Fillimi i Një Jete Tjetër!
Nën sqetull mbante fort çantën ku kishte tërë vjershat që kish shkruar këto vite. Ato që s’i kishte shkruar dot, i kishte mbajtur në mëndje. Truri i tij ishte i mbushur me vargje e vargje dhe mezi po priste të ishte vetëm për t’u derdhur në letër pas kaq vitesh. Nga zagushia dhe tundja e taksisë ra si në përgjumje, dhe e pa veten të ulur tek tavolina e qelisë duke gërvishtur në letër poezitë e pashkruara.
Nga Nimfa Hakani
Nënë-mira filloi t’i përkëdhelë kurrizin ngadalë si atëherë kur ishte fëmijë e vritej apo zihej me ndonjë shok e ndjente dhëmbje si fizike ashtu dhe shpirtërore dhe vinte të gjente ngushëllim tek ajo. Ai ndejti një copë herë ashtu duke shtrënguar nofullat që të përmbante ngulçet që i ishin grumbulluar përbrënda gjithë ato vite. Por duart eshtrore të së jëmës nuk po e ndihmonin. Lëvizja e tyre lehtë lehtë përgjatë kurrizit të tij sikur hapën dyert e mbyllura të shpirtit të tij, dhe ngulçet gjetën rrugën e fshehtë të shpërthimit. Ca zhurma të mbytura u dëgjuan fillimisht, dhe pak nga pak u bënë më të forta, dhe ngulçimat shpërthyen të njëpasnjëshme. Gjithë ajo dhimbje dhe vuajtje që ishte grumbulluar në qënien e tij, shpërtheu dhe trupi i tij filloi të dridhej brenda gjoksit të tharë të së jëmës.
Kur u hap dera e rëndë, drita e diellit i vrau sytë. Ishte një ditë e freskët pranverore, me një diell të ndritshëm që të verbonte sytë në qoftë se s’kishe gjyslykë dielli. E kishte parë diellin nga oborri i brëndëshëm i burgut kaq herë në këto dhjetë vite, por asnjëherë s’kishte qënë kaq i ndritshëm dhe i fortë si ky i sotmi. Kjo vinte mbase se dy javët e fundit s’kishte dalë fare nga qelia. Eci disa hapa me duart mbi sy duke u munduar të shohë rreth e qark. Dalloi në të majtë një grua të thinjur, thinja që i shndrisnin fort nga dielli, me një djalë nja dymbëdhjet vjeç afër një taksie. Me ngadalë u drejtua drejt tyre. Asnjë tjetër veç tij s’po lirohej sot. Me siguri ishte Leida me Gjergjin. Sa shumë ishte rritur i biri! Për dymbëdhjet vjeç ishte një djalë goxha i gjatë.
Të qënurit i lirë, kishte qënë një shpresë e stërgjatur që nga dita e parë që me sa duket me kalimin e kohës ishte fashitur brënda tij dhe e kishte humbur vlerën domethënëse të lirisë. Dhe për çudi nuk po ndjehej fare si i tillë sot. Përkundrazi! I dukej se nuk ishte në elementin e tij këtu jasht nën qiellin e hapur. Pyetja, “Kaq shumë u mësova me burgun?”- i lindi në tru. Kjo e bëri të ndjehej akoma më i plogësht. Eci drejt tyre. S’i kishte parë që prej katër vjetësh dhe fytyrat e tyre i kishte pak të mjegulluara në kokë. Çuditërisht nuk po e ndjente gëzimin që kish menduar se do të ndjente kur do t’i shihte Ju afrua dhe ndaloi dy hapa afër tyre.Nuk po dinte si të sillej. Leida ju afrua me ndrojtje dhe i dha një përqafim të lehtë. Dhe pastaj shtyu lehtazi të birin të bënte të njëjtën gjë.
