* * *
Që shpuritesh me aq gaz Dhe klith hareshëm Nga prekja e flladit! Qëndroj buzë trotuarit Të vetes sime Dhe shoh botën për një çast.
Nga Vladimir Marku
VRAPOJ
Më bie dielli në sy
Dhe mendja më shkon tek ti
Asfalti kurriz delfini
Pse vrapoj s’e di.
Pse vrapoj tërë kohën
Asfalteve të nxehtë
Si qeni kërkon të zotin
Sa del nga kjo jetë?
Ti preke zemrën time
Hiç frikë mos ki
Asfalti kurriz delfini
Pse vrapoj s’e di.
BUZË TROTUARIT TË VETES SIME
Qëndroj buzë trotuarit
Të vetes sime
Rrëketë e mendimeve
Më shpëlajnë të tërin
Në pusetën e kohës
Uji i turbullt derdhet
I pastër e i kthjellët mbetem prapa
Dhe ftohem se zbathur dal
Buzë trotuarit të vetes sime
Kollitem pranë dritareve të botës
Paragjykimet hapen si perdet
Të mëndafshta, dhe të kadifta
Unë i pastër jam
Vonë s’më bëhet
O botë e mbyllur si japrak!
Sytë hedh mbi rrugën me pluhur
Të jetës sime
Ku një zogth shikon me bisht të syrit
Mallkuar qofsh, o zogth
Që shpuritesh me aq gaz
Dhe klith hareshëm
Nga prekja e flladit!
Qëndroj buzë trotuarit
Të vetes sime
Dhe shoh botën për një çast.
I PAGJUMI
Sa grindavece është nata sonte
Dhe hëna lart si dhemb i krimbur
Kollitet nata dhe hundët çfryn
Dhe jeta më pështiroset.
Do të ta shkul atë dhemb të krimbur
Natë e keqe, natë plakë
Flladin ti ma mban erashkë
Nuk ta dua hiç aspak
S’ka më era trëndelinë
Moj plakë e moçme
Me dhembë të rrallë
Xixa ti mund të vesh mbi kokë
S’më bën përshtypje hiç aspak
Çfarë thua ashtu nën hundë
E bezdisur, sy-idhnak
Do të ta shkul atë dhemb të krimbur
Hënën gjysmë do ta flak
Mbi çati asaj në i rëntë
Le t’i bëhet sonte fat.
Hallemadhja nata plakë
Rri të grindemi edhe pak
Sa të vijë Zeusi zjarr
Edhe qiellin ta bëjë flak’.
Comments (0 posted)
Post your comment