Latest News
Baronesha
Znj. Samoris kërkoi, duke ulur sytë, pesëdhjetë mijë franga.
Përkthyer nga Drita Klosi
- E njihni Baroneshën Samoris ?
- Po dhe jo. E kam parë vetëm një herë, por e di ç’është !
- E dini… mirë ?
- Po.
- A mund të më thoni pra çfarë dini, që të shoh se nuk gaboheni aspak ?
- Me dëshirë. Znj. Samoris është një grua e lartë që ka një vajzë, por që nuk ia kemi njohur kurrë bashkëshortin. Sidoqoftë, nëse nuk ka pasur ndonjëherë bashkëshort, ajo ka dashnorë që i mban në një mënyrë të fshehtë, sepse atë e ftojnë në një shoqëri tolerante ose të verbër.
Ajo shkon në Kishë, i merr kungimet në meditim të plotë, në mënyrë që ta shihet nga të tjerët, dhe nuk përlyhet kurrë. Shpreson që i bija të ketë një martesë të mirë. A është kështu ?
- Po, por po i plotësoj njohuritë tuaja : ajo është një femër e mirëmbajtur e cila respektohet nga dashnorët e saj më tepër sesa po të mos flinte me ta. Dhe kjo është një meritë e rrallë ; sepse, në këtë mënyrë, marrim çfarë të dëshirojmë nga një burrë. Ai që ajo ka zgjedhur, pa e kuptuar fare këtë, i vjen asaj vërdallë, e dëshiron me frikë, e kërkon me ndrojtje, e arrin me habi dhe e zotëron me respekt. Ai nuk e kupton fare që po e paguan, aq bukur di të sillet ajo ; dhe ajo i mban marrëdhëniet e tyre me një të tillë tërheqje, dinjitet, me një të tillë çfarë duhet, saqë duke dalë nga shtrati i saj ai do të qëllonte cilindo njeri të aftë që dyshon në virtytin e dashnores së tij. Dhe kjo në mirëbesimin më të plotë.
Kësaj gruaje ia kam kryer ca shërbime, dhe disa herë me rradhë. Kështu që e njoh mirë.
Mirëpo, në ditët e para të Janarit, ajo ka ardhur të më gjejë për të marrë hua tridhjetë mijë franga. Kuptohet që nuk ia kam dhënë ; por meqë dëshiroja ta detyroja, e kam lutur të më shpjegojë saktësisht gjendjen e saj, me qëllim që të shihja ç’mund të bëja për të.
Ajo m’i tha gjërat me të tilla përkujdesje gjuhe sa as pagëzimin e parë të bijës së saj nuk do të ma kishte treguar kaq me delikatesë. Në fund kuptova se kohët ishin të vështira dhe se ajo gjendej pa një dyshkë.
Kriza tregtare, shqetësimet politike që qeveria e tanishme duket t’i mirëmbajë me kënaqësi, zhurmat e luftës, atmosfera e përgjithshme e kishin bërë nguruese paranë, qoftë dhe në duart e të dashuruarve. Dhe pastaj kjo nuk grua e ndershme nuk mund t’i jepej kujtdo që t’i dilte përpara.
Asaj i duhej një burrë i fismë, i edukuar dhe i pasur që t’ia rriste emrin por që njëherësh t’ia plotësonte të gjitha nevojat e përditshme. Një burrë qejfli, edhe pse tejet i pasur, do ta kishte përlyer përgjithmonë dhe do të kishte krijuar probleme për martesën e së bijës. Ajo nuk mund të mendonte as për agjencitë martesore, për ndërmjetësit çnderues të cilët do të kishin mundur, për ca kohë, ta nxirrnin nga halli.
Mirëpo ajo duhet të mbante këtë nivel jetese, të vazhdonte të priste me dyer të hapura për të mos humbur shpresën e gjetjes, në mesin e vizitorëve, mikun e fshehtë dhe të shquar që ajo priste, që ajo do ta zgjidhte.
Unë i vura në dukje se tridhjetë mijë frangat e mia kishin pak gjasë të më riktheheshin ; sepse, kur ajo t’i kishte mbaruar, asaj do t’i duhej që të rimerrte, në një dorë, të paktën gjashtëdhjetë mijë për të më kthyer gjysmën.
Ajo dukej e pikëlluar tek më dëgjonte. Dhe nuk dija ç’të sajoja kur një ide, një ide vërtetë gjeniale, më shkrepëtiu në kokë.
17 Maj 1887
Guy de Maupassant
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment