Intervistë me Artan Gjyzel Hasanin
Uroj që epoka e internetit t’i çojë drejt zhdukjes këto specie dhe bashkë me to edhe institucionet letrare parazitare si juritë, çmimet, festivalet e panairet. Lexuesi është juria e vërtetë dhe çmimin ta jep Koha.
Nga Dea J Klosi
Klosi News: Flitet gjithnjë e më shumë për letërsinë, bëhen emisione mbi përkthime e dhënie çmimesh, e gjithmonë thuhet se s'po lexohet. Cila është analiza juaj për këtë moslexim ? A ekziston vërtet si problem apo është thjesht një përshtypje e gabuar ?
Artan Gj. Hasani: Mendoj se lexohet shumë nga lexuesit e thjeshtë dhe pak nga ata që institucionalisht e profesionalisht e kanë për detyrim të jenë në kontakt me letërsinë bashkekohore shqipe dhe risitë e saj. Eshtë një bindje e fortë e imja që në fakt do doja të ishte ndryshe me kalimin e viteve. Por kalimi i viteve veç e përforcon këtë . Çmimet letrare, juritë e tyre, bordet e ministrisë që merren me zhvillimet letrare dhe promovimin e vlerave letrare, studio televizive, faqet letrare të mediave të shkruara , dhe natyrisht edhe botuesit dhe sistemi i botimeve në Shqipëri, për mendimin tim, e kanë kaluar fazën e të qënurit qesharakë dhe tashmë ndodhen në stadin e neverisë. Problem nuk është të lexuarit e librave si një sport masiv mbarëkombëtar, por prania e klikave që prej kohësh kanë vënë një postbllok në portën që normalisht duhet të jetë e hapur veç për letërsinë e mirë. Trau i atij postblloku ngrihet veç për miqtë dhe shokët , por kurrë për dikë që ndodhet jashtë sektit dhe klanit. Të krijohet përshtypja që çmimet letrare në Shqipëri shpërndahen nga llozha të fshehta masonike. Por në ndryshim nga masonët origjinalë , këta “masonët” tanë të jurive e bordeve letrare janë persona të njohur publikë pasi ua lexojmë emrat dhe ua shohim fytyrat kudo, por në ndryshim nga masonët e vërtetë i fshehin nga sytë e lexuesve pazarllëqet e tyre në kurriz të asaj që duhet të ishte letërsi e mirë. Dhe kështu krijohen e prodhohen artificialisht autorë “të mëdhenj”, poetë “të mëdhenj”, përkthyes “të mëdhenj” dhe natyrisht, edhe “bestseller”-at shqiptarë. Kjo është njëra anë e medaljes. Ana e dukshme që promovohet kudo e ngado nga vetë klanet që kanë uzurpuar letërsinë bashkëkohore shqiptare. Dikur këtë e bënte diktatura me çensurën e saj ideologjike, sot e bën klani dhe “shoqnia” e vet. Shqipëria mund të jetë i vetmi vend në botë ku të gjithë fituesit e çmimeve dhe anëtarët e jurive dhe gazetarët e kulturës apo pjestarët e bordeve të kulturës janë miq e shokë mes tyre. Nganjëherë edhe të ngushtë fare. Ka dy gjëra këtu: ose kanë qenë të gjithë shokë fëmijërie të rritur në një lagje e qytet, gjë që nuk më rezulton e tillë, ose janë bërë miq e shokë nga interesa të pastra abuzive siç janë çmimet dhe promovimet.
Klosi News: Gjithashtu, flitet për problemin e botimeve, se ato lenë për të dëshiruar, janë të shpërndara dhe pa një bosht. Ç'letërsi keni ndjekur së fundi nga shtëpitë botuese ? A përkon ajo me pritjet apo me ndjeshmërinë tuaj letrare ?
Artan Gj. Hasani: Botimet e librave janë një aktivitet tregëtar i botuesve me qëllim rritjen e fitimeve të tyre. Nuk di ndonjë botues shqiptar që “t’i digjet xhani” për zhvillimet letrare në Shqipëri. Nuk kam ndonjë iluzion në lidhje me dobishmërinë e botuesve. Pronarët e shtypshkronjave janë shumë më dinjitozë se botuesit. Të dy të marrin paratë kundrejt çmimit të vënë , por në ndryshim nga të parët , të dytët shumëfishojnë fitimet në kurriz të autorëve dhe në dëm të letërsisë së mirë. Diku i kam quajtur “hiena të librit” dhe i qëndroj atij mendimi. Nuk janë botues. Janë libraxhinj. Siç kemi tregëtarë sapuni, qoftesh, makinash, llamarinash, teneqesh, kemi edhe tregtarë librash. Kam preferuar të mos kem botues, por lexues. Më mirë të pasuroj falas shpirtin e dikujt që i pëlqen letërsia, se sa të mbush xhepat e botuesve matrapazë shqiptarë. Uroj që epoka e internetit t’i çojë drejt zhdukjes këto specie dhe bashkë me to edhe institucionet letrare parazitare si juritë, çmimet, festivalet e panairet.
