Home | Literature | * * *

* * *

image
Gamilja u ngrit nga toka në këmbë dhe atij i dukej sikur një ashensor fare i pasigurtë i jashtëm po ngrihej nga toka. Dhe ja, tek ishte në katin e dytë. 

 

 

 

 

Nga Vladimir Marku

 

 

 

 

 

 

Ndalesa e dytë e tyre ishte midis dy piramidave të para. Arabë me ato veshjet e tyre karakteristike të gjata dhe çallma si edhe gamile që përtypeshin, të urta, por edhe të paparashikueshme. Arabët u afruan dhe arabonin me Xhonin.

 

- Çfarë bëhet këtu, Xhon? - pyeti Oriana.

 

- Po të doni mund të bëni një xhiro me gamile ... për ... 25 dollarë.

 

Orioni pa nga Oriana.

 

- Të vish deri këtu, shpirti im ... - tha Oriana pa e mbaruar mendimin.

 

Orioni e tërhoqi nga krahu disa hapa.

 

- Zemër, kam frikë. Je në muajin e katërt. Mua nuk ma mban për vete.

 

- Orion, nëse Jona është hyjnore, dhe unë tashmë e besoj, atë dhe ty, është hyjnore deri në fund. E ndiej që çdo gjë do të shkoj mirë. Por merr edhe ti një gamile.

 

- Si ta mendosh ti, zemër. Unë nuk jam edhe aq trim, por për ty po e bëj këtë “sakrificë”, - tha Orioni si me të qeshur. Por vërtetë nuk ia mbante. - Shiko, zemër, po të erdhi ndonjë erë e dyshimtë rrugës ...

 

Oriana qeshi me gjithë shpirt. Të dy shkuan tek Xhoni.

 

- Oriana do një Porsh të vogël, mua më bëj një Rolls.

 

Xhoni qeshi dhe ia përktheu arabëve që qeshën arabçe.

 

Oriana kishte përpara një gamile në këmbë. Papritur, gamilja përkuli vetëm një këmbë dhe kokën sikur ta nderonte dhe ndenjti ashtu në një heshtje solemne. Arabët filluan të thoshin “allah - allah!”. 

 

- Xhon ... - bëlbëzoi Orioni.

 

- Magjike, - tha Xhoni.

 

Oriana kishte mbetur aty pa fjalë, përpara gamiles së gjunjëzuar. U duk sikur gjithçka ngriu për një çast, pastaj Oriana zgjati dorën dhe përkëdheli kokën e gamiles. Gamilja papritur lëvizi dhe u ul në të katër këmbët. 

 

- Hajde, - i tha, - Orioni që doli i pari nga situata, - hajde të të ndihmoj të hypësh.

 

Oriana hypi dhe gamilja u ngrit ngadalë dhe me kujdes. I zoti e mbante prej litari. Pastaj hypi edhe Orioni që dukej qartë që kishte frikë.

 

- Unë nuk shquhem për ndonjë trimëri të madhe pa le të hiqem si i tillë, - bërtiti Orioni.

 

Gamilja u ngrit nga toka në këmbë dhe atij i dukej sikur një ashensor fare i pasigurtë i jashtëm po ngrihej nga toka. Dhe ja, tek ishte në katin e dytë. I dukej sikur toka i ishte larguar në një largësi aspak mirëndjellëse. Hapat e para dhe priste të binte nga çasti në çast. Mbahej fort i mbledhur grusht. Ishallah nuk e kuptonte gamilja që kishte një rrotë myzeqari lart mbi kurriz, se ishte shumë fyese për të. Këto mendonte, ndërsa shikonte se sa mirë mbahej Oriana. Një egjiptian po i filmonte dhe fotografonte. 

 

U çlirua disa çaste më vonë sepse i erdhi goja.

 

- Zemëëër, - po të bien copa Oriane nga prapa.

 

- Po më vjen erë, - nuk ia përtoi Oriana.

 

Orioni qeshi me të madhe, i çliruar, i magjepsur nga gjithçka që po ndodhte. Po, pikërisht kur po i dukej vetja si një mamluk që kishte lindur mbi gamile, ajo ngriti befas kokën, shkëputi litarin nga duart e të zotit, dhe ia theri vrapit. Orioni mendoi se kaq ishte dhe bërtiti pa vetdije: “Ku e ka rripin e sigurimit?” Por askujt nuk i erdhi për të qeshur. Shala kishte një të ngritur druri përpara për t’u mbajtur dhe ai e kishte mbërthyer me të dyja duart. Gamilja nuk ishte shumë shpejt se po i ngjitej një dune të vogël. Orioni mendoi të hidhej, por poshtë nuk e priste rërë, por një taban i fortë ranor. 

 

“Tani do më bien mua copa rrobash e copa trupi mbrapa,” mendoi ai.

 

Nga prapa u dëgjua një hingëllimë gamileje dhe gamilja e Orionit ngadalësoi vrapin dhe pastaj ndaloi. Nga prapa po vinin me vrap i zoti i gamiles dhe arabë të tjerë me në krye Xhonin. Të gjithë të shqetësuar. Por shqetësimi më i madh ishte në sytë e Orianës që shpejt u shndërrua në lotë.

 

- Oriana! - bërtiti Orioni me sa zë që kishte. - Të dua shumë, buzëqeshja ime, të dua sot e të gjithë jetën e mbetur! Le ta dëgjojë Egjipti, shkretëtira, Nili dhe piramidat le t’ia përcjellin universit! Të dua!

 

- Edhe unë të dua shumë, ëndrra ime, mrekullia ime! - tha me vete Oriana duke marrë frymë thellë.

 

Gamilet u ulën dhe ata të dy zbritën. Oriana u kthye nga gamilja e saj. Gamilja zgjati kokën nga vajza dhe e mbështeti mbi rërë, symbyllur. Përsëri një ngrirje e kohës. Përsëri Oriana zgjati dorën dhe e përkëdheli gamilen në kokë. Gamilja hapi sytë.

 

Orioni pagoi dollarët dhe u nisën drejt makinës së tyre.

 

- Ku e gjen gjithë atë humor, zemër? Çfarë rripi sigurimi kërkoje mbi gamile?

 

Të dy qeshën.

 

- E pe se si gamilohet gamilja? - vazhdoi Orioni.

 

- E, po, - bëri Oriana, - më fute frikën dhe ...

 

- Çfarë?

 

- Ndjeva Jonën tonë, shpirti im.

 

- Oh, ç’gjë e bukur! Si ...? 

 

- Më vonë të tregoj.

 

Orioni e kapi nga dora dhe ashtu hynë në makinë. 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00