* * *
Diku poshtë rrënjëve të atyre shkurreve gjembaçe, prehen eshtrat e një djali të ri, varrin e të cilit unë e Paskali e luftuam me po atë ashpërsi që kemi luftuar ju vetë. Ne i trembeshim atij edhe pas vdekjes, se ishte një i vdekur i gjallë. Unë tallem me ju edhe sot, se ju jeni të gjallë të vdekur.
Nga Agim Hamiti
Prej një muaji Prenga mezi dilte në oborr. Kanceri po i bluante dalëngadalë mushkëritë e ai vazhdonte të pështynte gjak. Mjekët ia kishin bërë të qartë së shoqes, se ditët e tij ishin të numëruara.
— Ç’është kjo zhurmë makinash, o File? i foli gruas.
— Autobusë e vetura po vijnë përqark vendit ku ka qenë kampi.
— Autobusë e vetura? Sa është data sot, moj?
— 21, më duket.
— I ke rënë në kokë; aq duhet të jetë.
— Nga u sigurove ti?
— Prej atyre mysafirëve me autobusë e vetura që kanë ardhur të çmallen me mua.
— U bënë merak shumë për ty, nuk e sheh!
— A e di ti që ata burra, të cilët po shëtisin sot me autobusë e vetura, më kanë thënë mua si urdhëron! brenda një dite aq herë sa ti nuk më ke thënë gjatë gjithë bashkëjetesës sonë? Do të dal t’i shikoj për herë të fundit.
— Mos e mundo veten, se do të mbetesh andej.
— Ah, sa mirë do të ishte! Vitet më të bukur të jetës sime midis atyre i kam kaluar. Ishallah më vjen fundi me ta ndër sy, se do të vdisja i kënaqur!
Pa i dëgjuar ankesat e së shoqes, Prenga doli jashtë. Shtëpinë e kishte afër minierës. Rrethimi i saj e i kampit ishin shkatërruar. Shumë fshatarë i kishim marrë shtyllat e betonit e telat me gjemba për t’i përdorur në përgatitjen e soletave të shtëpive, apo thurjen a arave. Disa të tjerë e kishin nxitur atë bastisje, për të zhdukur një dëshmi të vogël të turpit të tyre të madh. Po ashtu ishte vepruar edhe me fjetoret.
Prengës iu desh një gjysmë ore të dilte deri tek qafa përballë kampit, ku përfundonte E Përpjeta e Sizifit mbetur pa Sizifë. Ndoshta përkohësisht.
Ai vuri dorën si strehë dhe nisi një dialog në distancë me mysafirët:
— Oh, qenkeni grumbulluar në tarracën e numërimit! Vihuni në rresht, se do të vij t’ju numëroj. E di që nuk do të jeni të gjithë të pranishëm në këtë apel... si atëherë. Helbeté, keni fituar lirinë, jeni fitimtarë, ha,ha,ha,ha! Të shkretët ju, që ju iku jeta duke u ngopur me lugën bosh! Po unë i kam sot e gjithë ditën, o të mjerë, dekoratat që më kanë dhënë për luftën 24 vjeçare kundër jush. Sikur një ditë të më bënin ngarkim bishtat e kazmave që kam thyer në shpinat tuaja, do të më mbetej gjashtë muaj pensioni pa marrë.
«Kam dëgjuar se një pjesë prej jush jeni veshur me rroba policie. Vetëkuptohet që ju ka hyrë në qejf uniforma ime, se ju është mësuar syri gjithë jetën me të. Edhe shkopinjtë e gomës, që kanë mbetur pa u këputur në shpinat tuaja, aty ua kemi lënë, gati. Ishallah i përdorshi së shpejti kundër njëri-tjetrit!
«Në fund të shpatit të kësaj kodre, ku ndodhem unë, duket endé një shkurrajë e padëmtuar prej bastisjes së rrethimeve. Diku poshtë rrënjëve të atyre shkurreve gjembaçe, prehen eshtrat e një djali të ri, varrin e të cilit unë e Paskali e luftuam me po atë ashpërsi që kemi luftuar ju vetë. Ne i trembeshim atij edhe pas vdekjes, se ishte një i vdekur i gjallë. Unë tallem me ju edhe sot, se ju jeni të gjallë të vdekur. Tani që jam duke dhënë shpirt vetë, më dhimbset Shkëlzen Grami. Unë po vdes i harruar, i braktisur, i mohuar prej atyre që më përdorën një çerek shekulli kundër jush. Paskali është përsëri shef në MP të Brendshme, ndërsa mua nuk më japin as qetësues për dhimbjet e fundit. Ai dje ishte shefi im, kurse sot është shefi juaj. Gjersa Paskali sot bashkëpunon me ju, do të thotë se dje ju ka luftuar kot. Po nesër, a jeni të sigurt se ai nuk do ta bëjë përsëri të njëjtën gjë?
«Tani e kuptoj se vetëm Shkëlzen Grami dhe një pakicë si ai, që dhanë jetën brenda telave me gjemba, e kanë njohur të vërtetën e luftës sonë të djeshme. As unë e as ju, politikanët! Ha,ha,ha,ha! Oh, nuk kam më fuqi as për të qeshur me ju që ju ka përqeshur fati, gjynah!... Ata e ditën pse duheshin mbetur atje, ndërsa ju nuk e ditët pse dolët prej burgut. I kam me vete tri dekoratat e Kuvendit Popullor dhe një skelet syzesh dielli, të cilit nuk i çova ndonjëherë xhama. Po i flak në mes të shkurreve me gjemba, ku prehen eshtrat e Shkëlzenit. Ai e meriton t’i kërkoj falje; ju kurrë!
«U mërzitët nga këto që ju thashë dhe po niseni? Udh’ e mbarë ju qoftë! E gëzofshi fitoren tuaj të dështuar! thirri Prenga me gjithë fuqinë e mbetur.
Nga goja i shpërtheu gjaku dhe ra përmbys pa ndjenja. Ndërsa zhurma e autobusëve dhe e veturave po tretej në largësi, trupi i ish-gardianit filloi të ftohej.
__________________
Fragment nga Romani "ENIGMA E NJË BRENGE", i Agim Hamiti-t
Comments (0 posted)
Post your comment