Home | Literature | * * *

* * *

image
Jashtë bie shi edhe fryn erë,

mua s’më troket njeri në derë,

Hapa njerëzish rrugëve tek-tuk,

po dhe hapi i fundit, ja, u zhduk.

 

 

 

 

Nga Piro Kuqi

 

 

 

 

...Shpesh herë zgjohem netëve. Dua të fle. Kujtimet më buisin në kokë. Shikoj draprin e hënës. Ajo varet si një hajmali në gjoksin e qiellit. Jam vetëm me hënën përballë, kaq larg e kaq afër njëri-tjetrit. Dua të zgjas dorën, të rrëmbej draprin e saj dhe të korr kujtimet. Pastaj të fle, të fle… Por, duke kaluar nëpër llagëmin e thellë të natës, vjen frymëzimi. Ai vjen tek unë në mënyrë tinzare, prek si me shkop magjik, kujtimet dhe ato hedhin valle para syve të mi. Dua të thërras në ndihmë, megjithë mushkëritë e mia, gjumin, harrimin. Po ndjej një shtrëngim në gjoks. O Zot! Përse u dashka të rijetoj ato që kam jetuar? Përse u dashka të vuaj sërish ato, që i kam vuajtur njëherë? Mbyll sytë. Po vallja e kujtimeve sillet rreth meje më kryeneçe dhe ironike. Ajo ironizon dëshirën time për gjumë, për harrim. Ajo më sugjeron vetëm një zgjidhje: të kap stilolapsin dhe të shkruaj. Kujtimet nuk duan të vdesin. Në botë çdo gjë vjen një moment dhe vdes. Për mua ky është një moment dhe vdes. Për mua ky është i vetmi ngushëllim. Po kujtimet, duke mos pranuar vdekjen, mohojnë këtë ngushëllim. Ndez dritën. Shikoj pezhishkat e merimangave të varura nëpër qoshe. Vetë nata është një merimangë e madhe dhe unë përpëlitem në pezhishkën e saj. Siç duket kujtimet e dinë këtë, prandaj më nxisin t’i hedh në letër, që të mos vdesin bashkë me mua. Unë orvatem të shkruaj. Hajmalia e hënës që varet në gjoksin e qiellit, sikur varet dhe në gjoksin tim. Kujtimet braktisin vallet dhe vërshojnë mbi letrën e bardhë. Unë dua që të kenë durim, të mbajnë radhë, ashtu siç kishim durim në burg, kur na numëronin rojet, kur ktheheshim nga puna rraskapitëse, ashtu siç mbanim radhë me tasin në dorë përpara kazanit me lëtyrë…' 

 

 

 

ZHGËNJIMI

 

 

 

Jashtë bie shi edhe fryn erë,

mua s’më troket njeri në derë,

Hapa njerëzish rrugëve tek-tuk,

po dhe hapi i fundit, ja, u zhduk.

Të shpëtoj nga çastet e rënda,

shiu, era le të hyjnë brenda.

Hap dritaren: shiu, era ka reshtur;

sërish, bie i zhgënjyer, heshtur. 

 

 

Piro Kuqi (1942 - 2006) 

 

U lind në Tiranë, më 25 Maj të vitit 1942. Kreu shkollën e mesme të përgjithshme dhe një kurs të lartë për gjuhën frënge. Në vitin 1960 u dënua me 4 vjet burg për “agjitacion e propagandë.” Më pas, për motive politike iu hoq e drejta e botimit dhe u pa gjithmonë si njeri “i dyshimtë” nga regjimi komunist. Ka shkruar dhe botuar poezi, tregime dhe ka punuar me përkthime letrare. Ndër veprat e Piro Kuqit, përmenden : 

 

“Botë e përgjakur” (1998);

“Blatimi” (2001);

“O sa lule, o sa ngjyra” (1998).

Netëve - prozë poetike

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00