Shkuma
Ishte mesditë dhe dielli i fortë, drita regëtitëse, e bënin skenën edhe më të frikshme. Ushtari po keqësohej. Ishte zbehur krejt, buza kishte filluar t’i nxihej. Shkuma e jargët i dilnin me flluska përskaj buzëve dhe binin, pastaj, mbi asfalt.
Nga Jorgos Skabardonis
Ra mu para shtëpisë sonë, në kryqëzimin e rrugëve Herkul e Glinos. Gjysmë metri larg bordurit të mprehtë. Në fillim, e zunë ca të dridhura të papërmbajtshme. Bereta i fluturoi dy metra më tutje. Beretë artilerie. Çizmet e rrjepura e të rënda bënin një zhurmë të thatë, teksa rrihnin asfaltin. Fërgëllonte kokë e këmbë. Sytë i kapërcyen dhe zuri të nxirrte shkumë nga goja. Shkundej, përpëlitej.
Fqinjët u mblodhën menjëherë rreth tij. Nuk ishin në gjendje të bënin asgjë. Disa gra fshihnin fytyrat, mes gishtrinjve e shihnin tek nderej, dridhej, rënkonte, shkumëzonte.
Ishte mesditë dhe dielli i fortë, drita regëtitëse, e bënin skenën edhe më të frikshme. Ushtari po keqësohej. Ishte zbehur krejt, buza kishte filluar t’i nxihej. Shkuma e jargët i dilnin me flluska përskaj buzëve dhe binin, pastaj, mbi asfalt. Nga përpëlitjet e vazhdueshme të trupit, koka e tij i afrohej gjithnjë e më shumë bordurit, që na u duk si teh gijotine.
«Është me sëmundje toke», tha njëri prej fqinjëve, «tërhiqeni, se mos përplas kokën e mbetet në vend».
Dy burra e mbërthyen për këmbësh, nga çizmet, dhe e tërhoqën tri metra larg bordurit.
Përpëlitjet sa vinin e i shtoheshin. Dukej se kriza epileptike po i afrohej kulmit.
Njëri thirri:
«Jepini të shtrëngojë në dorë diçka të hekurt!»
Zoti Nikollë, i cili kishte një garazh ca më poshtë, vrapoi e solli një çelës papagall. Iu afrua me kujdes ushtarit dhe i vendosi në grusht veglën e hekurt. Ai e shtrëngoi me një forcë të tillë, saqë, për një çast, pandehëm se do ta shtrembëronte. Kyçet e gishtrinjve iu zbardhëllyen. U përqëndrua me trup e shpirt tek hekuri, brenda hekurit. Të dridhurat po i pakësoheshin. Përpëlitjet po i bëheshin gjithnjë e më të rralla. Sytë i erdhën në vend. Filloi të qetësohej. Pështyu jargët e fundit. U kthye brinjazi dhe qëndroi një copë herë ashtu, pa lëvizur, i tulatur. Duke parë e shtrënguar papushim hekurin. Paspak u qetësua plotësisht. U shtendos. Zuri të ngrinte sytë e të na vështronte me radhë.
Pastaj, i dha trupit para dhe, ulur siç qe, filloi të shkundte, me lëvizje të ngadalta, pluhurin nga uniforma jeshile. U ngrit. Njëra prej fqinjeve i solli një gotë ujë. Nuk pranoi ta pinte dhe na tha gjithë ankth:
«Dua të kthehem në repart, në Lamia, e s’kam kokërr dhrahmie. As për të ngrënë nuk kam. Ndihmomëni».
Brenda pak minutash, kishte mbledhur nja shtatë a tetë mijëshe.
Mori beretën, e shkundi, e ngjeshi në kokë. Na përshëndeti dhe iku.
«Djali i shkretë!» tha një grua bri meje.
Mbasdite, erdhi një fqinj që punonte në Tubë e na rrëfeu të njëjtën histori. Është mashtrues, na tha. Epileptikët nuk i marrin ushtarë. Shkumën e bën me pastë dhëmbësh. S’i vjen turp!
Nuk i besova fqinjit, sepse i kisha dhënë dyqind dhrahmi ushtarit të sëmurë.
Mirëpo, pas një muaji, e pashë prapë në Neapoli, ku kisha shkuar të takoja një shok. Ushtari i artilerisë tashmë kishte veshur uniformën e aviacionit. Por shfaqja e epilepsisë që dha këtu, ishte ku e ku më e arrirë se ajo që pati dhënë para shtëpisë sime. Duket se njeriu, kësaj here, ishte në formë, në qejf, dhe po shkrinte gjithë dhuntitë e veta.
Gratë, ndanë tij, qanin me pikë të lotit. Në fund fare, të gjithë ata që ishin grumbulluar, i dhanë pare, në mënyrë që të mund të shkonte në Siros, në repart – kështu na tha. Kësaj here, në vend të Lamias, parapëlqeu një ishull.
Nuk e kallëzova. Përkundrazi, nxora e i dhashë tri qindshe, një më shumë nga ç’i kisha dhënë radhën e kaluar. Me mendimin se, me të, ndodhte ajo çka ndodh në letërsi: nuk ka rëndësi se çfarë, por se si. Nuk ka rëndësi e vërteta, por nëse shkuma, që e vërteta nxjerr nga goja, duke përdorur pastë dhëmbësh, është më tronditëse se shkuma e një epileptiku të njëmendtë.
Aviatori ngjeshi kapën në kokë. Xhepi i qe fryrë nga kartmonedhat. Na përshëndeti me buzën në gaz. Dritë dhëmbët.
Përkthyer nga Romeo Çollaku
Comments (0 posted)
Post your comment