Home | Literature | Përtej supit të saj

Përtej supit të saj

image
Fërfëllimë fustanesh, 

   hapje shampanjesh,

    tinguj violine, 

            luks, diamante e perla… të qeshura grashë që eksitojnë.

 

 

 

 

 

 

 

Nga Lira Bojku

 

 

 

 

 

 

Të shpon kuqësija e trëndafilave që zbukurojnë tavolinën ku ti je ulur,

Por s'janë më të kuqe se buzët e saj, kuqësija.

Buzë më të buta e më të kuqe se qershija, që përpëliten e flasin në drejtim te veshit tënd,

A e dëgjon se ç’të thotë?

I kërcëllon dhëmbët kur kafshon lehtas akullin e imët,

 që i mbetet në buzë gjatë gllënjkave të shampanjës

       dhe atë çast të buzëqesh fare lehtë si me faj.

 

Femër më elegante s’kam parë kurrë në Paris,

sikur ta pranoja do xhelozoja këmbët e saj

                 që zbuloheshin nga hapja e gjatë e fustanit të kuq.

 

Trupi i saj, si mëndashf i klasit të parë, 

i kuq si gjaku ndrit.

 

I binte mënga e hollë e njërit krah dhe i zbulohej pjesë e lëkures,

 për t'i çmendur aristokratët që e shoqëronin në tavolinë.

Gishtërinjtë e saj me thonj të kuq trazonin flokët e saj,

 ndërsa dora tjetër mbante pëllëmben e dorës tënde.

 

Më e bukura e mbrëmjes shfaqej, 

më e bukur se Hëna vetë,

Por ti s’ja ktheje sytë ta ndrisje.

 

Fërfëllimë fustanesh, 

   hapje shampanjesh,

    tinguj violine, 

            luks, diamante e perla… të qeshura grashë që eksitojnë.

 

Një mbrëmje aristokrate e rrallë,

 s’paska ndryshuar pothuajse asgjë,

edhe ti je i njëjti, vetëm dora që shtrëngon është e dikujt tjetër.

 

Në sytë e saj e shoh pasionin që ndjen për ty,

e kam zili dhe më dhimbset në të njëjtën kohë,

ti je i akullt e asgjë s’të le përshtypje tek ajo

je i brishtë njëjtë që guxon t’ia shtrëngosh asaj dorën,

     që përtej supit të saj t’më shohësh mua.

 

Të thashë gëzuar nga larg dhe piva gllënjkën e fundit nga shampanja ‘Dom Perignon Rose’  

të dhurova një buzëqeshje therrëse që ngjan me ty.

 

Atë çast ndjeva se dikush m'u afrua, 

ishte një nga ata parizienët ‘’merre dhe hik’’ e më tha - Est-ce que je peux le plaisir de cette danse ? 

Il me fera plaisir- Iu  përgjigja dhe pa hezituar  isha në këmbë

Ishte gjëja që më së pakti do doje ta shihje, që ti s'do ta besoje,

moment i kobshem që s'do shkulej nga mendja jote asnjëherë.

 

Revanshi është i ëmbël, por këtë herë ky nuk ishte qëllimi im,

ndjeva pëllëmbën e tij në belin tim që fuqishëm më terhoqi drejt tij

Melodia filloi, e kuptova se do luaja tango argjentinase.

 

Pasioni dhe eleganca u bënë një

Shikimin tënd e ndjeja të më ndjekë në çdo levizje dhe hap të tangos,

Po të vriste e ndjeja 

Tangon e parë e luajta me ty,

Por të fundit e ruajta për dikë tjeter…

S’je ti që po më mban në krah sonte

S’je ti që po më shtrëngon. 

 

Parisi ishte më i bukur se sahera këtë natë,

sikur u ndodha brenda një margaritari

 që më kthente në jehonë mallëngjimi, Parisi...

 

Kishe pranë Hënën por si gjithnjë kërkoje yjet,

As nuk m'u afrove, veç shihje me sy e plasje me zemër,

 Ah Parisi, Parisi... dashuria ime e parë dhe e fundit mbase.

 

 

 

Paris, 08. 04. 2011 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00