Ftesë pajtimi
Sulu ta shtjemë në kurth! T’i vemë ura zjarri përreth, Ta tërbojmë, Valojmë, Po vonuam edhe pak, Afrojmë orën e ajzbergut.
Nga Dhimitër Pojanaku
Ftesë pajtimi
Nxito t’i bëjmë një kurth kësaj mërie!
Tenjos, bren.
Rrëmben të folurat, të parat,
Ndan dhomat, rrugët, plazhet,
Varros kujtimet,
Sajon gabimet.
Sulu ta shtjemë në kurth!
T’i vemë ura zjarri përreth,
Ta tërbojmë,
Valojmë,
Po vonuam edhe pak,
Afrojmë orën e ajzbergut.
Nuk
Nuk shkoj më në varreza.
Të vdekurit.
Tok me të humburit e mi,
(O Zot, u bënë shumë!)
Si një çetë kusarësh,
Babëzitur për jetë,
Do më zënë,
Plaçkitin,
Mund,
dhe
të më therin.
Nuk shkoj,
Nuk e nuk!
Barishtet e gardhit
Lëvizin rrallë.
Majuce si qimet në mjekrat e plakave,
Xigëlojnë pulpat e athëta të hunjve,
Dhe rreken të zgjojnë
tendinat e ngordhura,
kupave të gjurit.
Përfundi,
Dy kërmij brikërcyer,
U kanë në dorë fatin.
(Poezitë janë shkëputur nga libri poetik "Gurët zbardhin natën", ribotuar nga SHA "Pushkin")
Comments (0 posted)
Post your comment