Home | Literature | * * *

* * *

image
Ai doli nga një kështjellë milingonash përpara shtëpisë dhe erdhi duke thënë : « Jam këtu » (ose diçka të tillë).

 

 

 

 

 

 

Përkthyer nga Dea J Klosi

 

 

...

Por një i huaj do të kishte mundur të habitet nga lënia e Slatterit për ta marrë përsipër drejtimin e çështjes dhe për të marrë masat e tij për t’i prerë shkurt thashethemet, sepse aty nuk mund të kishte plan të paramenduar, qoftë dhe për mungesë kohe. Për shembull, njerëzit pyesnin veten që përse, kur shërbëtorët e fermës së Dick Turner kishin ardhur ta njoftonin, Charlie ishte ulur t’i shkruante një fjalë serxhentit në vend që të përdorte telefonin, por të gjithë ata që kanë jetuar në fshat e dinë çfarë përfaqëson një thirrje telefonike : ju ngrini telefonin pasi keni bërë me manivelë numrin e rrotullimeve të caktuara, pastaj klik, klik, klik, ju dëgjoni zhurmën e telefonave që ngrihen në tërë distriktin dhe gjithfarëlloj zhurmash të ndryshme. Slatteri banonte pesë milje larg nga ferma e Turnerëve dhe atë vajtën ta njoftojnë shërbëtorët pasi kishin zbuluar kufomën. Por ndonëse duhej vepruar me ngut, Slatteri parapëlqeu ta lerë mënjanë telefonin dhe të dërgojë një vendas që t’i shpinte me biçikletë një mesazh vetjak Denhamit, në zyrën e përgjithshme të policisë, dymbëdhjetë milje larg. Serxhenti dërgoi menjëherë nja gjashtë policë vendas në fermën e Turnerëve, që të fillonin hetimin. Sa për vete, ai vajti në fillim tek Slatteri sepse ca fjalë të mesazhit të tij e kishin intriguar, dhe për këtë arsye ai kishte mbërritur me vonesë në vendin e krimit. Policët vendas nuk kishin pasur pse të kërkojnë gjatë për ta shtënë vrasësin në dorë. Pasi kishin kontrolluar shtëpinë dhe parë shpejt e shpejt kufomën, ende pa u shpërndarë mirë poshtë kodrës së butë mbi të cilën ishte ndërtuar ferma, dhe ata kishin pikasur Moise dora vetë. Ai doli nga një kështjellë milingonash përpara shtëpisë dhe erdhi duke thënë : « Jam këtu » (ose diçka të tillë). Menjëherë, ata ia vunë prangat të cilat kërcitën me një zhurmë të thatë dhe u kthyen drejt fermës për të pritur makinat e policisë. Dhe është atëherë që ata panë Dick Turner tek dilte nga një shkorret aty afër, i shoqëruar nga dy qen të cilët i hungëronin nga pas. Ai dukej si i dalë mendsh, fliste me vete, kthehej në shkorret dhe dilte që aty menjëherë me duar të mbushura me gjethe dhe të bëra pis me dhé. Ata e lanë të lirë të shkonte e të vinte sipas dëshirës, por pa ia hequr sytë. Pavarësisht çmendurisë së tij, ai ishte një i bardhë dhe zezakët, qofshin dhe policë, nuk guxojnë kurrë që të prekin një të bardhë. Po përse djallin vrasësi ishte dorëzuar vetë ? Sigurisht, ai kishte fare pak gjasa të shpëtonte, por ama do të kishte mundur të strehohet në male, të fshihej atje ca kohë apo të kapërcente kufirin dhe të zhytej në territor portugez…

Sidoqoftë, Komisari për çështjet vendase të distriktit duhet të deklaronte më vonë gjatë një koktejli, se kjo sjellje kishte një shpjegim të saktë. Ata që ishin sadopak në dijeni të historisë së vendit apo që kishin lexuar të paktën kujtime, letra misionarësh të parë dhe zbuluesish, duhet t’i kishin pasur ndër duar statutet e shtetit të qeverisur nga Lobengula. Ligjet kishin qenë të rrepta, gjithkush e dinte çka ishte e lejuar apo e ndaluar. Nëse dikush shpallej fajtor për një krim të pashpagueshëm, për shembull, nëse kishte guxuar të prekte njërën prej grave të mbretit, ai duhet të pësonte një ndëshkim të pashmangshëm, dhe lihej i lidhur mbi një kështjellë milingonash, digjej mbi një turrë drush, ose i nënshtrohej një torture tjetër po aq ngazëllyese, dhe vdiste duke përsëritur, në shenjë pendimi : « Kam kryer një krim, e pranoj, më lini të duroj ndëshkimin tim. » Ja që po, tradita donte që fajtori ta përballonte torturën me nënshtrim, dhe fundi i fundit, këtu kishte diçka mjaft të bukur.

Të tilla fjalë duken të shfajësueshme kur dalin nga goja e komisarëve për çështje vendase, të detyruar të njohin disa gjuhë, jo pak dialekte dhe zakone, ndonëse të jetë mjaft e pavendtë dhe me shije të dyshimtë kjo që të admirosh sjelljen e vendasve, por moda ecën përpara dhe nganjëherë është e lejuar të lartësohen zakonet e vjetra, me kusht që përnjëherë më pas të vemë në dukje se sa shumë janë shprishur vendasit më vonë. Kjo anë e çështjes qe lënë pra në hije, ndonëse të mos ishte më pak interesanti. Tekefundit, kishte mundësi që Moise të mos ishte aspak një Matebele ; kuptohet, fakti që ai gjendej në Mashanaland nuk vërtetonte asgjë. Vendasit e kanë zakon të enden nga njëri skaj në tjetrin të Afrikës dhe ai mund të ishte fare mirë me origjinë si nga zotërimet portugeze ashtu dhe nga Nyasaland apo nga vendet e Bashkimit Jugafrikan, dhe fundja, kishin rrjedhur mjaft shekuj që nga sundimi i mbretit të madh Lobengula. Por gjithkush e di gjithashtu se komisarët për çështje vendase kanë gjithmonë prirje t’i referohen si tepër të shkuarës.

...

 

 

 

Fragment nga Romani « Bari Këndon » 

 

(THE GRASS IS SINGING), Doris Lessing

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00