Plloshtani: " Media duhet të flasë më gjuhën e duhur "
Leximi është çështje e ndërlikuar, jo vetëm sot, por edhe më herët është konsideruar si një art i ndërlikuar që kërkon arsye dhe inteligjencë për të kuptuar thelbin.
Nga Dea J Klosi
Klosi News: Flitet gjithnjë e më shumë për letërsinë, bëhen emisione mbi përkthime e dhënie çmimesh, e gjithmonë thuhet se s'po lexohet. Cila është analiza juaj për këtë moslexim ? A ekziston vërtet si problem apo është thjesht një përshtypje e gabuar ?
B. Plloshtani: Leximi është çështje e ndërlikuar, jo vetëm sot, por edhe më herët është konsideruar si një art i ndërlikuar që kërkon arsye dhe inteligjencë për të kuptuar thelbin. Leximi është art, që duhet të ngarkojë arsyen dhe logjikën për të shpërndarë mjetin e pikëpamjeve të autorit mbi një çështje të ndryshme shoqërore dhe politike. Të lexosh duhet në radhë të parë dhe të kuptosh, nëse të kuptuarit ndodhet larg kornizës, atëherë leximi mbetet i mangët. Sot duhet ta kemi parasysh që jetojmë në një kohë krizash të ndryshme shoqërore, ku ekzistenca duket më tepër si një sfidë, se sa një kalim i zakonshëm; ndaj dhe leximi në njëfarë mënyrë është tretur pabesisht. Vetë koha është armiku ynë, që na shpie drejt të pakëndshmes. Ky ndikim mendoj se i ka rrënjët sot tek të jetuarit me hapin e shpejtë të kohës. Arritjet letrare dhe shkencore kërkojnë përkushtimin substancial dhe kohë ndaj pavarësimit të kohës dhe ekzistencës që të imponohet. Globalizimi dhe moderniteti mund të ketë depërtuar në një formë tjetër për të ndikuar gjithnjë e më larg leximit, ngase shoqëritë në këtë kohë përjetojnë çështje delikate të ekzistencës së tyre. Ky ndryshim mbi konceptin e librit dhe leximit në përgjithësi i orienton drejt çështjeve sociale, politike dhe ekonomike. Duhet të jetë e vërtetë që leximi kohët e fundit është kthyer përmbys, dhe për më tepër shoqëritë janë vendosur mbi problemet e çështjes private, se sa drejt çeshtjeve që mund të ushqehen shpirtërisht. Fundja, ekzistojnë madje gjithnjë kanë ekzistuar mendime të ndryshme mbi leximin, por realisht leximi mbetet prioritet i atyre pak individëve që kërkojnë gjithnjë e më shumë ndryshimin tek vetja, dhe përsosjen mbi normat e ideve që tentojnë më shumë kah reformimi i qëllimit mbi ekzistencën.
Klosi News: Gjithashtu, flitet për problemin e botimeve, se ato lenë për të dëshiruar, janë të shpërndara dhe pa një bosht. Ç'letërsi keni ndjekur së fundi nga shtëpitë botuese ? A përkon ajo me pritjet apo me ndjeshmërinë tuaj letrare ?
B. Plloshtani: Gjithkund, e sidomos në vendet e rajonit ekziston dilema e botimeve serioze dhe intelektuale, pasi politika ka shtrirë ndikimin e saj për interesat e një grupi të caktuar njerëzish. Ka raste që botimet paraqiten si mundësi për përfitime vetjake, në vend që botimet të konsiderohen si vlerë intelektuale që me gjasë të ndikojnë në ngritjen e vetëdijës dhe kulturës së një populli. Çdo botim intelektual duhet të pasqyrojë ndikueshmërinë dhe reformimin e bindjeve, nëse ky ndikim është i paktë, atëherë kemi të bëjmë me botime që shpërndahen dosido. Një libër që sjell ëndje për të pamundurën mund të lexohet me pasion, duke qartësuar me vete ndryshimin e gjendjes shoqërore, përmirësimin dhe ngritjen e vetëdijës e kështu me radhë. Në anën tjetër botimet rastësore janë përballje e kohës sonë, që ndikojnë vetëm mbi ekzistencën e disa autorëve që janë kureshtarë të parapëlqehen nga vetja dhe turma. Mirëpo, realisht këto botime nuk janë jetëgjatë, pasi nuk i shërbejnë shoqërisë elite, qendrave të ndryshme letrare dhe akademike dhe fill përfundojnë pabesisht mbi çdo bindje. Sot përballemi më tepër me botime që nuk na kultivojnë idetë e reja, pra nuk sjellin ndryshime thelbësore ideore, politike, morale, por e tendojnë harkun. Kohët e fundit kam ndjekur letërsinë e huaj, pasi ka disa tituj që vërtet mund të të ndryshojnë bindjet dhe gjithçka tjetër e pazakontë. Jo gjithmonë shijet letrare ndodhen tek na pasqyrojnë të vërtetën, por gjejmë modelin e gjuhës së përbashkët me autorë të huaj të preferuar, që na diktojnë ëndjet e pamundura.
Klosi News: Duket se problemi i botimeve të autorëve shqiptarë ka hyrë në një errësirë thuajse të plotë. Media nuk po i pasqyron si duhet këto botime dhe marrëdhenia mes autorit dhe lexuesit duket se është ndërprerë . A mendoni ju se dukshmëria e librit në peizazhin shqiptar mund të kryhet vetëm nëpërmjet internetit (forume, blogje, rrjete sociale, etj.) ?
