Home | Literature | Në Venedik

Në Venedik

image Lira Bojku
Piktura e fundit e nuses me trëndafil në kokë ishte e pa përfunduar. Besoj se ju thash më herët se nusja ishte piktore. Piktura ndodhej në dhomën e saj të pikturimit, dhomë kjo përplotë piktura, fletë të bardha, ngjyra, shkaravi, e brusha te derdhura... gjithçka ishte e ngatërruar dhe vetëm ajo mund t'i gjente gjërat në atë dhomë.

 

 

 

Nga Lira Bojku

 

 

 

 

U linda apo u martova s’e di,  por e di sigurt që ndodhi në Venedik

 

Isha në barkun e nënës, ajo ishte shtatëzënë me mua dhe sapo kishte hyrë në muajin e nëntë. Ishte qershor dhe babai ishte në dilemë vallë a të ma venë emrin Qershore sepse sipas të gjitha gjasave për mos të thënë sipas fjalëve të mjekut do lindja javën e parë të këtij muaji. Sidoqoftë mua nuk më shpejtoheshte. Edhe pse në horoskop do kisha shenjën e binjakut dhe siç dihet binjakët janë tepër kuriozë, unë çuditërisht nuk ndjeja aspak interesim që ta shoh botën e ta shijoj jetën e pavarur. Pikërisht në atë moment po e trazoja nënën duke e shkelmuar nga brenda barkut e duke mos e lënë që të verë makijazhin rahat para pasqyrës. Bëhej gati për në dasëm ku ishin të ftuar nëna me babain, por rastin e shfrytëzoja edhe unë. Të them të drejtën nëna as që mendonte e aq më pak dëshironte që të paraqitet në një dasëm në at gjendje që ishte, mirëpo martohej anëtar i afërt i familjes dhe s'pranohej një ‘JO’ si përgjige. Në atë çast unë shqelmova më shumë saqë nëna ofkëlloi. Kështu reagova ngaqë më erdhi qesharake dhe e çuditshme ajo që dëgjova kur babai po e lexonte ftesën e dasmës për kushedi të satën herë. Ajo që e bënte këtë ftesë të jashtëzakonshme ishte fakti që në fund të ftesës me gabim ose me qëllim humori shkruante:  –“Ju lutemi me peshqesh”.

 Sidoqoftë ata ishin gati dhe u nisën. Babai ia çeli derën e veturës nënës, por ajo ngurroi për një çast, siç duket ndjeu frikë edhe pse unë i kisha premtuar asaj se nuk e kisha ndërmend të lindja në makinë, e aq më pak javën e parë të qershorit e sidomos jo atë ditë dasme. Më në fund u bind dhe u nisën, babai voziste shpejt ngaqë dhe ishin vonë. Ishte shumë nxehtë, dielli përvëlonte, nuk e di as vetë pse zgjodha që të lind në këtë muaj. Po mirë vallë pse zgjodhi nusja që të martohej në këtë ditë të nxehtë ku lirisht mund te piqeshte si pula në prush?! Them nusja ngaqë nuk ia di emrin vajzës që po martohej. E di vetëm që ishte piktore e talentuar dhe herë pas here merrej me shkrime. Ishte tepër e bukur dhe me vite e dashuruar në dhëndrin i cili ishte një losho që turpërohej e nuk mblidhte guximin që t’i propozonte martesë dashurisë së tij të parë. Duke e njohur se sa hezitonte ai, asnjë nuk besoi kur dëgjoi se më në fund ai ja kishte kërkuar nuses dorën. Në fakt më e çuditshmja e më e pakapshmja ishte se si një vajzë aq e talentuar si nusja mund të dashuronte marrëzisht një djalë të tillë. Dorën në zemër dhëndri ishte djalë i mirë, por nuk krahasohej me vajzën.

