Kafazi i kadiftë
Një Kafaz pak prej metali, pak prej letre, pak prej ajri, me letër të trashë e ajër të rëndë. E shoh se më qëndron i veshur për trupi. Ky Kafaz s’më lë as të dalë, as të flas, as të eci, gjegjësisht unë dalë, flas, eci, por jo si dua unë.
Nga Iljaz Osmani
Një Kafaz pak prej metali, pak prej letre, pak prej ajri, me letër të trashë e ajër të rëndë. E shoh se më qëndron i veshur për trupi. Ky Kafaz s’më lë as të dalë, as të flas,as të eci, gjegjësisht unë dalë, flas, eci, por jo si dua unë. Do të thotë; pak dalë, pak flas, pak eci. Ky si u përthëkua përreth meje? Unë e ndërtova? Dikush tjetër e ndërtoi, apo bashkë me dikë tjetër e ndërruam? Kur flas s’ka si unë që e bluan mendimin. Para shikoj përreth, i vë në shërbim sytë, kokën, duart. Ç’të them: kjo është mrekulli, apo diç e keqe imja? Dhe flas. Përsëri bie në kundërshtim me miqtë e mi. Për këte gjithnjë në teh të kujdesit e shoh vetveten. Edhe kur eci, bashkë me Kafazin tim, jam i mbështjellë i tëri me të. Po hapin mund ta bëj, përpak aq sa dua vet. E di për sa s’mund ta lëshoj këmbën? Për një fije, pa të jem i kënaqur me hapin tim! Për këtë më mbetet diç si brengë në mua. Ky Kafaz më rëndon, sepse herë-herë e ngre që mos m’i zë majat e këmbëve. Nuk është i rëndë, po as i lehtë, ka një peshë mesatare. Kodrës kur ngjitem, kuptohet, duhet të tkurrem, të kërrusem. Nuk e kam vështirë, vetvetiu ai mblidhet dhe kështu eci t’i them se çlirshëm, pa mos e penguar veten.Të thuash se në rrugë të gjatë mund të të djersit, por jo. Nuk mund të qahem, sikur jam mësuar me të. Ky ka një të mirë, nuk të përzihet për asgjë. Jo pse s’ka gojë, por ashtu është materiali, i përshtatshëm. Ka raste kur kërkoj ndihmë, ai është i vetmi që s’të thotë: sa të ndihmova! Mendoj se e kam ndihmën e tij, kur s’kam fletë shënimesh, në të i shënoj, me kusht që sa më shpejt shënimet të cilat i ngjes në të duhet t’i nxjerr diku tjetër, sepse vshihen vetvetiu.Përshtypjet me njerëz, takime me ta më zor evidentohen dhe s’ qëndrojnë asnjë ditë. Për habi, një ditë, s’e di as vet, u larguan nga unë. Njerëzit filluan një përshpëritje të fshehtë. M’u bë keq dhe thashë: Pa shiko si njerëzit fshihen, shtiren se bëjnë diçka e s’bëjnë kurgjë. Vetëm shkruajta: BËJMË SE BËJMË DIÇKA!
Për këtë s’ kam konsideratë, jo pse më bënë të kufizuar, të veçantë, po kufizimet që m’ i bën Kafazi janë në dëm tim.Shpresa se në rast reziku, mund të më ndihmoj, këtë s’e kujtoj sepse nuk është ndonjë material i fortë të thuash. E sikur të ishte e të më ndihmonte nga goditjet e hapura, kjo s’paguhej me asgjë.
Në një mbrëmje s’më kujtohet se cila ishte ajo. Dola si zakonisht, s’e di se si u hudha në një turmë të papërshtatshme, ku askush s’fliste me askë.Të gjalla i mbanin mendimet, ashtu mendime të mbështjellura. Secili nofullën e kishte vënë në dorën e djathtë. Shikova sa shikova, duke kaluar përmes turmës,aty në ballë takova piktorin që e njihja bukur mirë dhe e çmoja shumë për talentin që kish. E shikova për t’i kthyer sytë nga unë, ai s’e bëri këtë. Thashë: Ç’është ky gjest? A thua me fjalë e kanë bërë që mos flasin me mua, apo ç’ është kjo? Më shkoi mendja te e paqena. Kështu ndodh që njerëzit për pak e për shumë mos të të flasin, herë trimërohen, herë tremben.U ndava nga turma, duke thënë, B. paska bërë një pikturë të mirë. Ky ku i merr frymëzimet në këto anë? Ku s’ ecet e ku s’shihet, këtu është frymëzimi, e shënova në Kafaz.
***
- B. të takova një natë, s’më fole!
- Gabim e ke, ma ktheu ai, s’kam qenë unë aty, figurativisht po. Atë që ke takuar ka qenë piktura ime…
Comments (0 posted)
Post your comment