Home | Literature | * * *

* * *

image
Pas një viti, jehona e ngjarjes tronditëse ishte fashitur paksa në opinionin publik, por ajo nuk shuhej lehtë. Veç të tjerash, babai i Manushaqes kishte vrarë kushëririn e parë të babaqaforit, në shtëpinë e të cilit ajo dhe e ëma tashmë ndiheshin edhe më tepër të huaja.

 

 

Nga Agim Hamiti

 

 

 

 

 

Komiteti i Partisë i rrethit të Korçës i nisi një relacion të posaçëm rektoratit të Universitetit të Tiranës, lidhur me këtë ngjarje të jashtëzakonshme:

Ish-i burgosuri politik, Shpresim Bogoni, i sapoliruar prej burgut të Burrelit, ka kryer një akt të rëndë kriminal në fshatin ku banonte. Me urrejtjen karakteristike të armiqve ndaj kuadrove besnikë të partisë, ai ka vrarë shefin e punonjësve operativë pranë DPB të rrethit tonë dhe kryetarin e këshillit popullor të fshatit. Urrejtjen e tij të pamasë ndaj njerëzve tanë me partishmëri të lartë e evidenton fakti i shëmtuar që, për kryerjen e atentatit, ai zgjodhi një ditë të veçantë, atë të dasmës së djalit të të ndjerit kryetar i këshillit.

Ky veprim i pashembullt ka revoltuar mbarë opinionin publik të rrethit tonë, i cili e ka dënuar njëzëri këtë akt barbar. Në emër të këtij opinioni revolucionar, ju bëjmë thirrje të solidarizoheni me indinjatën tonë.

Në fakultetin e mjekësisë të universitetit që ju drejtoni vazhdon studimet vajza e armikut kriminel, Manushaqe Bogoni. Megjithëse ajo bashkëjeton me nënën, e cila është rimartuar me një person me përbërje të mirë klasore, vigjilenca ndaj qëndrimit të saj në të ardhmen është domosdoshmëri. Kjo edhe për faktin se jemi informuar që ajo është takuar tinës me babanë e saj, para kryerjes së krimit të dyfishtë, dhe nuk i përdor më rrobat me ngjyrë të çelur.

*

Pas një viti, jehona e ngjarjes tronditëse ishte fashitur paksa në opinionin publik, por ajo nuk shuhej lehtë. Veç të tjerash, babai i Manushaqes kishte vrarë kushëririn e parë të babaqaforit, në shtëpinë e të cilit ajo dhe e ëma tashmë ndiheshin edhe më tepër të huaja.

Tre vjet të shkuar, Rasimi kishte martuar njërën prej vajzave. Pas vrasjes së djalit të xhaxhait, ai u afrua më tepër me vajzën që kishte në shtëpi, duke e shtuar në heshtje distancën dhe ftohtësinë ndaj atyre të dyjave.

Ndërkohë, Manushaqja ishte duke përfunduar vitin e dytë të fakultetit të mjekësisë. Një ditë grupi i saj kishte punë në laborator. Kur shkuan atje, profesori u tha:

— Sot kemi rastin t’i shikojmë qartë grupmuskujt e pëllëmbës së dorës, mbasi kadavra qenka e papërdorur më parë.

Me sytë mbi fytyrën e kadavrës me ngjyrë të ndryshuar prej formalinës, Manushaqja papritur u zverdh dhe u mbështet mbi supin e një shoqeje.

— Çfarë ke, nuk ndihesh mirë? e pyeti ajo.

— Nuk e di; kam marrje mendsh.

Profesori i vëzhgoi me vëmendje pëllëmbët e duarve të kadavrës.

— Do të fillojmë me dorën e djathtë, mbasi së majtës i mungon gishti i madh, vërejti ai.

— Më ndihmo, të lutem, i foli me nxitim një shokut të saj studentja tek e cila ishte mbështetur Manushaqja.

Kësaj i kishte rënë të fikët dhe po rrëshqiste përgjatë trupit të shoqes, e cila mezi po e mbante.

— E çoni në dhomën ngjitur dhe kujdesuni të përmendet, i porositi profesori.

Të nesërmen rektorati i universitetit u interesua për identitetin e kadavrës.

*

Dy javë më vonë, Manushaqja shkoi në fshat me pushimet përgatitore të sezonit të provimeve. Ajo studionte rregullisht tek shoqja e saj, mbasi atje ndihej më e qetë. I kishin mbetur edhe tri ditë akoma të qëndronte në fshat. Kur po kthehej në drekë si zakonisht, dëgjoi rrëmujë brenda dhe zërin e shqetësuar të Rasimit:

— Ç’bëre kështu, moj e çmendur! Pse e dënove veten? Mos të kam lënë pa bukë?