Ai po i vërente të dy me të njëjtin ngulmim që i ishte bërë si ves t’i vrojtonte gjërat brënda mureve ku kishte qëndruar për kaq kohë të gjatë sikur donte të dallonte ndryshimet që kishin pësuar, dhe ndjeu se i vuri në siklet. U krijua një moment i pakëndshëm. Leida buzëqeshi me ndrojtje dhe tha, “Taksia po na pret!”, dhe e para u drejtua për të hyrë në të. I biri pak i hutuar e ndoqi pas. Ai ndejti një moment duke i parë si të shihte dy të huaj me të cilët s’i lidhte asgjë, dhe pastaj u fut pas tyre në ndejsen e pasme. Leida ishte plakur shumë këto vite. Flokët i ishin mbushur me thinja. Rrudha të thella i kalonin nëpër fytyrën dikur aq të bukur. Dhe s’ishte as dyzet vjeç. Një trishtim i thellë i buronte nga sytë. I erdhi keq për të dhe për veteveten. “Rini e humbur!”- mendoi. Taksia u nis me shpejtësi nëpër rrugën e paasfatuar për në rrugën kryesore. Pluhuri ngrihej nga të dy anët dhe në taksi ishte zagushi. Shoferi s’po i hapte dritaret për shkak të pluhurit. Ai ndjeu djersën t’i kullojë në shpinë, dhe disa bulëza i rrodhën nga balli në sy. I fshiu me dorën e djathtë, dhe me bisht të syrit pa se Leida bëri të njëjtën gjë. S’ishte vetëm zagushia brënda në taksi që e bënte të bezdisshme gjëndjen, ishte edhe ndjenja e shqetësimit të brëndëshëm që i kishte përfshirë të tre dhe çlironte një nxehtësi trupore sikletosëse që i shtohej asaj të hapësirës së ngushtë të taksisë. Deshi t’i thotë diçka shoferit që të hapte dritaren por fjalët s’i dolën nga goja.
Nuk folën tërë rrugës. Asnjëri nuk dinte se çfarë të thoshte. Zagushia në taksi, taksisti një njeri i huaj që, megjithëse mundohej ta përmbante veten, s’e shmangte dot kuriozitetin dhe t’ju hidhte vështrime herë pas here nëpërmjet pasqyrës të vrojtonte reagimet e tyre, dhe dhjetë vjetët e ndarjes, nuk e bënin të lehtë komunikimin brënda asaj hapësire të ngushtë ku katër njerëz merrnin frymë nën një ajër të rëndë që era e djersës e bënte akoma më mbytës. Ai po ndjehej sikur ishte në një qeli lëvizëse, po me një ndryshim që ajri në qelinë e tij ishte më i freskët, se atje ai ishte vetëm. Kishte ndiesinë që po e transportonin në një burg tjetër me disa të burgosur të tjerë, por në një burg ku s’kishte mure, se muret ishin të tejdukëshme.
Me që e kishin mbajtur dhjetë vjet brënda, dhe më kot ishin munduar të kapeshin diku, pasi asgjë nuk ishte provuar dhe gjyqi kishte qënë një farsë e shëmtuar me shokë e miq që depononin absurditete, e kishin liruar për sjellje të mirë. Por akuza qesharake për agjitacion e propogandë s’i ishte hequr nga kurrizi. Mendja e tij ishte bosh. Shikonte se si fushat anash i kalonin para syve me shpejtësi, por paanësia e tyre s’i krijonte asnjë ndjenjë hapësinore. Vuri dorën tek mbështetsja e derës së taksisë dhe ndjejti ashtu pa lëvizur tërë kohës. I erdhi keq për të birin. Leida s’duhet ta kish marrë me vete. Por edhe ajo kishte nevojë për dikë ta shoqëronte. E kush tjetër do të vinte ta priste atë të dilte nga burgu i Spaçit? I vëllai kishte lëvizur në qytet tjetër që t’i rrinte sa më larg “njollës” që ai i kishte vënë familjes. Motra e martuar kishte tre fëmijë, dhe sigurisht që s’do të kuturiste të vinte ta priste vëllain e vogël të sapo dalë prej burgut e të rrezikonte kështu pozicionin e qetë shoqëror ku gjëndej dhe që me vështirësi e kish ndërtuar. I shoqi kishte punë të mirë, dhe ajo s’mund ta merrte në sy në rrezikun të shkatërronte të ardhmen e fëmijëve. Nuk i vinte faj, dhe e kuptonte shumë mirë. Nënë zeza, ishte me një këmbë në varr dhe mezi priste ta shihte para se të ikte nga kjo botë. Pra mbetej i biri, fëmijë dymbëdhjetë vjeçar të shoqëronte të jëmën. Kjo ditë do të linte vragë të forta në kujtesën e tij fëminore si një ditë tepër e pazakonëshme. Mendoi se i biri nuk duhet ta kish parë sot, por gjashtë muaj prej ditës së sotme. Çfarë tronditje duhet të kish pësuar ai fëmi kur e kishte parë! Në fillim ndërtesa e shëmtuar e burgut me telat rreth e qark, dhe pastaj pamja e shpërfytyruar e të jatit. Ai e njihte atë vetëm nga fotografitë. Një fëmijë nuk duhet ta fillonte jetën me një ditë të tillë si kjo!
