* * *
Punë e madhe! Në fakt, Orioni i kishte studiuar njerëzit që hypën në avion për në Kairo. Nuk dukej të ishte ndonjë shqiptar, aq më tepër që shqiptarët e bëjnë të ditur praninë e tyre me shumë mënyra. Papritur, dëgjoi veten të fliste shqip.
Nga Vladimir Marku
Orioni hyri në aeroport me zemrën që i rrihte fort. E dinte që ajo do të vinte më vonë, por ai i ndjente vibrimet e saj rreth tij gjithsesi. Bëri check-in, kaloi kontrollin e pasaportave dhe u ul te salla e pritjes. Sa gallatë do të ishte! Ajo do të vinte, por ai nuk duhej ta njihte. Ata do të prezantoheshin vetëm në avion dhe do të bënin biseda të saponjohurish. Orioni buzëqeshi me vete. Biseda të huajsh! Madje, kur të zbrisnin në Vienë, duhet të ndaheshin për momentin derisa të ribashkoheshin tek salla e pritjes për fluturimin për Kairo. Që aty ata do të ishin bashkë edhe fizikisht. Si çfarë? Ç’pyetje kot! Orioni qeshi pa zë. Ata do të ishin bashkë, kjo ishte e qënësishme, e vërtetë. A nuk e kishin ëndrruar se dikur do të udhëtonin bashkë? Dhe kishin një mision: të vendosej përfundimisht për Jonën e tyre ... Ai u drithërua. E tyre ... Jona i binte të ishte rreth katër muajsh dhe ajo duhej të fillonte të ndjente ndonjë lëvizje.
Oriana u shfaq në sallë gjithë hir e nur, me një çantë në dorë. Në fytyrën e ndritur, me ato buzët e bukura, paksa të hapura nga tradhëtia e një buzëqeshjeje të fshehtë, aventura, në të cilën kishte hyrë, kishte dhënë një penelatë përskuqjeje. Buzëqeshja, në fakt, ishte syqeshje. Sytë e Orianës ishin të veçantë e të pakrahasueshëm. Kjo ishte një përshtypje, sepse Orioni asnjëherë nuk kishte qëndruar gjatë në sytë e saj në ato pak herë që ishin takuar, nën një dritë të zbehtë lokalesh. Në fund të fundit ata vetëm shokë kishin qënë. Sytë e saj ishin një bukuri e frikshme, një kërcënim, një fat i “keq” i etikës. Sy për të humbur në to dhe për të kërkuar veten. Ai mendoi se duhet të bënte durim, deri kur ata sy do t’i kishte pranë, të heshtur, rrezëllues e mistikë. Të butë si zëri i saj që ishte po aq i magjishëm.
Oriana pa shkaraz nga ai dhe shkoi e u ul në një stol prapa, me një ecje hapshkurtër, paksa të shpejtë, karakteristikë e saj. Ecje e shpenguar e një lozonjareje që nuk ta ka ngenë. Kishte vënë kufjet e flash-it. Cilën këngë po dëgjonte? Kishte veshur pantallona xhins dhe një xhup me kapuç që i rehatohej mbrapa mbi shpatullat e brishta. Ajo vishej thjeshtë, por një thjeshtësi me sqimë, gjë që Orioni e vlerësonte shumë. Nuk kishte Oriana meskinitetet e rëndomta e të vobekta të shumicës së vajzave të moshës së saj. Ajo nuk kishte nevojë të luftonte si e çmëndur për vëmendje sepse vëmendja udhëtonte me të. Besnike deri në amëshim. E ngrohtë deri në tradhëti.
Fluturimi i shkurtër deri në Vjenë u bë në heshtje. Pa u nisur avioni, Orioni i ra ziles së saj.
- Hë mo! - tha Oriana me zë të ulët.
- Të kam xhan! - tha ai sikur po fliste në telefon.
- Edhe unë. - U përgjigj ajo zëulët.
Viena e ftohtë, apo ftohtësi Viene? Dhe e lodhshme pritja, rreth katër orë. U bë e lodhshme edhe për shkak të mosfjetjes para nisjes. Udhëtimet të dy i kishin qejf, madje Orioni kishte provuar edhe udhëtime shumë më të gjata dhe pritje më të gjata. E zuri koka. Ishte bezdi ta kishe njeriun pranë dhe të mos i flisje.
Papritur, Orioni, pasi shikoi me vëmendje tabelën elektronike të fluturimeve, shkoi tek informacioni dhe i tregoi biletën.
- Jeni në terminalin e gabuar, - i tha ajo duke bërë korrigjimet mbi biletë.
- Biletën nuk e kam bërë unë, - i tha ai me ironi.
- Nuk e di, ka ndryshim. Zbrisni poshtë të merrni autobuzin për terminalin tjetër.
Pra, ata po prisnin në “gate” të gabuar, për faj të biletës në Tiranë ose për faj të racizmit të Austria Airline. Kështu mendonte Orioni duke turfulluar. Shkoi tek salla, ku ishte Oriana dhe ia bëri me shenjë që ta ndiqte. E ftohtë Viena dhe shi.
