* * *
Në një luginë midis dy kodrash dalloi një njeri në zbritje. Ai ishte më shumë se 100 m lart në faqe të kodrës, ndërsa Shpresimi për pak do të kapërcente udhën kodrinore, ku mund të kryqëzoheshin kalimet e tyre. Për këtë arsye ai nuk ndryshoi as drejtimin, as ritmin e ecjes. Personi tjetër i ndryshoi të dyja.
Nga Agim Hamiti
Valiu kishte vendosur që ceremoninë e shtëpisë së re dhe dasmën e djalit t’i shkrinte në një. Për këtë arsye ai do të shkonte familjarisht në vilëz vetëm javën e dasmës, duke ia lënë gati djalit të madh shtëpinë e tyre të mëparshme, e cila ishte gjithashtu në gjendje shumë të mirë. Nihati do të pleqëronte në vilëz me gruan dhe djalin e vogël.
Dy javë ata u morën me sistemimin e mjedisit përqark shtëpisë së re. Një pjesë të ujit të burimit Nihati e kishte çuar atje sa kishin filluar punimet. Në kuzhinën e vilëzës kishte çezmë, po ashtu edhe tek porta. Rreth e qark oborrit nga brenda ata mbollën lule shumëngjyrëshe, të cilat kryetari i siguronte në ndërmarrjen e gjelbërimit të Korçës. Saksi lulesh të fiksuara zbukuronin ballkonin tejpërtej. Mobiliet e shtëpisë së re ishin përgatitur me porosi. Një rrugicë e bukur, e shtruar me gurë uniformë, çonte tek burimi, i cili ndodhej rreth 60 m larg shtëpisë, në drejtim të prirët me të.
Ditën e mërkurë familja e valiut u shpërngul në shtëpinë e re gati për dasmë. Një grup sazesh i priste në oborr e do t’i shoqëronte deri ditën e hënë. Urimet dhe përgëzimet prej gjithë bashkëfshatarëve derdheshin si uji i burimit në adresë të kryetarit të tyre, i cili po përjetonte një ëndërr të guximshme. Habia
dhe zilia, që shprehnin sytë e tyre, ishin ledhatime për sedrën triumfatore të valiut.
Ditën e diel ahengu i dyfishtë arriti pikun e tij. Autobusi i linjës së fshatit ishte porositur të bënte dy udhë atë paradite, për të lehtësuar ardhjen e miqve të largët të kryetarit të këshillit. Shumë vetura u parkuan përqark oborrit të vilezës. Targat e tyre u përkisnin rretheve të ndryshme dhe kryeqytetit. I gjithë rrjeti miqësor e shoqëror i valiut ndodhej në lëvizje të plotë.
Jehona e këngëve, valleve, sazeve e të qeshurave me zë të lartë e bënin burim qejfi e kënaqësie shtëpinë e sapobanuar. Dasmat e krijojnë vetë harenë, por ajo ishte hare e veçantë, e shtuar nga vilëza e re e paparë në fshat, vendi piktoresk i ahengut, larmia e pjesëmarrësve në të dhe martesa e djalit të parë të burrit të parë të krahinës. Për atje rendnin të gjithë atë ditë.
Drejt asaj vilëze po e çonin këmbët dhe Shpresim Bogonin.
*
Ai nuk kaloi nëpër fshat. Si u shkëput prej shtëpive periferike, Shpresimi vazhdoi të largohej për disa minuta. Mandej bëri një gjysmë rrotullimi dhe mori drejtimin e duhur. Ai po kalonte rrëzë kodrave, të cilat kufizonin anën jugperëndimore të fshatit. Andej mund të takonte rastësisht vetëm ndonjë fshatar që transportonte dru zjarri, apo ndonjë bari që kthehej prej kullotës pranverore. Duke shikuar me vëmendje përqark, ai kishte mundësi ta shmangte edhe një takim të tillë.
