Home | Literature | Intervistë me Autorin Enkelejd Lamaj

Intervistë me Autorin Enkelejd Lamaj

image
Libri elektronik ka marrë një zgjerim të paimagjinueshëm dhe, ndryshe nga libri në letër, ai nuk njeh kufij dhe është më ekonomik. Duke thënë këtë, them se sot lexohet dhe lexohet më shumë se ç’është lexuar më parë.

 

 

 

 

Nga Dea J Klosi

 

 

 

 

 

Klosi News: Flitet gjithnjë  e më  shumë  për letërsinë, bëhen emisione mbi përkthime e dhënie çmimesh, e gjithmonë  thuhet se s'po lexohet. Cila është  analiza juaj për këtë  moslexim ? A ekziston vërtet si problem apo është  thjesht një  përshtypje e gabuar ?

 

 

Enkelejd Lamaj : Unë e kam thënë edhe herë të tjera që, kur flitet për leximin, jam optimist. Nuk e di pse thuhet që s’lexohet dhe nuk e di cila është njësia matëse që çon në këtë konkluzion. Di që, ndryshe nga njëzet vjet më parë, ka më shumë tituj për të lexuar dhe më shumë njerëz që lexojnë. Se çfarë lexohet pastaj, është tjetër çështje. Nëse lexohet më shumë literaturë e huaj dhe nëse kjo literaturë e huaj lexohet më shumë në gjuhë të huaj sesa e përkthyer, kjo po, mund të diskutohet.  Pastaj duhet të kemi parasysh edhe faktin që libri tani, na vjen në forma dhe rrugë të ndryshme. Libri elektronik ka marrë një zgjerim të paimagjinueshëm dhe, ndryshe nga libri në letër, ai nuk njeh kufij dhe është më ekonomik. Duke thënë këtë, them se sot lexohet dhe lexohet më shumë se ç’është lexuar më parë. Të paktën ky është perceptimi im.

 

 

Klosi News: Gjithashtu, flitet për problemin e botimeve, se ato lenë për të  dëshiruar, janë  të  shpërndara dhe pa një bosht. Ç'letërsi keni ndjekur së  fundi nga shtëpitë  botuese ? A përkon ajo me pritjet apo me ndjeshmërinë  tuaj letrare ?

 

 

Enkelejd Lamaj : Për fatin tim të keq, letërsia që ndjek unë ende nuk e ka gjetur vendin e vet tek shtëpitë tona botuese. E kam fjalën për letërsinë fantastike, të horrorit, misterit dhe kushërinjve të saj. Kjo është ajo që ndjek rregullisht dhe këtë nuk e gjej tek shtëpitë tona botuese. Për këtë arsye i drejtohem stendave të huaja dhe librarive online. Por kjo është e përgjithshmja dhe sigurisht që interesat, apo siç e quani ju, ndjeshmëritë e mia letrare natyrisht që iu drejtohen të gjithë zhanreve të letërsisë. Në këto raste tregu i botimeve shqiptare është i pari vend ku shikoj dhe vetëm në qoftë se nuk e gjej aty u drejtohem alternativave të tjera.

Personalisht mendoj se tregu i prurjeve të huaja është i kufizuar, por dhe i vonuar njëkohësisht. Letërsia bashkëkohore, për të thënë një shembull, është shumë e kufizuar, dhe rrallë ndodh që një botim i ri, të vijë menjëherë edhe në Shqipëri. Nuk dua të paragjykoj shtëpitë botuese, as që më shkon ndër mend, tekefundit ato do të mbrojnë interesat e tyre ekonomike që përfaqësojnë dhe përzgjedhja e titujve që sjellin tek lexuesi shqiptar, për mua, është më se i përligjur dhe përkon drejtpërdrejt me të drejtën e tyre të zgjedhjes, kështu që s’ka asgjë për t'u habitur.

 

 

Klosi News:  Duket se problemi i botimeve të  autorëve shqiptarë  ka hyrë  në  një  errësirë  thuajse të  plotë. Media nuk po i pasqyron si duhet këto botime dhe marrëdhënia mes autorit dhe lexuesit  duket se është  ndërprerë . A mendoni ju se dukshmëria e librit në  peizazhin shqiptar mund të  kryhet vetëm nëpërmjet internetit (forume, blogje, rrjete sociale, etj.) ?

