar të ndërtonte shtëpinë e ëndrrës së tij, një shtëpi moderne që të mos i gjendej shoqja as në qytetin e Korçës. Kjo do ta ligjëronte përfundimisht nofkën valiu, siç e thërriste Petriti dhe rrethi i tij i ngushtë. Edhe bashkëfshatarët kështu e thërrisnin midis tyre, por atij i buzëqeshin dhe i flisnin shoku kryetar, nga frika se mos ua merrte për keq atë titull që ai e meritonte plotësisht. Kur i kishin shkuar në shtëpi me rastin e fejesës së djalit, shumica e tyre e kishte uruar me të njëjtat fjalë:

— Të trashëgohet djali, o Nihat Rrapi, dhe rrap me dega iu bëftë fati edhe atij, si babait!

Nihati ishte kryetari i këshillit me karrierën më të gjatë në rrethin e Korçës. Bashkëfshatarëve u ishte mbushur mendja se ai kishte lindur për të administruar fshatin e tyre të bukur. Nihati dinte t’iu binte aq mirë telave të tarafllëkut sipas melodisë bashkëkohore, saqë dy herë me radhë kishin dashur ta punësonin në seksionin e bujqësisë pranë Komitetit Ekzekutiv të rrethit, por ai vetë nuk kishte pranuar.

— Socializmi i ka rrënjët në fshat, degët në qytet. Unë dua t’i shërbej tek rrënjët, u thoshte buzagaz kolegëve të rrethit, të cilët i habiste modestia e tij.

Kjo sjellje ia shtonte edhe më tepër kredibilitetin zyrtar.

Ndërsa së shoqes, e cila e dëshironte shumë qytetin, Nihati i thoshte:

— Dëgjo mua, grua; guri e ka peshën në vendin e tij. E ç’ka më tepër Korça nga ky fshat i bukur, ku vijnë prej qytetit për të pushuar? Origjina dhe shkollimi më thonë të rri këtu.

— Atëherë ndërtona një shtëpi për së mbari, të paktën, e cila të bjerë në sy që është e valiut. Drekërat e darkërat për shokë e për miq s’kanë të sosur tek ne, por shtëpinë njësoj si të tjerët e kemi.

— Për këtë ke të drejtë, po kush nxitet, mbytet, thotë populli. E ke parë me vëmendje semaforin tek kryqëzimi kryesor në Korçë? Midis sinjalit të kuq dhe atij jeshil, shfaqet sinjali i verdhë. Edhe vija e verdhë këtu tek ne ashtu është. Për të tjerët ajo do të bëhet e kuqe, për mua, si kryetar i tyre, do të bëhet një çast jeshile. Nuk ndahet Nihat Rrapi pa ndërtuar një vilëz në rrëzë të atyre

pishave që ma bëjnë me sy pranë burimit, ku festojmë 1 Majin.

— Po ai vend është veç nga fshati.

— Edhe unë jam veç prej bashkëfshatarëve të mi; jam valiu i tyre. Mos u nxito. I duruari, i fituari.

Vendi ku Nihati ëndërronte të ndërtonte vilëzën e tij ishte rrëzë një kodrine të bukur përbri fshatit. Dy dekada më parë, kooperativa bujqësore e kishte mbjellë me pisha gjithë shpatin lindor të kodrinës, deri tek burimi rrëzë saj. Atje fshatarët kremtonin festën e klasës punëtore! Pranë burimit niste një bllok mollësh, të cilin kooperativa e kishte zmadhuar deri ngjitur me shtëpitë e para të fshatit.

Duke vënë në lëvizje me kapacitet të plotë rrjetin e tij të gjerë miqësor e shoqëror me gjithë mjetet e format e mundshme, Nihati siguroi një Plan zgjerimi në perspektivë të zonës ndërtimore të fshatit në shtator 1980. Projekti i ri perspektiv i vijës së verdhë i përpiluar në zyrën e Nihatit prej nëpunësve të urbanistikës së rrethit, i miratuar prej Komitetit Ekzekutiv dhe i legalizuar në Kryeministri, u kyç në kasafortën e kryetarit të këshillit. Zgjerim perspektiv do të thoshte «vepro!» për valiun dhe «më vonë» për të tjerët.

Në fund të shtatorit, përfaqësues të urbanistikës së rrethit piketuan vendin e ndërtimit të vilëzës së kryetarit veteran në rrëzë të kodrës me pisha e pranë burimit me ujë të bollshëm. Një muaj më vonë, ai filloi ndërtimin e saj me një grup specialistësh të NN të rrethit, sipas projektit të siguruar prej një mikut të tij në Ministrinë e Ndërtimit. Vilëza dykatëshe, me ballkon të gjerë e shkallë dekorative nga të dy anët, e lyer nga jashtë me ngjyrë trëndafili të çelur, përfundoi së ndërtuari në mes të marsit.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0