Home | Literature | Bretkosa e Kuqe

Bretkosa e Kuqe

image © Drita Klosi / Klosi News
Largohet nga bregu. Vështron mullarin e kashtës. Mullari ngrihet i palëvizshëm, buzë ujit.

 

 

 

Përkthyer nga Urim Nerguti

 

 

Mulliri është memec. Memece, muret dhe çatia. Rrotat gjithashtu. Windisch ka shtypur mbi çelësin dhe fikur dritën. Bën natë ndërmjet rrotave të mullirit. Errësira ka përpirë pluhurin e miellit, mizat dhe thasët.
Roja e natës është ulur mbi një stol. Fle. Gojëhapur. Sytë e qenit shndrisin nën stol.
Windisch përpiqet me duar dhe gjunjë të mbartë thesin. E mbështet përkundër murit të mullirit. Qeni vështron dhe i hapet goja. Dhëmbët e tij të bardhë përvijojnë një kafshim.
Çelësi rrotullohet në bravën e mullirit. Brava kërcet nën gishtat e Windisch. Ai numëron. Ndjen tëmthat e tij që rrahin dhe thotë me vete : « Koka ime është një lavjerrës. » E fut çelësin në xhep. Qeni leh. « Do t’i jap derisa të thyhet susta », thotë ai me zë të lartë.
Roja e natës rras kapelen e vet mbi kafkë. Hap sytë, i hapet goja. « Ushtar, të rrimë në gatishmëri », thotë ai.
Windisch shkon deri tek pellgu pranë mullirit. Mbi breg, ka një mullar kashte. Njollë e zezë në sipërfaqe, ai fundoset në ujë si një hinkë. Windisch nxjerr biçikletën nga mullari.
« Ka një mi në kashtë », thotë roja e natës. Windisch mbledh fijet e humbura të kashtës mbi shalë. I hedh në ujë. « E kam parë, thotë roja, ka kërcyer në ujë. » Fijet e kashtës lundrojnë si flokë. Uji rrëqethet dhe i kthen prapa. Masa e errët e hinkës lundron. Windisch vështron shëmbëllimin e vet që edhe ky turbullohet.
Roja e natës jep një shkelm në barkun e qenit që angullin. Windisch vështron hinkën dhe dëgjon angullimat në fund të ujit. « Netët janë të gjata », thotë roja. Windisch zmbrapset një hap. Largohet nga bregu. Vështron mullarin e kashtës. Mullari ngrihet i palëvizshëm, buzë ujit. Nuk lëviz. Nuk ka asnjë lidhje me hinkën. Ai është i kthjelltë, më i kthjelltë se nata.
Dëgjohet fëshfërima e gazetës. « E kam stomakun bosh », thotë roja. Shpështjell sallamin dhe bukën. Thika i shndrit në dorë. Mbllaçitet. Kruan kyçin e dorës me tehun e thikës.
Windisch ecën duke shtyrë biçikletën. Vështron hënën. Roja i thotë me zë të ulët, ndërkohë që mbllaçitet : « Njeriu është një fazan i madh mbi tokë. » Windisch ngre thesin dhe e vë mbi biçikletë. « Njeriu është i fortë, thotë ai, më i fortë se kafshët. »
Një cep i gazetës dridhet në dorën e erës. Roja vë thikën mbi stol. « Kam fjetur pak », thotë ai. Windisch është përkulur mbi biçikletë. Ngre kokën. « Dhe të kam zgjuar unë ?
– Jo, nuk je ti, është ime shoqe që më ka zgjuar.
Roja shkund thërrimet nga xhaketa. « E di mirë se nuk do të më zinte gjumi, vazhdon ai. Hëna është e plotë. Kam parë në ëndërr bretkosën e tharë. Isha i shterruar, në gjendje as për t’u shtrirë. Bretkosa e kuqe ishte në shtratin tim. I kam folur gruas sime dhe është bretkosa që më ka vështruar me sytë e gruas. Njëlloj si ajo, bretkosa kishte një gërshet. Mbante veshur këmishën e saj të natës të përveshur deri në bark. I kam thënë : "Mbulohu, kofshat e tua janë vyshkur." Ja kështu i kam thënë gruas. Bretkosa e ka ulur këmishën e natës për t’i mbuluar kofshët. Jam ulur mbi karriken në krah të shtratit. Bretkosa më ka buzëqeshur me gojën e gruas sime. "Karrikja po kuis", ka thënë ajo. Por karrikja nuk kuiste. Bretkosa ka vënë gërshetin e gruas sime në sup. Ai ishte po aq i gjatë sa këmisha e natës. I kam thënë se i ishin rritur flokët. Bretkosa më ka bërtitur, duke ngritur kokën : "Je i dehur, do të biesh nga karrikja !" »
Hëna është njollosur nga re të kuqe. Windisch është mbështetur përkundër murit të mullirit. « Njeriu është kafshë, thotë roja, ai është i gatshëm të falë gjithmonë. »
Qeni ha cipën e dhjamtë të sallamit. « Ia kam falur gjithçka, thotë ai, ia kam falur bukëpjekësin, ia kam falur që ka vajtur të zbavitet në qytet. » Përkëdhel me majën e gishtave tehun e thikës. « I tërë fshati është tallur me mua », vazhdon ai. Windisch psherëtin. « Nuk mund ta vështroja më në sy, thotë roja. Vetëm këtë vdekje të shpejtë, njëlloj sikur të mos kishte pasur familje, këtë s’kam mundur t’ia fal.
– Vetëm Zoti e di për çfarë ekzistojnë ato, gratë », thotë Windisch. Roja ngre shpatullat. « Jo për ne, as për ty as për mua. » Roja përkëdhel qenin. « Edhe vajzat tona, për besë, thotë Windisch, edhe ato gjithashtu, do të bëhen gra. »
Mbi biçikletë, një hije, në bar gjithashtu. « Vajza ime, vazhdon Windisch duke i peshuar fjalët në kokë, Amelia ime, as ajo nuk është më virgjëreshë. » Roja e natës vështron njollën e kuqe të reve. « Ajo i ka pulpat si pjepra, Amelia. Siç thua dhe vetë, nuk mund ta vështroj më në sy. Ka një hije në sytë e saj. »
Qeni kthen kokën. « Sytë gënjejnë, thotë roja, pulpat jo. » Ai hap këmbët. « Shikoje vajzën tënde. Nëse i hap këmbët duke ecur, atëherë është bërë. »
Roja rrotullon kapelen në dorë. Qeni është shtrirë, vështron. Windisch hesht. « Ka lashtë, mielli do të jetë i lagësht, thotë roja, dhe kryetari nuk do të jetë i kënaqur. »
Një zog fluturon përsipër pellgut. Ngadalë dhe pa u shmangur si mbi një tel. Rrafsh me ujin. Njëlloj sikur të ishte tokë. Windisch e ndjek me sy. « Bën be se është mace, thotë ai.
« Një kukuvajkë, thotë roja. Ai vë dorën përpara gojës. « Që prej tre netësh, drita digjet tek plaka Kroner. » Windisch shtyn biçikletën. « Ajo nuk mund të vdesë, kukuvajka nuk është ulur ende mbi një çati. »
Windisch ecën në bar dhe vështron hënën.  « Po ta them unë, Windisch, i thërret roja, gratë na mashtrojnë ! »

 

Herta Muller, Nobel 2009

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00