Nën sqetull mbante fort çantën ku kishte tërë vjershat që kish shkruar këto vite. Ato që s’i kishte shkruar dot, i kishte mbajtur në mëndje. Truri i tij ishte i mbushur me vargje e vargje dhe mezi po priste të ishte vetëm për t’u derdhur në letër pas kaq vitesh. Nga zagushia dhe tundja e taksisë ra si në përgjumje, dhe e pa veten të ulur tek tavolina e qelisë duke gërvishtur në letër poezitë e pashkruara.
Hapi sytë. Taksia kishte ndaluar para shtëpisë. Pa rreth e qark. Shumë pak gjëra kishin ndryshuar. Veç një pallat i ri pesëkatësh ngrihej në të djathtë nja dy shtëpi më poshtë. Leida dhe djali kishin dalë nga taksia, dhe po prisnin që edhe ai të dilte. Pa nga shoferi që ja kishte ngulur sytë me kureshtje dhe hapi derën me ngathtësi. As nuk mori mundimin ta përshëndesë. Ndihej i mpirë jo vetëm fizikisht por edhe shpirtërisht. Eshtrat sikur i kishin ngrirë nga udhëtimi katër orësh. Reumatizma në kyçe e në gjunj s’po ja bënte më të lehtë ngritjen nga sedilja. U mbajt fort tek dera dhe me vështirësi e ngriti trupin të dalë. Më në fund u gjënd jasht taksisë. Momenti më i vështirë tashti ishte t’i dilte së ëmës ballë për ballë. E shkreta Mëmë! S’ishte ngritur nga shtrati që kur atë e kishin marrë në pranga. Dhe e kishte pritur dhjetë vjet, ditë e natë që ai t’i kthehej Po të paktën ai kishte dalë para se ajo të ikte.
Ngjiti shkallët ngadalë. Vuri re që perdet e fqinjëve lëvizën. Ardhja e tij ishte ngjarje e veçantë sot në lagje. Me siguri të tërë fqinjët rreth e qark ishin prapa perdeve duke vëzhguar këtë ceremoni të trishtueshme gati mortore të kthimit të tij në shtëpi. Ndokush mbase dhe duke regjistruar çdo gjë. Shumë ndoshta me keqardhje për çfarëdo që kishte ndodhur. Shtyu derën që ishte e paksa e hapur.
“Ti je o bir?”- dëgjoi zërin e të jëmës nga dhoma në fund të korridorrit. Ajo me siguri kishte dëgjuar kuisjen e derës që e kish pritur me kaq padurim tërë ditën.