 

 

Enkelejd Lamaj : Jo, në qoftë se flasim për librin në letër, sigurisht që jo. Interneti mund (dhe s’ka pse mos) të jetë një mjet më shumë, por nuk duhet të jetë i vetmi mjet për të mbërritur tek lexuesi. Ne që shkruajmë, sigurisht që do të na pëlqente që letërsia shqipe të tërhiqte më shumë vëmendjen e medias (dhe jo vetëm) , do na pëlqente që kjo të ishte një urë e shëndoshë lidhëse me lexuesin, por përsëri mendoj se nuk do të mjaftonte. Se, po ta mendosh mirë, pothuajse çdo media e ka një faqe letrare, e megjithëkëtë, përsëri, informacioni nuk është i plotë dhe as ka për të qenë ndonjëherë. Askund nuk është. Pastaj dihet që edhe fusha e botimeve sundohet nga interesat ekonomikë, ndaj dhe rregullat e lojës janë të thjeshta. Kohët e fundit është bërë diçka e zakonshme të ankohesh për çdo gjë dhe ndaj çdo aktori që është i përfshirë në fushën e botimeve, qoftë ky autor, botues, përfaqësues i medias, kritik (kur ka të tillë), librar, apo ku e di unë ç’tjetër? Po a është e drejtë kjo? Personalisht mendoj se jo. Pothuajse çdokush që shkruan një libër mendon se ka shkruar librin më të mirë të vitit dhe për këtë pret që të gjithë, botuesi, media e librarët, të shkulin flokët e të shtyjnë njëri – tjetrin se kush ta sjellë më parë tek lexuesi e kush të shesë më shumë kopje.  Por ja që nuk funksionon kështu. Nuk ka asgjë të habitshme nëse librit më të shitur, që ka bërë xhiron e të gjithë paneleve të mundshëm televizivë, apo sallave universitare nuk i lexon dot më shumë se dhjetë faqe, kurse tjetrin, për të cilin ke “dëgjuar” vetëm nëpër faqe interneti, ta lexosh dy herë.

 

 

Klosi News:  Ç'mendim keni ju mbi disa ide apo opinione që  hidhen here pas here mbi ndihmesën që  Ministria e Kulturës duhet t'i japë librit ? A duhet që  kjo të  kalojë  përmes financimesh rastësore (që  mbase mund të  keqpërdoren) apo te bëhet nëpërmjet rregullimeve ligjore për t'i dhënë frymë marrje vetë  industrisë  së  librit ?

 

 

Enkelejd Lamaj : Unë nuk jam kundër financimeve, qofshin këto edhe rastësore. Sigurisht po të ishin të përhershme dhe me rregulla të mirëpërcaktuara, do të ishte më mirë. Por nuk mendoj se ky është shkopi magjik që i mungon librit shqiptar. Personalisht mendoj se libri duhet të ketë rrugën e vet krejt të ndarë nga Ministria (dhe me këtë nënkuptoj shteti). Nëse shteti duhet të japë ndihmesën e tij, këtë duhet ta bëjë duke hartuar politika afatgjate që të ndihmojnë krejt industrinë e librit dhe aktorët që punojnë në dhe për të; por, në radhë të parë, duhet të bëjë një kontroll të imët dhe të vendosë rregulla të mirëpërcaktuar për titujt dhe autorët që futen nëpër kurrikulat, tekstet apo programet shkollore dhe jo vetëm.

 

 

Klosi News:  Le të  kalojmë  në  pak gjëra vetjake. Cili është  botimi juaj i fundit dhe a mund të  na flisni diçka  mbi të ? Ç'trajton, dhe nga ka marrë  fill kjo vepër ?

 

 

Enkelejd Lamaj : Prej datës 22 Prill gjendet në qarkullim romani më i ri, “Vendi diku midis”.  Pas dy përmbledhjeve me tregime ky është romani im i parë që botohet, ndonëse është i treti që kam shkruar. Historia ka në qendër dy shokë të rinj, të cilët, pa e kuptuar mirë as vetë, gjenden në një aventurë, sa të çuditshme, aq edhe të rrezikshme, nëpër rrugët e Tiranës. Ideja e kësaj histori kishte kohë që flinte në mendjen time, gjersa gjeti momentin më të përshtatshëm për t’u rritur dhe zhvilluar. Gjithmonë kam qenë i intriguar prej dëshirave dhe mundësisë së manipulimit të tyre. Pse sot kemi një dëshirë dhe nesër nuk e kemi më? Çfarë ndodh me dëshirën kur ajo plotësohet? Po kur ajo nuk plotësohet? Është rreth këtyre pyetjeve që zhvillohet aventura e dy shokëve të kësaj historie.

Duke pasur parasysh përmbledhjet e mëparshme me tregime, ndjej të tregoj se, kësaj here, nuk kam treguar një histori të frikshme... të paktën jo plotësisht. Megjithëse, që të jem i sinqertë, ideja ime fillestare kishte qenë pikërisht një histori e frikshme.  Është një histori e bazuar në një imagjinatë të vërtetë dhe është edhe një histori e vërtetë. Sepse, siç thotë edhe një prej personazheve të librit, historitë janë si njerëzit dhe, si të tilla, kanë nevojë që të qëndrojnë gjallë dhe ajo që i mban gjallë, historitë, është pikërisht e vërteta.

 

 

Klosi News: Ju falemnderit ! 

 

Enkelejd Lamaj : Faleminderit Juve!

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
4.00