Ja tek ishin pranë e pranë, në avion. Mbase në një kohë tjetër, sepse mrekullitë nuk ishin bërë për Orionin. Ai i la vendin nga dritarja. Të dy po rregullonin frymëmarrjet dhe mezi e mbanin gëzimin që të mos dilte me zë. Gëzim që valonte brenda gjokseve të tyre si uji në një tenxhere me presion. Marrja frymë thellë shërbente si valvul çlirimi.
- O zot, sa e dua! - mendoi Orioni.
- Edhe unë të dua shumë! - mendoi Oriana.
Orioni duhej të merrte nismën. E dinte që biseda e tyre, gjithmonë e mençur dhe hokatare, do t’i qetësonte. Ai nuk supozohej ta dinte që ajo ishte shqiptare, kështu që duhej gjetur një sebep për të thënë diçka në anglisht. Ta pyeste nga ishte? Prit, ore prit, i tha vetes. Gjithë bota e fillojnë nga moti. Dhe jashtë bënte vërtet ftohtë. Kishte frikë se shpërthenin të dy në të qeshura. Punë e madhe! Në fakt, Orioni i kishte studiuar njerëzit që hypën në avion për në Kairo. Nuk dukej të ishte ndonjë shqiptar, aq më tepër që shqiptarët e bëjnë të ditur praninë e tyre me shumë mënyra. Papritur, dëgjoi veten të fliste shqip.
- Mot i keq sot.
Oriana ktheu kokën duke mbajtur të qeshurën.
- Vërtet, mot i keq.
- Nga jeni ju, zonjushë?
- Shqipëria, po ju?
- Ç’koinçidencë! Edhe unë. Dhe sa mirë që e ditkërkit shqipen!
- Thanks!
- Po për ku po shkoni kështu, nëse më lejohet të pyes?
- Në Egjipt.
- Ç’koinçidencë! Edhe unë. Si ka mundësi?!
- Jemi në të njëjtin avion.
- Po unë po shkoj në Kairo.
Naiviteti gjasme i Orionit e detyroi Orianën të jepte një nga ato qeshjet e saj të shkurtra fisnike. Edhe Orioni qeshi.
- Si ma thatë emrin? - pyeti ai pa e shuar të qeshurën plotësisht.
- Kam shumë emra, - tha Oriana duke nënkuptuar qindra emrat me të cilat ai e quante në sms - të e pafundme.
- Prandaj po të pyes, - buzëqeshi Orioni.
- Oriana, po ju?
- Ta gëzoni! Emër i bukur, dhe ju shkokërka. Mua më quajnë Orion, sipas emrit të konstelacionit.
Ai i dha atyre një mundësi për një bisedë shkencore, konstelacionet.
- Ta gëzoni edhe ju emrin!
Ajo nuk deshi të dilte nga ping-pongu hokatar, prandaj i la konstelacionet rehat. Orioni u kthye më shumë nga ajo dhe i dha dorën. Duart e tyre u bashkuan. Ai nuk mund të thoshte dot se çfarë ndijonte Oriana dhe si i dukej asaj dora e tij edhe pse ajo i kishte treguar se i dilte në ëndërr, por dora e Orianës ishte shumë e ngrohtë, e butë, e disi e lagësht. Ai e shtrëngoi, por jo shumë fort. Edhe ajo. Ai donte t’ia puthte dorën, por u përmbajt. A nuk ishin të huaj? Po mirë, i huaj i sjellshëm. Hmm! Me keqardhje, duart u ndanë dhe ata ndejtën ca kohë në heshtje për të mos prishur magjinë.
- Hera e parë që fluturoni?
- Jo, kam fluturuar edhe më parë.
- Thoni hera e parë.
- Pse? - Zëri i saj tingëlloi si lirë.
- Kështu e kam skenarin.
- Hera e parë, - ajo qeshi me qeshjen e saj mistike.
- Atëhere, mos kini frikë! Sipas statistikave të mia, bie një avion në çdo dhjetë mijë fluturime. Dje ra një në Tailandë ...
- Peru ...
- Tailandë apo Peru, ra dje, dmth nuk është radha jonë.
- Po, mirë, mo, ne mund t’i përkasim dhjetë mijëshes tjetër.
- Ju jeni me ne, apo me ariun?
Oriana qeshi ëmbël, si fllad.
Fluturimi zgjati po aq, sa pritja në Vienë, rreth katër orë. Vetëm nga Egjeu mundën të shikonin poshtë, sepse e gjithë Evropa ishte e sterosur prej reve. Sa më shumë i afrohej avioni Afrikës, aq më shumë shtoheshin emocionet e tyre dhe dhimbja e kokës Orionit.