Manushaqja nxitoi hapat dhe, me zemër të dridhur, hyri brenda. Rasimi, me duar të përgjakura, po përpiqej t’i pakësonte hemorragjinë Pranverës, e cila kishte prerë damarët e dorës së majtë.

— Mama, mama! thirri e tronditur Manushaqja, duke vrapuar pranë saj. – Vrit mua më parë, pastaj veten tënde! Pse ma bëre këtë? Nuk ke të drejtë të më lësh vetëm!

Dënesat ia mbytën zërin.

— Merr shpejt të gjitha fashat dhe ndonjë ilaç për kufizim gjakderdhjeje në kutinë sanitare që ke përgatitur. Vrapo shpejt, se po humbet shumë gjak; lëri të qarat! i thirri Rasimi i alarmuar.

Manushaqja nxitoi për atje, pa e ndaluar të qarin me zë. Tek po përpiqej, së bashku me babaqaforin, t’i kufizonin gjakderdhjen s’ ëmës, vazhdoi t’i fliste përmes dënesave:

— Si nuk mendove një herë për vajzën tënde, para se ta bëje këtë? Më pate thënë se çdo sakrificë e kishe bërë vetëm për mua.

— Të gjitha më shkuan dëm, bija ime. Humba shumë, pa fituar asgjë. I vetmi ngushëllim, që më kishte mbetur në jetë, ishte e ardhmja jote. Edhe atë e nxiu fati ynë i sterrosur. Lërmë të vdes, xhan’ i mamit!

— Mblidh veten, mama! Çfarë ke kështu?

— Lexoje atë letrën mbi tavolinë dhe do ta kuptosh se ç’kam.

Rasimi kishte nisur urgjent të bijën për të njoftuar të vinte makina e kooperativës bujqësore ta çonin Pravnerën në spital. Ndërkohë që ai po i mbante asaj dorën e plagosur, Manushaqja mori letrën mbi tavolinë. Atë e kishte sjellë sekretarja e këshillit.

Për shkak të sjelljes së padenjë në pajtim me armiqtë e klasës, veprim që bie ndesh me moralin tonë proletar, studentja e vitit të dytë të fakultetit të mjekësisë nê Universitetin Shtetëror të Tiranës, Manushaqe Bogoni, nuk e meriton bluzën e bardhë të mjekes së ardhshme. Për këtë arsye, me vendim të rektoratit, ajo përjashtohet prej radhëve të këtij universiteti.

Manushaqes iu thanë lotët nga tronditja dhe e ndjeu që po rrëzohej.

EPILOG

21 maj 1993. Njëzetvjetori i revoltës Spaç ’73.

Zhurma e disa autobusëve dhe veturave prishi qetësinë e gropës së zymtë; një qetësi zie për lavdinë makabre të zbehur prej kohës. Ish-të burgosurit politikë shqiptarë festonin në Spaç fitoren e tyre si të Pirros. Shumë kishin

udhëtuar me vetura policie. Ndoshta ndonjëri edhe me atë të ish-komandantit apo të komisarit të kampit të Spaçit, kur ai vetë kishte qenë i burgosur.

Komandantët e komisarët e kampeve e të burgjeve e kishin lënë periferinë dhe ishin grumbulluar në qendër. Tani ata shërbenin në MP të Brendshme dhe u shpërndanin dëshmitë e persekutimit ish-grigjës së tyre. Këta shtyheshin e djersinin për orë të tëra në radhë që të merrnin dëshminë e të mundurit. Fitimtarëve përbrenda sporteleve u shndriste fytyra prej lumturisë, që partia mëmë dhe bijat e saj kishin ditur ta hidhnin kaq bukur vallen e demokracisë ala-puniste, duke përjetësuar trashëgiminë e luftës klasore të paraardhësve: fitimtarët – fitimtarë të përhershëm; të mundurit – të mundur të përjetshëm. Ata gajaseshin tek shikonin duart me vraga prangash të shtynin njëra-tjetrën në sportel, para fytyrave të tyre të qeshura, sikur u thoshin: na i hidhni edhe një herë hekurat, se jemi mësuar me to!

Të rreshtuar, të shtrënguar, të nxituar, të alarmuar… si dikur! E asgjë nga këto nuk i pengonte të festonin. Çfarë? As ata vetë nuk e dinin. I munduri i përhershëm quan festë ditën e humbjes më të vogël.

 

 

Fragment nga Romani "ENIGMA E NJË BRENGE", i Agim Hamiti-t

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0