Pozicioni i vendit që po shkelte Shpresimi ishte më i lartë nga ai i fshatit që kishte përbri. Ai po endte shikimin tek çdo shtëpi dhe përpiqej të gjente me mend se cilat prej tyre ishin ndërtuar gjatë kohës që ndodhej larg. Lëvizjet që dallonte nëpër fshat kishin përgjithësisht një drejtim paralel me të tijin. Ky fakt i bëri përshtypje dhe foli me vete:
— Martesa e djalit të kryetarit të këshillit është ngjarje në fshat. Të shkretët fshatarë! Kush e di sa janë ngushtuar ekonomikisht, për t’i bërë qejfin kryetarit të tyre me peshqesh sa më të shtrenjtë. Në një rast të tillë servilizmi vesh petkun e zakonit dhe bëhet më i pranueshëm. Dhe kur një ditë të jenë në prag të vdekjes, ata do të kenë kurajën të gënjejnë veten duke thënë: edhe ne jetuam.
Në një luginë midis dy kodrash dalloi një njeri në zbritje. Ai ishte më shumë se 100 m lart në faqe të kodrës, ndërsa Shpresimi për pak do të kapërcente udhën kodrinore, ku mund të kryqëzoheshin kalimet e tyre. Për këtë arsye ai nuk ndryshoi as drejtimin, as ritmin e ecjes. Personi tjetër i ndryshoi të dyja. Ai tashmë po e zbriste me të shpejt shpatin e kodrës, por u shmang pak nga udha për të mos qenë shumë afër me Shpresimin, kur të ndodhej në të njëjtën lartësi
me të. Këtij i bëri përshtypje ky fakt dhe e përqendroi shikimin mbi kalimtarin. Portreti, që sa vinte e po qartësohej me gjithë tiparet e tij, iu duk i parë. Edhe ai tjetri nuk po ia ndante sytë dhe kur largësia midis tyre nuk ishte as 20 m, bëri një buzëqeshje skërmitëse e cila e ndihmoi Shpresimin për ta njohur.
Po, ai ishte. Trupi i gjatë e i hollë, koka e vogël mbi zverkun e zgjatur, flokët gjysmë të thinjur dhe buzëqeshja tipike e... Pelar Nerënxës!
Shpresimi u vrenjt në fytyrë. Ky sinjal i shtiu frikë Pelarit, i cili nxitoi hapat në drejtim të kundërt, duke e shikuar me bisht të syrit.
— Ik i qetë, Pelar, mos u tremb! foli nëpër dhëmbë Shpresimi. – Vazhdo të jetosh, se tipat si ti janë më të denjët e kësaj bote të molepsur.
Ai vazhdoi rrugën dhe doli në shpatin e kundërt të kodrinës, rrëzë së cilës ndodhej vilëza e valiut në valë të dasmës. Ngjiti kodrën deri në majë, u fut midis radhëve të para të pishave në shpatin tjetër dhe filloi të sodiste shtëpinë e re dhe lëvizjet e dasmorëve. Sazet dhe jehonën e këngëve i dëgjonte si të ishte mes tyre. Oborri, plot dasmorë. Edhe sheshi para oborrit, ku binin në sy veturat e parkuara, ishte gjithë gjallëri. Burimin, ku Shpresimi kishte pirë ujë sa e sa herë, nuk e shikonte dot prej atij pozicioni. Zbriti përmes pishave deri në mes të shpatit dhe eci në drejtimin jugor. Burimi ndodhej në anë të pishave. Duke manovruar me kujdes përmes atij mjedisi të maskuar, Shpresimi u afrua deri në një pozicion prej nga e shikonte qartë gjithçka.