Tingulli i njohur i atij zëri ju fut në shpirt dhe ndjeu gjallëri. Shpejtoi hapat dhe hyri në dhomën e së jëmës. Ajo ishte ulur në karriken lëkundëse që e kish sjellë me vete nga shtëpia e prindërve kur ishte martuar tek Bamirët. Zakonisht atë karrike e përdorte i jati. Po ai nuk ishte më. Ishte shuar dy vjet pas ikjes së tij. Mëma kishte veshur rrobat më të mira që kish, dhe dukej që kishte orë që po e priste. Ajo zgjati duart eshtake. Sytë i kishte të mbushur me lot që i rrodhën kur a pa. Ai shkoi, u ul në gjunjë dhe e zhyti kokën në krahët e saj. Ndjeu erën e njohur të trupit të Nënës së tij. Nënë mira filloi t’i përkëdhelë kurrizin ngadalë si atëherë kur ishte fëmijë e vritej apo zihej me ndonjë shok e ndjente dhëmbje si fizike ashtu dhe shpirtërore dhe vinte të gjente ngushëllim tek ajo. Ai ndejti një copë herë ashtu duke shtrënguar nofullat që të përmbante ngulçet që i ishin grumbulluar përbrënda gjithë ato vite. Por duart eshtrore të së jëmës nuk po e ndihmonin. Lëvizja e tyre lehtë lehtë përgjatë kurrizit të tij sikur hapën dyert e mbyllura të shpirtit të tij, dhe ngulçet gjetën rrugën e fshehtë të shpërthimit. Ca zhurma të mbytura u dëgjuan fillimisht, dhe pak nga pak u bënë më të forta, dhe ngulçimat shpërthyen të njëpasnjëshme. Gjithë ajo dhimbje dhe vuajtje që ishte grumbulluar në qënien e tij, shpërtheu dhe trupi i tij filloi të dridhej brenda gjoksit të tharë të së jëmës. Me lotët që i dilnin çurkë e jëma e ngashëruar i tha, “Qaj biro, qaj! Lotët për burrat janë!”, dhe lotët e saj ranë në fytyrën e tij e u bashkuan me të të birit.
Leidas, që po qëndronte tek dera me djalin, iu përmbushën sytë, ja bëri me shënjë të birit dhe të dy dolën duke mbylluar me kujdes derën nga pas. “Djalë e nënë në këtë anë, e bir e Mëmë në anën tjetër të portës. Bashkë në tronditje të thellë, por në dhimbje dimensionale krejt të ndryshme.”- mendoi Leida dhe mori për në dhomën e bukës të përgatiste darkën.
Ndërsa ai s’mund t’i ndalonte ngulshet që i derdheshin nga kraharori si llava në shpërthim të një vullkani që kishte qënë i përgjumur për një kohë të gjatë, i biri qëndronte sy hapur në dhomën e tij në kat të dytë, krejt i çoroditur nga ngjarjet e ditës dhe veçanërisht nga skena që kishte parë në dhomën e gjyshes. Kishte dëgjuar shumë për të jatin si nga e jëma ashtu edhe nga Nënë Madhja, dhe e kish përfytyruar ndryshe si nga pamja ashtu edhe si njeri. Ishte rritur me fotografitë e tij që i mbante në raftet e librave. Por burri që ishte poshtë tek dhoma e gjyshes, dhe që po qante si fëmijë në prëhërin e saj, ashtu si ai vetë kishte qarë shumë herë në atë prëhër si fëmi, nuk përngjante me babanë që ai kishte krijuar në kujtesën e tij nga rrëfimet që kish dëgjuar për të. Ai ishte një burrë krejt i panjohur për të cilin e kishte vështirë të ndjente dashuri apo dhëmbshuri dhe ndjente një si ankth të bezdisshëm që ai, njeriu i çuditshëm aty poshtë do të përfaqësonte babanë e tij sot e tutje. Ai ishte i plakur dhe tepër i dobët, dhe fytyra e tij ishte krejt e panjohur. Dukej ndryshe, dhe sillej ndryshe nga ajo që Gjergji dymbëdhjetë vjeçar kishte pritur. Dëshëronte në atë moment që kjo ditë të mos kishte ardhur kurrë, dhe ai të vazhdonte të kishte për baba atë që i kishte pasur në qënësinë e tij tërë këto vite, baba për të cilin ai kishte qënë heshturazi krenar, dhe mezi kishte pritur t’i vinte në jetën e tij. Tashti nuk kuptonte se çfarë ndjente, veç një pështjellim i pakuptueshëm e kish mbërthyer të tërin si fëmi.