 Babai u ndal në semaforin e kuq, falë zotit që u ndez drita e kuqe se me vrullin që ka marrë s’e ndalon askush e as që mendon se mund të shkaktojë lindjen time pa vullnetin tim. Po vallë si ndihet nusja pasi e priti këtë martësë me vite? Unë mendoj se nëse e pret një gjë për një kohë të gjatë dhe vonohet shumë sikur e humb vlerën. Apo ndoshta kënaqësia është edhe më e madhe? Këtë e dinte vetëm nusja! Vallë po e shijonte këtë ditë, ditë kjo e ëndërruar nga të gjitha vashat, ku veshin fustanin e bardhë, nusërojnë duke pranuar sulmin e syve të botës që ndjekin çdo hap e lëvizje të tyre? A ishte e lumtur që më në fund po lidhte jetën me dashurinë e saj të kahmotshme? Në fakt ju s’e dini, siç ju permenda më parë ajo shkruante, dhe pikërisht në atë moment ajo kishte marrë frymëzim për ta vazhduar novelën e saj romantike. Novela që ajo e donte tepër kishte të bëjë sadopak me elemente biografike. Aq shumë vlente ai shkrim për të sa që ajo ja kishte dërguar dhe të dashurit që ai ta lexonte dhe t'i thoshte ca fjalë për atë shkrim që ajo i ishte përkushtuar me muaj.  Aq shumë i kushtonte rëndësi asaj novele, saqë ishte futur thellë në personazhet dhe ngjarjet që zhvilloheshin dhe ndonjëherë identifikohej me to duke ndjekur veprimet e tyre. Pikërisht në ato momente ajo po shkruante vazhdimin e ngjarjes së novelës që titullohej ‘Dasma e Beatriçes’. Nuk e merrni me mend se sa e lumtur ishte që po krijonte një rrjedhë të paparashikueshme të novelës. Kur nusja shkruante zhytej aq shumë sa që harronte kohën dhe ditën. Por këtë ditë ajo martohej prandaj nuk e zgjati shumë. Of për pak do harroja t' ju tregoj se si dukej e si ish rregulluar kjo nuse. Për çudi fustanin nuk e kish të bardhë por të kaltër të çelur. Nuk e di pse kishte vendosur ta bëjë këtë përjashtim ndoshta, ngaqë dhe Beatriçeja kish patur fustanin e kaltër në novelë. Pastaj dëgjova babin se tha që ajo e urrente ngjyrën e bardhë. Sidoqoftë përveç ngjyrës fustani s’dallonte fare nga fustanet e tjera të nusërisë. Ishte po aq i madh, i fryrë e  i jashtëzakonshëm. Flokët i kishte të zëna thjeshtë, por bukur e në anën e majtë kishte vënë një trëndafil të freskët që e stoliste dhe e bënte fytyrën e saj engjëllore edhe më të bukur. Në vesh kish vënë vathë në formë qershije. Dukej shumë thjeshtë por ishte nusja më e ëmbël që mund të kesh parë në Venedik. Po, ceremonia e dasmës zhvillohej pikërisht në Venedik, ndërsa dhëndri do vinte ta merrte me gondolën më të madhe që do gjente. Nuk e di as vetë se si dreqin u nisëm ne me makinë kur Venediku ndodhet mbi ujë?!...

