"Fjalët" e Trumcakut
“I lodhun, dhe ma i pakënaqun trumcaku me fat, qëndroj mbi degë”… kështu e fillon shkrimin Migjeni. Shikohet qartë paradoksi që në fillim, ku “trumcaku është i lodhun ma i pakënaqun, por me fat” dhe patjetër që mund të kuptohet se pse kjo shkruhej në prill të 1938-ës, pak para vdekjes së poetit.
Migjeni
Është një fletë e zverdhur e një fletoreje me viza, tipike e kohës në vitet 1938, ajo ku Migjeni ka shkruar një nga momentet e rebelimit dhe filozofisë së një... trumcaku.
Në atë fletë të verdhë të shkruar nga Migjeni në Sanatoriumin italian është pikërisht trumcaku që filozofon së tepërmi, që bën ciu-ciu, por që në momentet e sëmundjes së autorit të madh kalon sipër vizave, shprehje e gjendjes së rënduar të poetit që po jetonte ditët e fundit. Dorëshkrimi gjendet në arkivin e Muzeut të Shkodrës, e ndoshta kjo fletë është edhe “quintesenca” jetësore në filozofinë e Migjenit. Ajo filozofi që ka brenda si rebelimin edhe me natyrën, por edhe me pavdekësinë, e cila në fund të shkrimit është quajtur... eternitas.
“I lodhun, dhe ma i pakënaqun trumcaku me fat, qëndroj mbi degë”… kështu e fillon shkrimin Migjeni. Shikohet qartë paradoksi që në fillim, ku “trumcaku është i lodhun ma i pakënaqun, por me fat” dhe patjetër që mund të kuptohet se pse kjo shkruhej në prill të 1938-ës, pak para vdekjes së poetit. Më tej Migjeni vazhdon: “Me urrejtje shikonte natyrën që s’e krijoj ma artistikisht. Me përbuzje vërente bylbylin. Tashma e kuptoj mirfilli se duhet të vuejë nga fataliteti i gjanave. Kështu tue mendue ndjen një lehtsi trumcaku. Në thellsin e ndergjegjes së tij, filloj të ndjehet fillozof. ( Kish të drejt! Se kush arrin ndër trutë e vet, të jenë i pakënaqun me fat, ai me të vërtetë filloi me bamë fillozofi – dhe një fillozofi ma të vërtetë se çdo tjetër fillozofi). Trumcaku që ka zili bylbylin, pse nuk është artistikisht si ai, ndoshta pamja, apo kënga e tij në krahësim me bylbylin, apo të dyja bashkë, dhe pikërisht mbas kësaj fillon edhe fillozofia. Mos qënia artistikisht në pamje si bylbyli e bën trumcakun të kuptonte fatalitetin e … gjanave!!. Çuditej trumcaku për madhështinë e ndjesive të tija dhe çuditej për fatalitetin e gjanavet. Pse asht trumcak, vetëm pse asht trumcak, nuk mund t’a thotë kangën e bylbylit. Çuditje për padrejtsin e natyrës dhe ish gati të bajë diçka; një kryengritje kundra natyrës!… Por trumcaku fillozof e mundi trumcakun harbut. Me një indiferencë apathike fishklloj dhe flutroj nga dega, nën strehë të pullazit”. Pastaj poeti vazhdon… “dhe aty ia nisi: ciu ciu, ciu ciu, si një fillozof unik dhe faqezi”. Ndoshta ky është momenti që Migjeni rebelohet pse nuk e kuptojnë ose lejojnë, apo edhe pse nuk e lejojnë duke qenë trumcak të këndojë si bylbyl. Mbase bylbyli ka fatin dhe mbase është ai që “e ka mirë me natyrën”… Një interpretim i jashtëzakoshëm i paradoksit dhe dyzimit në fund të jetës së shkurtër, e cila tashmë po i mbaronte. Ishte fundi i historisë që kthente “trumcakun” rebel, në një filozof, sikundër thotë Migjeni.
Comments (0 posted)
Post your comment