Lirika - Sergej Esenin
Fusha me dëborë, sipër hëna ndrin, Vendi im mbuluar gjithi me qefin. Mështeknat me borë po qajnë për pyll. Kush ka vdekur, vallë? Mos kam vdekur unë?
Nga Sergej Esenin
Vjeshta
Korije e dëllinjave rrëpirash shtjedhjet
Vjeshta si pelë qimekuqe kreh jelet.
Dëgjo nën mbulesën ujore përskaj
Trokun e kaltër të patkonjëve të saj.
Era si shenjt me hap të kujdesshëm
Në ballin e udhës ngjit afishe gjethesh
Dhe Krishtit të padukshëm plagët e kuqe
Ia puth mështeknash nëpër kaçube.
Mbrëmje të arta...
Mbrëmje të arta - mbrëmje me hënë.
I ri, i bukur tepër kam qenë
Vitet rrëshqitën larg...edhe pranë;
Ikën të heshtur, shkuan e vanë.
Zemra më ngriu, sytë m'u zbehnë...
Kohë e lumtur! Natë me hënë.
1925
Pëllumbesha e Jordanit
O toka im' e artë,
Si tempull i vjeshtës ndrin!
Drejt qiellit rosat, lartë
Po ngjiten fluturim.
Kjo është ushtri pa numër
E shpirtrave të shndërruar,
Që la qiej në gjumë
Dhe qiellit është drejtuar.
Trishtuar e brengosur,
Një mjellm' u prin përpara.
Mos ti po qan marrosur
Rusia shtegëtare?
Vrapo, vrapo pëhera,
Ç'do gjë ka për të vdekur,
Në këngë kthehet era,
Dhe kënga bie në shekuj.
***
***
Kalimtar, kalimtar jam në botë,
Përshëndetmë gazmore nga larg.
Edhe hëna vjeshtake e ftohtë
Dritën ëmbël mbi mua po zbraz.
S'isha ngrohur nën hën' asnjëherë,
Her' e parë më nxeh kjo freski,
Po jetoj me një shpresë të mjerë,
Se më iku dhe kjo dashuri.
Kjo rrafshirë e solli këtë,
Kjo rrafshirë e kripur me rërë,
Virgjëria e shkelur mbi të,
Pikëllimi i dhimbsur, i rëndë.
Nuk e fsheh, nuk e fsheh unë dot:
Jo veçan, jo të ndarë kështu,
Dashuria të dy na bashkoi
Që të duam atdheun të dy.
shtator 1925
***
Fusha me dëborë, sipër hëna ndrin,
Vendi im mbuluar gjithi me qefin.
Mështeknat me borë po qajnë për pyll.
Kush ka vdekur, vallë? Mos kam vdekur unë?
1925
Comments (0 posted)
Post your comment