Latest News
Vjeshtë në shpirt !
Se ne jemi veç gjethe që në Pranverë blerojmë, Dhe zverdhemi ngadalë, gjersa Vjeshta na rrëzon...
Nga Leonard Seiti
Mbi rrugicat e ëndrrave të kërkova kudo
Por gjurmët e tua vjeshta kish mbuluar
Me gjethet, si kufoma pa shpirtin në to
Dhe mjegullën që bridhte mbi to e vetmuar.
Krahët e dëshirave mu thyhen një-nga-një
Me gjethet, dha shpirt dhe e fundit shpresë
Kanë mbetur veç kujtimet, memec, të pa zë
Si relike të vjetra, të ruajtura me kujdes….
Sa shpejt që rrjedh koha dhe nuk e kuptojmë
Si çdo ditë e nga pak lëkura jonë ndryshon
Se ne jemi veç gjethe që në Pranverë blerojmë
Dhe zverdhemi ngadalë, gjersa Vjeshta na rrëzon.
E di,ti beson se ka parajsë ! Unë thuajse kurrë
Në qoftë ashtu,unë do t’përfundoja në ferr
Por në k’të jetë, unë desha të të prek në lëkurë
Ku askush në parajsë s’do t’mund ndonjëherë...
Puthje vjeshte
Kurrë më parë ,nuk kisha menduar
Me vjeshtën të puthesha ëmbël në park
Mbi stola të drunjtë me gjethe mbuluar
Nën vështrimet e hënës që sillej përqark.
Oh, ç’femër ! Me ç’zjarr në buzë !
U zhvesh lakuriq ngadalë , si një pemë
Më tha : I dashur, ndjehem plot muzë
A bëjmë më mirë dashuri në poemë !?
Ja putha sytë me ngjyrë Aurore
Atë mbrëmje të qetë Tetori në park
Pastaj një lidhëse na kapi për dore
Dhe u shkrimë të dy këtu nëpër varg.
E bëmë dashuri pa ndalur, pa reshtur
Ndërkohë që nata frymëmarrjen kish ndal
Në mëngjes tek më puthte, më tha buzëqeshur
Unë jam veç një folje, je ti kryefjalë ...
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment