Fundi i Pritjes
Edhe e shtuna m’u var në shpirt si një kornizë pa pikturë, shpresës që ti do vish një ditë tani po i vë përsipër një gur.
Nga Ndoc Gjetja
Të shtunë piva shtatë kokrra valium
që të zgjohem vetëm të hënë,
se desha të dielën pa ty ta humb
për ta kaluar sikur s’ka qenë.
Po, ja, e hëna e shumëpritur erdhi
e vonoi të ikë gati një shekull.
Si të shpëtoj tani i shkreti
nga kjo torturë që quhet Nesër?
Dhe gjithë e marta u shtri mbi mua
si oktapod me këmbë të ngrira
ah, pres të më vijë e mërkura
të më clirohet pakëz fryma.
E mërkura më erdhi e iku
më gjeti e më la pa ty,
e enjtja zvarritej porsi kërmilli
e premtja më solli vetëm shi.
Edhe e shtuna m’u var në shpirt
si një kornizë pa pikturë,
shpresës që ti do vish një ditë
tani po i vë përsipër një gur.
Comments (0 posted)
Post your comment