Ja, më në fund, dhe Afrika! Delta pjellore e Nilit me togjet e fshatrave si fole grerëzash në ngjyrë dheu. Shtëpi të një lloji, prej tullash të thara balte, katrore, pa çati, si të prera, gjysmë të gatshme. Por sa keq! Kairo nuk dukej nga avioni, për shkak të një reje të kuqe që e mbulonte, ndotje e llahtarshme, apo pluhuri i imët i kuq i shkretëtirës? Gjynah, se kurioziteti, se si do të dukeshin piramidat që lart, lexohej qartë në këndet e vetullave të tyre! Nuk i panë dot. Larg, një tokë e zhveshur, e thatë. Shkretëtira.
Zbritën nga avioni. Përpara se të hypnin në autobuzin që do t’i çonte në aeroport, si me komandë, të dy panë rrotull tërë kërshëri dhe të magjepsur. Brenda aeroportit i priste përfaqësuesi i kompanisë Emilio Tours, Reda, egjiptian i krishterë. Jashtë aeroportit hypën në një furgon komod 8-vendësh dhe, së bashku me Redan, filluan aventurën mes për mes Kairos për tek hoteli, ku do të flinin atë natë. Hoteli ishte në qytetin e Gizës, tashmë pjesë e Kairos. Pjesë - pjesë qyteti ishte i vjetër, me lagje për të ardhur keq, me ato shtëpitë e vogla, të prishura prej balte, si jashtë kësaj bote, ose pjesë e një emisioni Explorer. Varfëri. Skamje.
Trafiku i çuditshëm apo tipik afrikan? Pa semaforë, pa vija të bardha. Asnjë gërvishtje, asnjë aksident apo incident. Dhe duke parë rrotull, pa dëshirë për muhabet me Redën, ata i ngulën sytë çudisë që u shpalos në horizont. Tre fantazma gjigande, si projektim gjigand ciklopësh mbi horizont, ose si projektim gjigand në qiell i tre sfinksave përrallorë. Tre piramida gjigande, si fantazma krahëhapura që i bënin roje qytetit të Gizës, ose ndofta ndonjë sekreti që vobektësia e sotme mendore nuk ka mundësi as ta fantazojë. “Uau!” bën të dy në një gojë.
- Ndofta sekreti i jetës dhe i vet njerëzimit është atje, diku në atë projeksion gjigand, i gatshëm për t’u lexuar. Nga ne? Apo nga NE jashtëtokësorë? Nuk mendon kështu, zemër?
- Nuk e kisha përfytyruar kështu, Orion, ndoshta se rrotull nesh çdo gjë gjigande nuk ka të bëjë fare me gjiganden e vërtetë.
- E shikon relativitetin, shpirt?
Hoteli jo i keq. Me katër yje. Sigurim e polici kudo. Dhoma të këndshme. Zvogëlimi i syve të Orionit tregonte se dhimbja e kokës i shtrëngohej. Oriana e uli mbi krevat dhe u ul vet pranë tij. Pastaj i vuri dorën nën mjekër dhe ia ktheu fytyrën nga vetja.
- Sa herë e ke ëndrruar këtë çast?
- Miliona herë, miliona.
Ajo e përqafoi me një forcë që kishte një vlerë metrike të pallogaritshme.
- Po këtë çast?
- Qysh se të kam njohur. Miliona herë.
Ajo ia afroi ballin dhe vendosi buzët fërgëlluese mbi ballin e tij duke e puthur butë.
- Po këtë?
- Gjithë jetën time të shkuar, - foli Orioni duke u lutur që të mos i ndalonte zemra prej lumturisë.
- Tani nuk do të kesh dhimbje koke, zemër. Mbase më vonë na kujtohen ëndrra të tjera. Dalim?
Orioni i mori dorën e majtë dhe ia puthi me zjarr. Zjarri ndoqi nervat duke i shkrirë, duke i bërë inkandeshentë. Lumenj zjarri.
- Oh, zemër, - rënkoi ajo. - Ikim përpara se të bjerë era shkrumb këtu!
- Ikim, shpirt!
Ata të dy dolën pa e zgjatur dhe pa bërë banjën e domosdoshme, sepse Oriana donte të blinte diçka për të ngrënë. Ca probleme me bakshishet dhe ajo u bë me një Club hamburger.
- Do ta ha pas dushit. Po ti nuk do hash gjë?
- Më dhëmb akoma koka dhe dua të fle.
- Prit ta puth pak ballin prapë dhe do të të iki, se po nuk të iku, mjerë ti.
Ajo iu afrua dhe e puthi lehtë tek balli, duke i lënë buzët atje pak më gjatë, se do të ishte normale për një puthje të shpejtë.
Orionit i kaluan mornica në trup. - Nuk ka gjë, zemër. Tani do më iki, thanks! Një dush, një Ibuprofen dhe gjumë. Nesër do të jem qiqër.
- Provo të mos jesh, - foli mirësia mirësisht.
- Jam i lumtur, Oriana.
- Edhe unë, po ky është fillimi.
- Natën dhe gjumë të bukur e çlodhës. Po të pres në ëndrrat e mia.
- Do të vij, shpirt. Ç’kishte për të ndodhur, ndodhi.
Orioni i lëshoi një buzëqeshje të ëmbël dhe tha me vete: “Po, gruaja ime!”
Comments (0 posted)
Post your comment