Piktura e fundit e nuses me trëndafil në kokë ishte e pa përfunduar. Besoj se ju thash më herët se nusja ishte piktore. Piktura ndodhej në dhomën e saj të pikturimit, dhomë kjo përplotë piktura, fletë të bardha, ngjyra, shkaravi, e brusha te derdhura... gjithçka ishte e ngatërruar dhe vetëm ajo mund t'i gjente gjërat në atë dhomë. Ajo adhuronte pikturën, çdo pikturë e saj fshihte nje storje në vete, storje që  rrallë kush e kuptonte. Por rrallë herë ajo këtë histori ia zbulonte dikujt. Piktura kish mbetur në gjysmë ngaqë ajo kish humbur frymëzimin dhe nuk dinte si ta vazhdonte, njësoj siç i ndodhte me novelën. Siç duket talentet e saj kishin ngecur, mos vallë e mundonte diçka këtë nuse te ardhshme? Të them të drejtën më pëlqeu kjo pikturë. S'e di as vetë si qëlloi që dera e dhomës së pikturave qe e hapur dhe pata rastin të hyja, natyrisht pa lejën e nuses. Nusja nuk fuste askënd aty, dhe kur pikturonte dëshironte që të jetë vetëm që asnjë mos ta pengojë.  Vajza në pikturë ishte duke nxituar për të mos thënë duke ikur për diku...ishte ikja më e bukur që mund ta shohësh në fletë, por pasi që dora e saj kish ndaluar dhe kish lënë atë pikturë me muaj në atë gjendje, sa do që mundohesha nuk arrita të krijojë një përrallë sado pak të ngjashme me atë të vërtetën që e dinte vetëm autori i kësaj vepre. Pasi u mundova më kot, deshirova që të paktën ta di se vallë kjo vajzë në nxitim a është e lumtur apo e trishtuar, sepse pergjigjja e kësaj do më ndihmonte të kuptoj shkakun e ikjes. Edhe kjo qe e kotë sepse fytyra e vashës nuk dukej. E vetmja gjë që mund të shihje ishin flokët e gjatë të një vashe që po largohet prej teje, dhe vërtet të dukej se ajo po largohej gjithnjë e më shumë.

Venediku është vend shumë i bukur, është vend romantik, nuk di shumë për këtë vend sepse ende s'jam lindur mirëpo më pëlqen jashtëzakonisht shumë... nuk e di arsyen e vërtetë. Pajtohem me nusen që vendosi të bënte dasmën pikërisht këtu. Të jesh në gondolë nën krahun e atij që ta don zemra, të dëgjosh  melodinë e ëmbël të muzikantit të ri që i bie instrumentit vetëm për ju, melodi të cilës i bashkangjitet dhe zëri i pakuptueshëm i valëve, e sytë lirisht mund ta shijojnë pamjen portokalle të ngrysjes së diellit....vallë mund të kalosh një ditë më të mirë e më romantike se në Venedik?! Dyshoj. Nëse nuk pajtoheni dhe nëse s'jeni fort pas romantikës, atëherë kijeni të paktën parasysh të mirën se ndodheni mbi ujë e nëse dhëndri nuk ju pëlqen lirisht mund ta hidhni në ujë.

Dera e dhomës së nuses u hap dhe ajo u shfaq si një kukull e palëvizshme. Ishte tmerrësisht e bukur por nga fytyra e saj vështirë se mund t'i kuptoje ndjenjat që e mundonin në ato momente të ditës së mërkurë, ditë ku ajo do lidhte jetën e saj përgjithmonë me një njeri. Menjëherë dikush iu afrua dhe ia dha buketin e nuserisë. Jo, jo nuk ishin trëndafila të kuq, jo, ngaqë nusja nuk i donte të zakonshmet por ishin lule vjollce. Gjithçka ishte gati, të gjithë prisnin atë që të niseshin. Dhëndri po priste në gondolë më shumë se 15 min. Nusja pa veten në pasqyrë për të fundit herë, mori frymë thellë dhe doli. U dëgjua vetem një grua e cila tha: – ‘Duket shumë çuditshëm Qershorja’.

Dhe dikush tjetër që iu përgjigj- : ‘Shumë e natyrshme sot ajo martohet’.