* * *
Ajo që ai i trëmbej më shumë erdhi. Mbrëmja! Tashti i duhej të ballafaqohej me diçka tjetër. Me gruan në vetminë e dhomës së gjumit. Ndjehej i tejlodhur, i trëmbur, por më shumë, i ndrojtur. Kishte kaluar shumë gjëra të frikëshme dhe të pështirosura në burg. Por frikë dhe bezdi të tillë s’kishte ndjerë ndonjëherë. Leida pasi çoi djalin të flinte, u kthye dhe po rrinte tek dera e kuzhinës e pasigurtë se çfarë duhet të bënte. E pa në mënyrë pyetëse. Ai i hoqi sytë mënjanë. S’po e shihte dot në sy. Pas pak foli mbytur, “Shko fli! Unë do të vi më vonë.” Ndjeu që ajo s’lëvizi nga dera. Ngriti sytë dhe e pa. Asaj po i rridhnin lot nëpër faqe, dhe një dhimbje e fortë i çfaqej në fytyrë. I erdhi keq për të. “Më duhet të rri pak vetëm.Të lutem!”- i tha me sy lutës. Dhe pothuaj duke mërmëritur shtoi, “Qe një ditë tepër e gjatë për mua! Më duhet të mbledh mendimet.” Këto ishin tërë fjalët që ata shkëmbyen me njëri tjetrin gjithë ditën e lume.
Ajo tundi kokën në mirëkuptim dhe mori dalëngadalë nga shkallët për në katin e dytë. Ai ndjeu hapat e saj të largoheshin dhe një sëmbim ia shpoi gjoksin.
Leida e kishte pritur gjithë këto vite kur shumë gra të tjera e kishin “braktisur” burrin në kushtet e saj. Por ajo që s’kuptonte Leida, ishte fakti që ai s’ishte më burri dhe njeriu që ajo kish dashuruar dhe me të cilin ajo ishte martuar katërmbëdhjet vjet më parë. Vuri kokën midis duarve dhe ndejti ashtu i përhumbur një copë herë. Shpërthimi në gjoksin e së jëmës sikur e kishte çliruar disi nga dhimbja që demonët që kishte brënda vetes i shkaktonin, por ai shpërthim s’mund t’i fshinte ata nga qënësia e tij. Ata ishin futur kaq keq nën lëkurën e tij, në brëndësi të tij, sa ai mendonte se kurrë nuk do të ishte në gjëndje të çlirohej prej tyre. Ndejti ashtu një copë herë të madhe me një lëmsh ndjenjash ogurzeza në krahëror. E dinte se duhet ta ndërmerrte hapin e vështirë, dhe duhej për hir të Leidas. E dinte gjithashtu që e jëma ishte zgjuar dhe priste e drithëruar që ai të fillonte jetën normale si e mendonte ajo me mentalitetin e saj normalitetin. Sonte për Mëmë zezën ishte prova që i biri kishte dalë shëndosh nga humnera e skëterrës ku e kishin degdisur për dhjetë vjet.
