Home | Literature | Fllad Atdheu

Fllad Atdheu

image
Poshtë shtrihej vendi im. E njoha nga këngëgurgullima e lumenjve. Nga gazi i blertë i fushave. Nga malet që e mbanin, krenarisht, mbi sy qeleshen e bardhë. Dhe plagët m’u shëruan. Tashmë isha i gjallë.

 

 

 

 

Nga Bajram Karabolli

 

 

 

 

 

 

Buzë lumit të zi e të përgjumur Rio de la Plata. Isha i vrarë.

- Ç’bën këtu? - më thotë era që vjen nga lindja.

- Atje dua të shkoj... atje ku është malli im... - fjalët e përgjakura mezi bënin përpara. 

Kështu thashë me fytyrë të kthyer nga lind dielli si nunla e Gavril Darës. 

- Eja të të shpie - thotë era që s’e mban dot vrapin. 

- Ik moj erë. Ti ke rrugë tjetër.

- Kjo është rruga e të mençurve. Udha e Diellit dhe e Hënës. Udha e Ditës dhe e Natës. Pra eja me mua.

Dhe më rrëmbeu era në krahët e saj të gjerë e të rehatshëm.

Përmbi Ande, më pyet era:

- Kush të ka vrarë?

- Mërgimi.

Pastaj me nanurisjen e saj më vuri në gjumë...

- Ngrehu! - më thotë duke më tundur butë.

- Ku jemi?

- Në Shqipëri.

Poshtë shtrihej vendi im. E njoha nga këngëgurgullima e lumenjve. Nga gazi i blertë i fushave. Nga malet që e mbanin, krenarisht, mbi sy qeleshen e bardhë. Dhe plagët m’u shëruan. Tashmë isha i gjallë.

- Ku të të le? - më pyet era.

- Te shtëpia ku u linda. Pranë është një bregore ku të lan veriu në verë. Aty është lëmi... Kur isha i vogël, aty ngisja kuajt që shinin grurin... Aty është gorrica... Ç’gjumë bëja në hijen e saj... Aty më lër... - dhe fjalët pengoheshin e shtynin njëra-tjetrën si në një lojë të gëzuar fëmijësh.

Atje më zbriti era.

Një fëmijë dhjetëvjeçar në hije të gorricës. Shtrirë në kurriz ia kish marrë me gjumë. Ishte i zbathur dhe me këmishë të arnuar. E njoha. Ishte fëmijëria ime...

Flinte fëmijëria ime atje, në hijen e freskët, te gorrica në lëmë. Poshtë tek vidhat këndonte turtulli. Për kë këndon o gushëshkruar?

O Zot! Po pse në ato dhera të largëta e të huaja turtullin e ke bërë memec dhe nuk ia ke qëndisur gushën?...

U shtriva pranë fëmijërisë sime. Më ndjeu dhe buzëqeshi ëmbël në gjumë. Pastaj shtriu dorën e njomë dhe më mori për qafe fëmijërisht e dhembshurisht. 

Aroma e vegjëlisë, përzier me aromën e grurit të saposhirë dhe me atë të djersës së kuajve, më dehën dhe më zuri gjumi... Një gjumë mjegullnajash... Gjumë ëngjëllorësh...

Flija në gjirin e fëmijërisë sime, i nanurisur me këngë turtujsh dhe fllad atdheu.  

 

    

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00