Ajo që më habiti mua është fakti se nusja paska emrin Qershore... sidoqoftë ja ku po i sheh nusen dhe dhëndrin të hypur në gondolën gjigande të zbukuruar me 500 trëndafila të bardhë. Nga largësia dhëndri nuk mund të shquhej aq mirë andaj nuk di si t'ua përshkruaj atë imazh kaq mahnitës. Ajo e njihte të dashurin e saj më mirë se veten por në momentin që u ul pranë tij në ulësen e gondolës ndjeu një frikë, një ndrojte sikur ta shihte për herë të parë. Iu duk i huaj, tepër i huaj. Ndjente frikë, turp dhe gëzim njëkohësisht. Deshi t’i thotë diçka por nuk i binte asgjë ndër mend. Për një çast si e hutuar i tha – shkrova vazhdimin e novelës që ta dërgova, e di? Si t'u duk?

Ai i tha: – ‘Ah po e lexova...më pëlqeu’.

Ajo nuk e bëri atë pyetje me qëllim që të hapë temë për bisedë, por do të donte që ai të jepte një përgjigje më entuziaste ose në fund të fundit ta pyeste për frymëzimin. Gjithë kjo ishte ndoshta qesharake dhe e kotë por ajo e dëshiroi andaj fjalët – ‘më pëlqeu’ - iu dukën të akullta, të rënda, të kota, një hiç. Për një  çast gjithçka në të ndyshoi, gjithë ato vite në pritje që ai t'i propozonte martesë tani po i dukeshin qesharake, gjithë ai gëzim që ajo ndjeu kur atij iu kujtua të gjunjëzohet para saj tani i dukej e kotë, sikur ishte tepër vonë, sikur  ajo ishte mërzitur dhe asgjë nuk vlente më. Ajo ëndërronte që dikush ta kuptonte atë si artiste, të dinte dhe të donte të dijë gjithçka që ka të bëjë me të dhe për të, çdo pjesë të mozaikut të jetës së saj atij t'i interesonte se në fund të fundit ajo ishte gruaja e tij e jetës apo jo? Pikërisht këtu ajo ndjeu se ai që po qëndronte pranë saj nuk ishte ai që po e kuptonte. Më e keqja ishte se ajo vërtet e dashuronte atë... 

...Gondola që sapo ishte nisur dhe s’ishte larguar më shumë se dy blloqe, ja ku u ndal. Ajo puthi faqen e dhëndrit që po mundohej në shpejtësinë e sekondave të kuptonte se çka dreqin po ndodhte, dhe u hodh nga gondola. Pashë se sa bukur vraponte drejtë rrugës që çonte drejt bllokut te pallateve  ngjyrë jorgovane. Dëgjoja vetëm zërin e dhëndrit të çoroditur që qe ngritur në këmbë dhe bërtiste - Qershore, Qershore ku po shkon? Pse po më le?

T’ju them të drejtën nuk i di saktë detalet e ngjarjes sepse në të vërtet nuk arritëm që të mbërrinim në dasëm, ngaqë s'e di as vet pse por kisha vendosur të lind parakohe...babai ma la emrin Qershore....ç'të bësh ishte muaji qershor dhe...por prit dhe nusja kish po këtë emër atëherë si? Unë? Jo nuk mund të kem qënë unë sepse unë atëherë s’isha e lindur dhe nuk mund të lind dhe të martohem njëkohësisht! E mira është që linda në Venedik.

Eh Venediku, Venediku, edhe në ato momente të dhuronte një pamje fascinuese si sahera... Sidoqoftë në mesin e syve të dasmorëve që habitshëm vështronin kthimin e papritshëm të situatës- ikjen e nuses, dhe në mesin e zërit kumbues të dhëndrit që lutej për kthimin e saj, unë arrita të shoh një pamje të njohur, e tepër interesante... 

Po, që të gjithë po e shihnin Qershoren, atë artiste të talentuar, atë nuse që tani po nxitonte e po ikte për kushedi se ku... ndërsa unë po shihja Qershoren, ato flokë të bukur të një vajze që vazhdimisht po më largohet... ishte pikërisht ajo vetë vasha e pikturës që pashë në dhomën e saj, pikturë kjo e pambaruar...

23.05.2009 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00