Por ai s’kishte asnjë dëshirë të ngjitej lart. Ndejti për një kohë të gjatë ashtu duke shpresuar që Leidën ta zinte gjumi ndërkohë. Më në fund shtyu veten dhe u ngrit i sforcuar. U drejtua shkallëve dhe i hodhi këmbët nëpër to sikur po kthehej mbrapsht në qeli. Atje në vetminë e qelisë ai e dinte të paktën se çfarë e priste. Rutina e ditës në atë qeli ishte bërë pjesë e jetës së tij, ishte futur në qelizat e tij kaq thellë sa ai nuk po dinte se si të ndiqte këtë rutinë të re. Shtyu derën me kujdes të mos bënte zhurmë dhe hyri brënda në dhomë. Leida ishte e kthyer me kurriz nga muri dhe s’po lëvizte. Kjo e qetësoi pak. Iu afrua ngadalë krevatit dhe ndejti një copë herë pa lëvizur në anë të tij duke parë në errësirë. Nuk dinte se çfarë të bënte. Të xhvishej apo të shtrihej me gjithë rroba. Për një moment mendoi të shkonte poshtë e të flinte tek divani në dhomën e ndënjes. Por mendoi se e jëma do ta ndiente duke zbritur shkallët, dhe do të shqetësohej e do rrinte pa gjumë tërë natën. Ndejti ashtu për një minutë dhe pastaj filloi të heqë ngadalë, duke u munduar të mos bëjë zhurmë, fillimisht këmishën dhe pastaj pantallonat. U ul në buzë të krevatit dhe ndejti ashtu për një kohë të gjatë. Pastaj shtyu ngadalë jorganin dhe u fut në shtrat. Ndejti i tendosur me trupin si të tkurrur, i sikletosur se mos e bezdiste dhe zgjonte Leidan. Vështronte me sy të hapur tavanin i përhumbur në këtë situatë krejt të re. Realizoi se këto dhjetë vjet kishte humbur ndiesinë si të ishte me një grua. Një frikë e pakuptueshme e kishte mbërthyer të tërin. Ndjeti ashtu një copë herë. Ndjehej i ndruajtur dhe i trëmbur njëkohësisht. Ndejti për një kohë të gjatë me sy të ngulur në tavan siç bënte shpesh në qeli.
Po ndjehej sikur këtë natë ishte i mbërthyer në atë krevat nga forca të padukëshme po ashtu si ishte i mbërthyer tek shtrati prej hekuri brënda qelisë çdo natë pamvarësisht se ato forca që po e mbanin sonte rob ishin krejt të ndryshme. Por ato po bënin të njëjtën gjë, po e mbanin me forcë në atë krevat kur ai në këtë moment do të donte të shkonte të flinte vetëm tek divani poshtë në dhomën e ndënjes, apo më mirë, donte të dilte nga shtëpia dhe të vraponte si i marrë jasht në errësirën e natës, e të ndjente ajrin e freskët t’i futej në mushkëri, e të ndjente lirinë që i ishte dhënë në muskuj, në trup, në mëndje, e të mos mendonte, ndjente, apo të përjetonte asgjë nga të gjitha këto. Ndjehej i mbërthyer në atë krevat ku ai si djalë i ri vigoroz kishte dashuruar vajzën e bukur të endërrave të tij natë pas nate, ndërsa tashti shtrihej pranë saj si një njeri pa shënja jete në trupin e tij të tretur, pa qënë në gjëndje te reagonte ndaj saj si njeri apo ndaj trupit të saj si grua. Dhe kjo i shkaktonte dhimbje dhe ndjente poshtërim si njeri dhe si burrë. I dukej vetja në atë moment sikur ishte i burgosur në shtëpinë e tij, në shtratin e tij, ku nuk po ndjehej i lirë të bënte ashtu si donte por i duhej të ndiqte disa rregulla sociale dhe t’i bindej një mentaliteti mediokër që e lëndonte dhe në bazë të së cilit i duhej që të kënaqte të tjerët në vënd që të merrej me shërimin e plagëve të thella që kish brënda trupit dhe shpirtit të tij. I vinte keq për veten, por, çuditërisht nuk po gjente forca të ngrihej dhe të ikte nga kjo dhomë dhe ta lëshonte veten në krahët e lirisë që i ishte dhënë. Si në qeli, mendoi, ku nuk kishte nga të ikte e ku të ikte. Kuptoi se kishte humbur aftësinë të sillej si njeri normal kur ndjehej në ankth e të reagonte ndaj një situate të tillë e të bënte diçka të natyrëshme, thjesht të largohej nga dhoma që ta çlironte veteveten nga ky makth që gati po e mbyste. Me mëndje bëri të ngrihej, por ndejti aty ku ishte, ashtu, si i ngrirë.
