Home | Literature | Mos Fajësoni Askënd!

Mos Fajësoni Askënd!

image
Gjithsesi, për të qenë i sigurt për këtë, gjëja e vetme që mund të bëjë është të vazhdojë të hapë rrugën, duke u mbushur thellë me frymë dhe duke e nxjerrë ajrin ngadalë, edhe pse kjo është e pakuptimtë, pasi asgjë nuk e pengon të marrë frymë lirisht...

 

 

 

 

Julio Cortázar

 

 

 

 I ftohti gjithmonë i ndërlikon gjërat, ndërsa në verë je aq afër botës, aq ngjitur trup më trup, por tani, në gjashtë e gjysmë, e shoqja po e pret në një shitore, për të zgjedhur një dhuratë martese, është vonë dhe vë re se bën ftohtë, duhet veshur golfi bojë-qielli, diçka që të shkojë me kostumin e grivët, kjo është vjeshta: vish e zhvish pulovra, të mbyllesh, të largohesh pak nga pak. Fishkëllen, pa shumë dëshirë, një tango ndërsa largohet prej dritares së hapur kanat, kërkon golfin në dollap dhe fillon ta veshë përballë pasqyrës. Nuk është e lehtë, ndoshta për faj të këmishës që ngjitet me leshin e golfit, e ka të vështirë ta fusë krahun, pak nga pak dora përparon deri sa më në fund një gisht shfaqet në skajin e mëngës prej leshi bojë-qielli, por në dritën e perëndimit gishti ka një pamje si të rrëgjuar dhe si i mbledhur nga brenda, me një thua të zi e me majë. Me një të tërhequr e zhvesh mëngën e golfit dhe e shikon dorën sikur mos të ishte dora e tij, por tani që është jashtë golfit e sheh që është dora e tij e përhershme dhe e lëshon krahun të bjerë lirshëm, i shkon ndërmend se më mirë do të jetë të fusë krahun tjetër tek mënga tjetër, ndoshta kjo do të jetë më e thjeshtë. Por me sa duket nuk është ashtu, pasi, sapo leshi i golfit ngjitet sërish në cohën e këmishës, mungesa e zakonit për ta nisur të veshurit me atë dorë e bën edhe më të vështirë punën, madje, edhe pse ka nisur të fishkëllejë sërish për ta hequr mendjen, ndien se dora pothuajse nuk përparon dhe se, pa ndonjë manovër tjetër, nuk do ta arrijë kurrë daljen e mëngës. Më mirë të gjitha njëherazi, përkul kokën për ta futur në qafën e golfit, në të njëjtën kohë që fut krahun e lirë në mëngën tjetër, duke e drejtuar atë, shtyn njëkohësisht të dy krahët dhe kokën. Në terrin e papritur bojë-qielli që e mbështjell i duket marrëzi të vazhdojë fishkëllimin, fillon të ndiejë një nxehtësi në fytyrë, edhe pse një pjesë e kokës tashmë duhet të ishte jashtë, balli dhe gjithë fytyra vazhdojnë të mbuluara dhe duart mezi kanë arritur në mes të mëngëve, sado që shtyn asgjë nuk del jashtë dhe tani i shkon në mendje se ndoshta ka gabuar me atë lloj tërbimi ironik, me të cilin rinisi detyrën, dhe se ka bërë idiotësinë të fusë kokën në njërën nga mëngët dhe njërën dorë në qafën e golfit. Po të qe ashtu, dora e tij duhet të kishte dalë lehtësisht por, edhe pse shtyn me gjithë forcë, nuk arrin të përparojë asnjëra nga të dy duart, edhe pse, përkundrazi, duket sikur koka është gati të hapë rrugën e saj, pasi leshi bojë-qielli i shtrëngon tani me një forcë gati acaruese hundën dhe gojën, ia zë frymën më shumë seç mund ta imagjinonte, duke e detyruar të mbushet thellë me frymë ndërkohë që leshi laget prej gojës dhe me shumë mundësi do të lëshojë ngjyrë e do t'ia njollosë fytyrën me bojë-qielli. Për fat, pikërisht në atë çast, dora e djathtë del jashtë në ajrin e ftohtë, të paktën njëra dorë tani është jashtë edhe pse tjetra vazhdon e bllokuar në mëngë, ndoshta ishte e vërtetë se dora e djathtë ishte futur në qafën e golfit dhe, kësisoj, ajo që ai mendonte se ishte qafa po ia shtrëngon fytyrën në atë mënyrë, duke ia zënë frymën çdo herë e më shumë dhe, përkundrazi, dora arriti të dilte aq lehtësisht.