Lexuesi është juria e vërtetë dhe çmimin ta jep Koha.
Klosi News: Duket se problemi i botimeve të autorëve shqiptarë ka hyrë në një errësirë thuajse të plotë. Media nuk po i pasqyron si duhet këto botime dhe marrëdhenia mes autorit dhe lexuesit duket se është ndërprerë . A mendoni ju se dukshmëria e librit në peizazhin shqiptar mund të kryhet vetëm nëpërmjet internetit (forume, blogje, rrjete sociale, etj.) ?
Artan Gj. Hasani: Interneti është vitrina më komode e librit. Brenda pak çastesh mund të lexosh cilindo autor të huaj apo shqiptar. Në internet nuk ndjehet dhuna e marketingut të mediave dhe botuesve, jurive dhe panaireve. Fatmirësisht në internet nuk ka bestsellers. Me pak përkushtim kohor mund të gjesh letërsi të mirë.
Por kujdes evazionin: Facebook gëlon nga lloj lloj “autorësh”. Zakonisht ky takëm njerëzish nuk është aq inteligjent sa të ndikohet natyrshëm nga vepra e dikujt. Jo. Ata e gjejnë më të udhës të vjedhin vargje, metafora, figuracion, ide online nga autorë të çertifikuar nga koha dhe me paturpësi e arrogancë ta paraqesin forcërisht si të tyren atë që është karrikatura e origjinalit të dikujt tjetër. Kjo dukuri është sa e neveritshme, aq edhe e pashmangshme në këtë epokë virtuale shqiptare, ku çdo ditë lind një libër kopil, bashkë me prodhuesin e vet që mund të jetë një poeteshë e re apo një romancier i ri.
Klosi News: Ç'mendim keni ju mbi disa ide apo opinione që hidhen here pas here mbi ndihmesën që Ministria e Kulturës duhet t'i japë librit ? A duhet që kjo të kalojë përmes financimesh rastësore (që mbase mund të keqpërdoren) apo te bëhet nëpërmjet rregullimeve ligjore për t'i dhënë frymë marrje vetë industrisë së librit ?
Artan Gj. Hasani: Mendoj se Ministria e Kulturës mund t’i japë ndihmë vetëm librit si mall dhe botuesit/autorit si tregëtar i këtij malli dhe jo librit si letërsi, pra industrisë së librit dhe jo artit të të bërit letërsi. Ndihma e shtetit, jurive, botuesit, panaireve mund të prodhojë në rastin më të mirë një bestseller, por kurrsesi një letërsi të mirë. Kjo nuk është domosdoshmërisht diçka për të cilën duhet të trishtohemi. Jam i bindur se pjesa më e madhe e masës së lexuesve shqiptarë preferon më shumë një bestseller fitues çmimesh dhe panairesh, se sa një letërsi të mirë të pashpallur. Të bërit letërsi është një akt thellësisht individual dhe zhvillohet larg syve të publikut dhe syzeve të qeverisë dhe institucioneve apo jurive.
Klosi News: Le të kalojmë në pak gjëra vetjake. Cili është botimi juaj i fundit dhe a mund të na flisni diçka mbi të ? Ç'trajton, dhe nga ka marrë fill kjo vepër ?
Artan Gj. Hasani: Libri im më i ri është vëllimi poetik “Prandaj”, i cili del këto ditë në qarkullim. Një përmbledhje poezish të dy viteve të fundit. Janë poezi që depërtojnë anën e panjohur të vetvetes, por ndryshe nga herët e tjera, bëhet fjalë për një nënshtrim të butë të unit rebel.
Vetë titulli të shtyn të mendosh se bëhet fjalë për një shfajsim poetik për gjëra që s’i bëmë dot si ç’donin të tjerët apo që duhet t’i bënim ndryshe.
Klosi News: Ju falemnderit !
Comments (0 posted)
Post your comment