Vazhdoi të shohë tavanin. Format demoniake të tavanit të qelisë që i dilnin çdo natë, për çudi nuk u shfaqën në mugëtirën e dhomës. Me sa duket banesa e tyre ishte atje, brënda atyre mureve te trasha dhe ato mbeteshin atje kur njeriu linte atë vënd. Dita e gjatë dhe e lodhëshme, e mbingarkuar me emocione që nuk i kishte provuar për një kohë të gjatë bëri dalëngadalë punën e saj. Me kalimin e kohës qepallat ju rënduan dhe ai kaloi në një gjumë të thellë.
Leida dëgjoi hapat e tij nëpër shkallë dhe i regëtiu zemra. E kishte menduar dhe ëndërruar këtë moment për vite të tëra. Sot kishte realizuar shumë gjëra që s’i kishte realizuar dot më parë. I shoqi ishte njeri i ndryshuar dhe do t’i duhej kohë të përshtatej jetës së re. Ndryshimi midis ditës së sotme me ato ditë të panumërta që ai kishte kaluar gjatë dhjetë vjetëve atje ishte drastik, realizoi Leida për herë të parë gjatë gjithë asaj dite të gjatë. Ajo kishte pasur shpresa joreale. Por ai kishte bërë hapin e parë. Kishte ardhur në krevatin bashkëshortor. E ndjeu se si u fut në dhomë. Ndjeu ngurrimin e tij kur arriti krevatin. Dëgjoi fëshfërimën e rrobave që hiqte por s’lëvizi për asnjë çast që të mos e shqetësonte. Ai ishte vonuar me shpresën që ta gjente atë në gjumë. Krevati u lëkund pak kur ai u shtri. Trupi i tij ishte krahas trupit të saj. Më në fund pas dhjetë vjetësh gjysma e krevatit nuk ishte më bosh. Ai ishte aty me të. E dinte që do të duhej kohë para se gjërat të ktheheshin ashtu siç kishin qënë dhjetë vjet më parë. Ajo kishte përballuar jetën vetëm për vetëm me një fëmi të vogël dhe një grua plakë që mezi mbahej në këmbë gjithë këto vite. Sado e vështirë do të ishte tashti deri sa gjithçka të kthehej në normalitet. Ishin të paktën përsëri bashkë.
Ai kishte ndryshuar. Ajo kishte ndryshuar. Ju duhej të fillonin të dy nga e para. Të njihnin përsëri njëri tjetrin. Vetëm prania e tij aty në gjysmën tjetër të krevatit i jepte forcë shpirtërore të përballonte çfarëdo që do t’i duhej të përballonte sot e tutje. S’mund të ishte më keq se më parë. Mendoi diçka. Mbase për një farë kohe do të ishte më mirë për të sikur ai të flinte në dhomë më vete deri sa të ndjehej që ishte gati për të qënë me të. Të ambientohej me çdo gjë, me veten në një ambient të ri, me të, të njihte të birin dalëngadalë. Duke menduar të gjitha këto papritur realizoi se sa shumë gjëra do t’i duhej atij të përballonte dhe t’ju përshtatej. Jeta kishte ndryshuar rreth e qark nga ajo që ai kishte lënë. Kuptoi sa e vështirë do të ishte për të këto muajt e parë. Dhe asaj do t’i duhej të mësonte si ta ndihmonte. Do të ishte e vështirë për të gjithë, mendoi, për atë, për të birin, dhe atë vetë. Përmbajti një psherëtimë që pothuaj i doli nga shpirti. E formuloi disa herë në mëndje se si do t’ia thoshte të gjitha këto nesër në mënyrë që të mos e lëndonte. Rëndësi kishte që ai ishte aty, në shtëpi, larg nga i vënd i tmerrshëm që i mori rininë të dyve. Pas kësaj u ndje më e qetë dhe mbylli sytë. Bëri një gjumë që nuk e kishte bërë në dhjetë vjet.