Gjithsesi, për të qenë i sigurt për këtë, gjëja e vetme që mund të bëjë është të vazhdojë të hapë rrugën, duke u mbushur thellë me frymë dhe duke e nxjerrë ajrin ngadalë, edhe pse kjo është e pakuptimtë, pasi asgjë nuk e pengon të marrë frymë lirisht, vetëm se ajri që thith është i përzier me fijet e leshit të qafës apo të mëngës së golfit, dhe veç kësaj ka edhe shijen e golfit, ajo shije bojë-qielli e leshit i cili duhet të jetë duke i njollosur fytyrën, pasi lagështia e frymës tani përzihet çdo herë e më shumë me leshin, por, edhe pse nuk mund ta shohë, sepse nëse i hap sytë qerpikët përplasen me dhimbje tek leshi, është i sigurt se bojë-qielli i rrethon gojën e lagësht, vrimat e hundës dhe po i përhapet nëpër faqe, e gjithë kjo e mbush me ankth dhe do të donte ta vishte njëherë e mirë golfin, pa llogaritur këtu, se duhet të jetë bërë vonë dhe se e shoqja do të jetë duke e humbur durimin, tek dera e shitores. I thotë vetes se më e logjikshmja është ta përqendrojë vëmendjen tek dora e djathtë, sepse ajo dorë, përjashta golfit, në kontakt me ajrin e ftohtë të dhomës, është si një lajmërim se edhe pak i ka ngelur dhe përveç kësaj mund ta ndihmojë, të ngjitet nga pas shpinës deri sa të kapë skajin e poshtëm të golfit dhe me atë lëvizjen e zakonshme që bën për të veshur çdo lloj golfi, ta tërheqë poshtë me forcë. E keqja është se, edhe pse dora e kontrollon shpinën duke kërkuar skajin e leshtë, duket se golfi ka ngelur mbledhur lëmsh afër qafës dhe gjëja e vetme që gjen dora është këmisha çdo herë e më e rrudhosur dhe e dalë pjesërisht nga pantallonat, është e kotë ta sjellë dorën për të tërhequr anën e përparme të golfit, pasi mbi gjoks nuk ndihet gjë tjetër veç këmishës, golfi vetëm sa duhet të ketë kaluar paksa mbi supe dhe do të ketë ngecur aty i përdredhur dhe i tendosur sikur t'i paskësh shpatullat shumë të gjera për atë golf, gjë që, tekefundit, konfirmon se vërtet paska gabuar dhe paska futur njërën dorë tek qafa dhe tjetrën tek njëra mëngë, kështu që, distanca nga qafa gjer tek njëra mëngë është saktësisht gjysma e asaj nga njëra mëngë tek tjetra, dhe kjo shpjegon pse e ka kokën disi të anuar nga e majta, nga ana ku dora vazhdon e burgosur në mëngë, nëse ajo është mënga, dhe, përkundrazi, dora e djathtë që tashmë është jashtë lëviz plot liri në ajër, edhe pse nuk arrin ta ulë golfin që vazhdon i përdredhur lëmsh në krye të trupit. Si për ironi i shkon ndërmend se, po të kishte një karrige afër, mund të pushonte dhe të merrte frymë më mirë deri sa ta vishte plotësisht golfin, por e ka humbur orientimin pas gjithë atyre rrotullimeve që bëri me atë lloj gjimnastike euforike, me ca hapa vallëzimi të sajuar, që bëhet gjithmonë kur nis të veshësh një rrobë dhe që askush s'mund ta qortojë, pasi ajo i përgjigjet një qëllimi të dobishëm dhe jo ndonjë tendence koreografike të pakuptimtë.

