Kurrë më !
Për një çast dëshirova të të kem pranë, jo për të më ngrohur dorën, se tanimë bleva dorëza leshi, por të paktën sa për të ndarë nervozën e këtij mëngjesi të frikshmëm, të ftohtë, të humbisur në stepat e kohës....
Nga Lira Bojku
17 Shtator, e hënë, ora 7 e 40 jam zgjuar herët, por akoma e ndjej veten si në një ëndërr brenda ëndrrës, dhe ja e gjej veten duke hapëruar vrapimthi rrugëve të qytetit që tanimë veç është zgjuar. Trafiku është i ngjeshur, sirenat e veturave të kafshojnë veshët, tollovi njerëzish që vrapojnë për kushedi se ku, një zhurmë disi e padurueshme për ata që sapo janë zgjuar si puna ime. Është e çuditshme se si duken njerëzit në këtë mëngjes, të mbytyr në mendime të thella që me lindjen e diellit. Më ngjan sikur njerëzit kanë marrë me vete një zymtësi që po i shoqëron gjithkund, duken si gjysmë në gjumë e gjysmë të zgjuar, po çe do nganjëherë është njëlloj si ëndrra dhe zhgjëndrra, e ndonjëherë s’duam as të zgjohemi. Uf sa ftohtë, ngrin fare njeriu..., unë sapo kalova vizëbardhat e tani po ec trotuarit në këtë qytet që kam përshtypje se sot është zgjuar mbrapshtë.
Të them të drejtën asgjë s’më len përshtypje, dhe unë shkel disi si me inat, me çizmet e lëkurës që bleva vjet po i shkel dhe shkelmoj levozhgat e gjembosura të gështenjave të egra që janë pa fund dhe që e egërsojnë ende më shumë këtë vend. Ajo që më vjen interesante në keto momente është vetëm të shoh se në ç’drejtim përfundojnë gështenjat pas rrokullisjes së gjatë kur pëlcain nga lëvozhga e tyre... Në fakt më pëlqen ta bëj këtë rrugë edhe pse disi ndihem e humbur... ndjej ftohtësinë e vjeshtës dhe asgjë më s’ka rëndësi, gjithçka është kot përderisa dora ime është akull, dhe përderisa nuk mundem më ta ngroh në xhepin e palltos tënde. Vazhdoj të ec por ndjej një shtyrje të furishme nga ana e djathtë, ishte mesiguri dikush që vraponte të mbërrijë autobusin, nuk arrita ta shoh, vetëm dëgjova : - ‘mos ec në mes të rrugës e hapi sytë’! Më erdhi keq që nuk më kerkoi falje, prandaj më erdhi mirë kur nuk e arriti autobusin i cili më veç kishte ikur tutje.
Po vallë se dinte ai se sytë mund t'i hapësh sa të duash, por njeriu sheh me mend e jo me sy... e mendja ime tani të shihte ty, vetëm ty, por sytë e mi a do të shihnin përsëri? Kot pyesja, ngaqë zemra e dinte përgjigjen, dhe tani po e përsëriste për të njëqindën herë vargun e korbit të Edgar Allan Posë - KURRË MË! Për një çast dëshirova të të kem pranë, jo për të më ngrohur dorën, se tanimë bleva dorëza leshi, por të paktën sa për të ndarë nervozën e këtij mëngjesi të habitshëm, të ftohtë, të humbisur në stepat e kohës....
Comments (0 posted)
Post your comment