E jëma që po rrinte e mbështetur në kokën e krevatit, pasi dëgjoi derën e dhomës në katin e dytë të mbyllej, u rrutullua më një anë, u mbulua mirë e mirë, vuri kokën në jastëk dhe nga lodhja dhe tensioni i kësaj dite kaq të emocionale për të, ra menjëherë në gjumë.
* * *
I ulur në dhomën e vogël, vargjet e pashkruara i derdheshin si rrëke lumenjsh. Ishin të hidhura ato vargje, ishin të ashpra. Tregonin, vetmi, mjerim, dhe lëndim të thellë, por kishin edhe forcën e uruganit. Fshikullonin ato vargëzime që i dilnin nga shpirti i vrarë, merrnin me vete shkëmbinj dhe i thërmonin, hapnin shtigje midis shkurreve të keqpërdredhura në lëmshin kaotik të shfrenimit të egërsisë së pyllit pas një stuhie të tërbuar, dhe pastaj qetësoheshin kur krijonin strofëza për Mëmën. Dhe ngriheshin përsëri dhe godisnin, dhe hidhnin shqelma si ajo mushka që pasi kishte mbajtur kaq shumë s’mundej më të duronte ata që në kurriz mundoheshin t’i hipnin dhe mundoheshin ta shfrytëzonin për të tyret interesa vetjake. I përbuzte ata që martirë hiqeshin kur martirë kurrë s’kishin qënë, përkundrazi, elozhe kishin thurur për ata që atë dhe shumë si ai në skëterrën e ferrit kishin dërguar dhe mundoheshin ta barazonin veten me të. Por ai s’e konsideronte veten martir. Ai e konsideronte veteveten thjesht një viktimë të një bote monstruoze ku njerëzit shisnin lëkurën për të mbijetuar dhe ishin gati të lëpinin të pëgërat e tyre dhe të të tjerëve për një jetë mizanskenike që merrte jetë të tjera. Kur i takonte në rrugë, kur shpesh shkonte për ndonjë ecje të vetmuar që të shpinte gjymtyrët e mpira nga të shkruarit e gjatë dhe nga reumatizma, ndjente neveri kur mundoheshin lajka të pështira t’i bënin; kur si dje edhe sot, në librat e tyre të xhepit, numrat telefonikë të atyre që në majë të olimpit qëndronin, kishin, dhe ju binin atyre numrave ditë e natë sa herë rehatia e botës së tyre mikroskopike u trazohej. Dhe ikte ai mbrapsht në dhomëzën e tij ku trishtimi i tij ish kaq shumë i grumbulluar në muret e zbehta. Aty fshihej nga bota dhe ndjehej i qetë dhe i mbrojtur nga ligësia njerëzore, që kur shpirti i Mëmës me retë e bardha ish bashkuar. Dhe fjalët e pathëna si rrëke i rridhnin nga maja e penës, që gërvishte e gërvishte letrën, dhe krijonin ato fjalë vargjet që mbushnin faqe të panumërta dhe linin njolla boje në formë loti blu në të bardhën e letrës aty këtu midis vargjeve të dala nga humnerat e zemrës së tij të copëtuar. . .
*Nëna ime, ti dhëmbje e pashuar,
ka kaq vjet që rri në dhe të zi;
Edhe yt bir, siç duket, së shpejti,
do t'a lerë këtë botë, nënë, e di.
S'më vjen keq që iki kështu,
se asnjëherë i lumtur s'kam qënë,
veç në pyjet ku xhindet vallëzojnë
... rreth drureve të galvanizuar me hënë.
Shkoj te lumi ku qajnë ciganet
për rërat e largëta me dritë.
Por përse dreqin jam gatuar kështu,
të grindem me të tëra qeveritë?
Nënë, nuk kam qënë në faltore kaq vjet,
por do t'i lutem Shën Mërisë për ty;
Eh, mundet që dhe mua ndokush
do ma gdhëndi mbi krye një kryq.
* Poezia “Nënës” nga Frederik Reshpja
10-12 Maj, 2013
Comments (0 posted)
Post your comment