*
Valiu e kishte shndërruar burimin në një çezmë të bukur, të punuar me shije. Fasada e bardhë me gurë të gdhendur ishte dy metër e lartë. Në të dy anët e saj kishte vende të posaçme për të vendosur enët e mbushura me ujë. Ky rridhte në një koritë betoni. Sheshi para çezmës, rreth 15 m², ishte i shtruar me çimento. Atje kishin çuar dy tavolina të mbuluara me napa jeshile. Mbi to, shishe birrash e pjata antipastash. Përqark kishin zënë vend shtatë burra të kollarisur e me jaka të ngrira. I kaluan mornica në trup, kur midis tyre njohu të zotin e dasmës dhe shef Petritin. Të tjerët duhej të ishin mysafirë më të pushtetshëm, mbasi Nihati qëndronte përballë tyre si në zyrë. Pak më tej niste blloku i mollëve në lulëzim të plotë.
Lulet e Mollës. Sa me pasion ia kishte komentuar profesor Ajeti këtë libër të bukur! Ai i kishte dhënë dhe një temë hartimi lidhur me të: Lulet e mollës, simbol bukurie e ripërtëritje.
«Profesori nuk do të ma falte kurrë këtë përçapje», mendoi Shpresimi. «Po Serveti? Nuk e takova dot në jetë të lirë. S’ishte në dorën time. Ka veprime, vlera e të cilëve varet prej çastit kur kryhen.»
Në oborr u shtua poterja e hareshme. Po përgatitej nisja e krushqve për të marrë nusen. Nuk kishte më kohë për të humbur.
*
Me lëvizje të matura, Shpresimi doli në anë të bllokut të pishave. Në vijë të
drejtë, nuk ishte më tepër se dhjetë metra prej tavolinave të shtruara në sheshin para çezmës. Ai zbriti si për në shtëpi dhe, me hap të shpejtë, u drejtua tek ata.
— Po ky, cili është? pyeti serioz njëri prej miqve të kollarisur përballë Nihatit.
Kryetari i këshillit u çua në këmbë dhe u kthye me gji nga Shpresimi, i cili atë çast drejtoi revolen mbi të. Tyta e Beretës nuk ishte as tre metra prej gjoksit të Nihatit, i cili ia bëri «oh!» nga befasia. Shpresimi tërhoqi këmbëzën në drejtim të zemrës. Një shkulmë gjaku shpërtheu nga goja e hapur për të lëshuar pasthirrmën e tmerrit, teksa valiu po shembej përtokë.
Mysafirët e kollarisur u shtrinë barkas poshtë tavolinave, ndërsa shef Petriti, i vetmi prej tyre që e kuptoi cili ishte atentatori, kërceu përmbi vendin e vendosjes së enëve të ujit dhe vrapoi të hynte në pyllin e pishave. Shpresimi, që nuk humbi kohë me të zotin e dasmës, e goditi në distancë të afërt. Plumbi e mori në këmbën e majtë, pa hyrë endé në korijen e pishave. Me një kërcim të fuqishëm, të nxitur prej rrezikut të afërt, Petriti arriti të hynte atje dhe filloi të zvarritej me nxitim. Shpresimi u ndodh shpejt pranë tij. Një goditje tjetër në mes të shpatullave iu dha fund përpëlitjeve të dëshpëruara të të plagosurit.
Mysafirët e strukur poshtë tavolinave, duke ndier praninë e atentatorit dhe në padijeni të planit të tij, mezi merrnin frymë, pa guxuar të bënin as lëvizjen më të vogël. Për dasmorët zhurmëmëdhenj tri të shtënat ishin hare e nisjes së krushqve.
Vetëm kur Shpresimi hyri në bllokun e mollëve dhe mysafirët e zgjedhur dolën nga poshtë tavolinave, u mësua ç’kishte ndodhur. Në poteren e shumëfishur të dasmës së kthyer në mort, u dëgjua dhe një e shtënë tjetër.
Një tufë zogjsh të trembur fluturuan prej degëve të mollëve në qiell bashkë me shpirtin e munduar të Shpresimit.
Comments (0 posted)
Post your comment