B. Plloshtani: Mediat e kanë për mision ose për detyrë që kulturës t'i përkushtohen dhe t'i flasin me gjuhën e duhur, pasi kultura është ajo që na kultivon dhe identifikon. Sot problemi i medias është bërë interesi i çështjes, duke u kthyer më shumë drejt politikës dhe aktualitetit, se sa kulturës në përgjithësi. Ndonëse, në disa media është vërejtur mjaft mirë varshmëria kronike e tyre me pushtetin, duke u diktuar më tepër në interesa të imta politike, ku përfitojnë ndikim për dallim nga pushteti. Ky problem është kthyer në një realitet të ri, që vështirë se mund të rigjenerohet. Dhe nga kjo nismë mund të thuhet lirisht se problemi i botimeve të autorëve shqiptarë mund të ketë hyrë në një errësirë të habitshme, ku nuk dihet se ku mund të kërkohet misioni për ta rikthyer ndikimin e botimeve të autorëve shqiptarë në këtë realitet të ri. Politika ka depërtuar në shumë pore të jetës shoqërore, saqë shumëkush sot është bërë ndryshe nga realiteti i tij. Prandaj, politika ushtron ndikimin e saj në shumë sfera, dhe kështu kultura, libri, teatri, opera janë bërë veçse një shprehje pakuptim, që vështirë se gjejnë përkrahje financiare për t'i nxjerrë në dritë. Nuk dua të besoj se dukshmëria e librit mund të kryhet përmes rrjeteve sociale, forumeve, rrjeteve të ndryshme, pasi nuk zgjon interesin dhe peshën e medias këto paraqitjet e fundit, edhe pse hyjnë në dukshmërinë e nevojshme të librit dhe autorëve shqiptarë.
Klosi News: Ç'mendim keni ju mbi disa ide apo opinione që hidhen here pas here mbi ndihmesën që Ministria e Kulturës duhet t'i japë librit ? A duhet që kjo të kalojë përmes financimesh rastësore (që mbase mund të keqpërdoren) apo te bëhet nëpërmjet rregullimeve ligjore për t'i dhënë frymë marrje vetë industrisë së librit ?
B. Plloshtani: Realisht idetë e mia mbi funksionimin e politikave aktuale të Ministrisë së kulturës ndaj librit ndodhet pranë një humnere që t'i errëson sytë papritur. Brenda meje qeverisen ide të ndryshme që aspak nuk përputhen me politikat aktuale të menaxhimit me librin cilësor, pasi institucioni i Ministrisë së Kulturës nuk ka ide për hartimin e projekteve për përkrahjen e botimeve cilësore të autorëve që kanë dhënë gjurmë për kulturën në përgjithësi. Mund të them se gjendja është mjaft e palakmueshme, pasi vetë dikasteri ku menaxhon me kulturën përbëhet nga njerëz që nuk kanë pikën më të vogël të kulturës, botimeve. Menaxhimi i fondeve për kulturë, veçanërisht në vendet e rajonit po përkeqësohet. Shembull, të marrim Ministrinë e Kulturës në Maqedoni, menaxhimi i fondeve për botimet bëhet në mënyrë joracionale dhe aspak korrekte, pasi aty vendosen njerëz në komision që kanë shumë pak njohuri për vlerat e vërteta të titujve dhe autorëve. Pastaj menaxhimi me fondet është tejet diskriminues, dhe krejt në fund ndikimi i pushtetit e bën edhe më të hidhur situatën.
Në fakt Ministria e Kulturës është institucioni kyç që mund ta integrojë në bazë të politikave të saja librin dhe shpërndarjen e saj. Ky institucion duhet të jetë i angazhuar mbi botimet cilësore që i shërbejnë shoqërisë si vlerë intelektuale, dhe të parandalojë mundësitë e financimeve rastësore që eventualisht mund të ishin bërë. Konsideroj se financimi i botimeve përmes rregullimeve ligjore mund të sjellë një pikëpamje të re mbi modelin e botimeve cilësore, bashkëpunimet me autorë që sjellin vlera intelektuale shoqërisë e më gjerë, pasi botimi që realisht duhet të jetë cilësor më së pari duhet të kalojë nëpër filtra, dhe ndëkohë vendoset në komisione profesionale mbi çështjen konkrete të librit. Sidomos, jam i mendimit që Ministria e kulturës, pos që duhet të jetë përkrahëse dhe zbatuese e politikave për botim cilësor, ajo para së gjithash duhet të angazhohet më tepër edhe në parandalimin e veprave që në të shumtën e rasteve janë plagjiaturë dhe nuk i arrijnë parakushtet më thelbësore për botim.
Klosi News: Le të kalojmë në pak gjëra vetjake. Cili është botimi juaj i fundit dhe a mund të na flisni diçka mbi të ? Ç'trajton, dhe nga ka marrë fill kjo vepër ?
B. Plloshtani: Në proces kam botimin e një libri nga kolana e filozofisë politike, që përpiqet të trajtojë kryesisht ese të karakterit filozofik dhe politik, me theks të veçantë politikat e Ballkanit. Në përbërjen e eseve filozofike sjell botëkuptimet ndërmjet moralit dhe politikës dhe një hulumtim modest mbi modelin që kam ndërtuar mbi Politikanin e rastit dhe Politikanin ideal. I pari është i prirur për më tepër ndaj çështjes vetjake, ndërsa i fundit i interesuar për më tepër për t'u marrë me trajtimet dhe fenomenet e përgjithshme që e tangojnë shoqërinë në përgjithësi. Në përbërjen e eseve politike sjell botëkuptimet e një politike me standardet demokratike të qeverisje së mirë të shtetit me institucionet, dhe qasje të ndryshme mbi politikat ballkanike, sfidat e tyre politike deri te integrimet euro-atlantike.
Klosi News: Ju falemnderit !
B. Plloshtani: Është kënaqësi!
Comments (0 posted)
Post your comment