* * *
Ëndërr magjike ! Iluzion i bukur ! Endrra më e pamendueshme që qe ndonjëherë, që njerëzimi ia përkushtoi jetën e vet, për të cilën profetët vdisnin në kryq apo digjeshin të gjallë ; kjo është ëndrra pa të cilën popujt nuk donin të jetonin dhe madje nuk mund të vdisnin. Më është dukur se tërë këtë e kam jetuar në këtë ëndërr.
Përkthyer nga Dea J Klosi
...
« Rreth një vit më parë, duke kaluar nëpër Gjermani, nga hutimi harrova të zbres në stacionin ku duhet të ndërroja trenin. Më thanë të zbres në stacionin tjetër. Ora ishte dy pasdite, dita ishte e kthjellët. Stacioni shërbente një qytezë të vogël gjermane. Treni i radhës duhej pritur deri në njëmbëdhjetë të darkës. Sidoqoftë, s’isha i nxehur me ndodhinë time, sepse s’kisha asnjë ngutje në udhëtim. Më treguan një hotel, të vogël dhe jo fort të rehatshëm, por fundja të rrethuar me gjelbërim dhe ledhe lulesh. Më dhanë një dhomë të ngushtë. Hëngra një vakt të mirë, dhe meqë kisha udhëtuar një natë të tërë, u shtriva nga ora katër dhe fjeta për bukuri. »
« Pashë një ëndërr krejt të papritur, sepse s’kisha parë kurrë diçka të ngjashme. Në muzeun e Drezdenit, figuron një tablo e Claude Laurent, e titulluar në katalog Acis et Galathée, në mos u gabofsha ; kurse unë e quaja Epoka e Artë, pa ndonjë shkak të ditur. E kisha soditur tashmë njëherë, duke kaluar në Drezden. Dhe kjo tablo më doli në ëndërr, jo si një pëlhurë, por si një peizazh i vërtetë. Është një cep magjepsës i Arkipelagut grek : ujëra blu ledhatues, ishuj, shkëmbinj, brigje të lulëzuar, një panoramë magjike në largësi, një perëndim dielli trullosës ; s’kam fjalë për ta përshkruar.
Këtu është djepi i qytetërimit europian ; këtu janë zhvilluar skenat e para të mitologjisë, këtu është parajsa tokësore, këtu kanë jetuar njerëzit fisnikë : zgjoheshin dhe flinin të lumtur e të pafajshëm, gëmushat mbusheshin me këngët e tyre të gëzuara, energjitë e virgjëra digjeshin në dashuri dhe gëzime të çiltëra… Dielli lante me rrezet e tij ishujt dhe detin, i lumtur që rrëzëllinte mbi fëmijët e vet të bukur.Ëndërr magjike ! Iluzion i bukur ! Endrra më e pamendueshme që qe ndonjëherë, që njerëzimi ia përkushtoi jetën e vet, për të cilën profetët vdisnin në kryq apo digjeshin të gjallë ; kjo është ëndrra pa të cilën popujt nuk donin të jetonin dhe madje nuk mund të vdisnin. Më është dukur se tërë këtë e kam jetuar në këtë ëndërr. S’mund ta them saktësisht se ç’kam ëndërruar, por e shihja ende shkëmbin, detin dhe rrezet e pjerrta të diellit perëndues kur u zgjova dhe hapa sytë e mbytur në lot, për herë të parë në jetën time. Një ndjenjë lumturie e panjohur më parë, ma mbushte zemrën deri në dhimbje. »
...
Fragment nga " TROKITJET...", novela të Andrejev, Arcibashev, Babel, Dostojevski, Turgeniev.
Comments (0 posted)
Post your comment