Në thelb, zgjidhja e vërtetë do të ishte ta hiqte golfin që nuk kishte arritur ta vishte dhe të vërtetonte hyrjen e saktë të secilës dorë tek çdo mëngë dhe të kokës tek qafa, por dora e djathtë në mënyrë të çrregullt vazhdon vajtje-ardhjet e saj sikur, tanimë, të qenkësh diçka qesharake për të, të dorëzohej në atë pikë ku kishte arritur, edhe pse në një moment i bindet e ngjitet deri në lartësinë e kokës dhe tërheq për lart, pa i dhënë kohë atij të kuptoj se golfi i është ngjitur në fytyrë me atë veshtullinë e lagësht të frymës së përzier me bojë-qiellin e leshit, dhe kur dora tërheq për lart ndien një dhimbje sikur të ishin duke i shqyer veshët dhe të donin t'i shkulnin qerpikët. Atëherë më ngadalë, atëherë duhet përdorur dora e ngecur në mëngën e majtë, nëse është mënga e jo qafa, dhe për këtë, me dorën e djathtë duhet të ndihmojë dorën e majtë që ajo ose të mund të përparojë nëpër mëngë, ose të tërhiqet e të shpëtojë, edhe pse është pothuajse e pamundur t'i kombinojë lëvizjet e të dy duarve, sikur dora e majtë të qe një mi i mbyllur në një kafaz dhe, që nga jashtë, një mi tjetër të donte ta ndihmonte të shpëtonte, përveçse në vend që ta ndihmojë e kafshon, pasi dora e burgosur, papritur, nis t'i dhembë dhe, njëherazi, dora tjetër ngulet me gjithë forcën e saj në atë që duhet të jetë dora e tij dhe që i dhemb, i dhemb, deri në atë pikë, sa heq dorë nga zhveshja e golfit, vendos të bëjë një përpjekje të fundit për të nxjerrë kokën nëpërmjet qafës dhe miun e majtë jashtë kafazit, përpiqet duke luftuar me gjithë trupin, duke u shtyrë para e prapa, duke u rrotulluar në qendër të dhomës, në qoftë se ndodhet në qendër, pasi tani arrin të mendojë se dritarja ka ngelur e hapur kanat dhe është e rrezikshme të vazhdojë të rrotullohet qorrazi; vendos të ndalojë, edhe pse dora e djathtë vazhdon vajtje-ardhjet e saj, pa u marrë me golfin, edhe pse dora e majtë i dhemb gjithmonë e më shumë, sikur t'ia kishin kafshuar apo djegur gishtat, por, megjithatë, ajo dorë i bindet, duke i mbledhur pak nga pak gishtat e plagosur arrin të shtrëngojë, përmes mëngës, skajin e golfit të përdredhur tek supi, tërheq për poshtë pothuaj pa forcë, i dhemb shumë dhe është e nevojshme që dora e djathtë ta ndihmojë në vend që të kacavirret apo të zbresë kot nëpër këmbë, në vend që t'i pickojë kofshën siç po e bën, duke e çjerrë dhe cimbisur përmes rrobave pa mundur ta ndalojë sepse gjithë vullneti i tij përfundon tek dora e majtë, ndoshta ka rënë në gjunjë dhe ndihet si i varur për dorën e majtë, që e tërheq edhe njëherë golfin dhe papritur ndihet i ftohti në vetulla dhe në ballë, në sy, në mënyrë të pakuptimtë nuk dëshiron t'i hapë sytë, por e di se ka dalë jashtë, ajo materie e ftohtë, ajo mrekulli, është ajri i lirë, por nuk dëshiron t'i hapë sytë dhe pret një sekondë, dy sekonda, jeton në një kohë të ftohtë dhe të ndryshme, në kohën jashtë golfit, është në gjunjë dhe është e mrekullueshme të jeshë ashtu deri sa, pak nga pak, duke falënderuar, gjysmëhap sytë e çliruar nga jargët bojë-qielli të leshit, gjysmëhap sytë dhe sheh pesë thonjtë e zinj që qëndrojnë pezull në ajër duke shënjestruar sytë e tij, duke u fërgëlluar në ajër para se të lëshohen drejt syve të tij, i del koha të ulë qepallat dhe të hiqet prapa duke u mbuluar me dorën e majtë, që është dora e tij, që është gjithçka i ka ngelur për ta mbrojtur që nga brenda mëngës, për ta tërhequr lart qafën e golfit dhe jargët bojë-qielli t'ia mbështjellin sërish fytyrën ndërsa ngrihet në këmbë për të vrapuar diku tjetër, për të mbërritur më në fund diku tjetër ku mos të ketë as dorë e as golf, ku të ketë vetëm një ajër shungullues që ta mbështjellë e ta shoqërojë e ta ledhatojë dhe dymbëdhjetë kate. 



© Përktheu nga origjinali Erion Karabolli

 

 

* * *

 HULIO KORTASAR

 Shkrimtar, përkthyes dhe intelektual argjentinas (Julio Cortazar 1914 – 1984). Konsiderohet një nga autorët më novatorë dhe më origjinalë të kohës së tij. Si mjeshtër i tregimit të shkurtër, i prozës poetike dhe përgjithësisht i rrëfimeve jo të gjata është krahasuar me Horhe Luis Borhesin, me Anton Çehovin apo me Edgar Allan Poen. Është krijues i romaneve të rëndësishëm që përuruan një formë të re së bëri letërsi në botën hispanike, duke dalë nga modelet klasike, me rrëfime që braktisnin vijimin kohor dhe ku personazhet kanë një autonomi e një thellësi psikologjike që rrallë ndodhte deri atëherë. Ngaqë subjektet e veprave të tij e kapërcejnë kufirin e reales për të hyrë te fantastikja, zakonisht është thënë se Kortasari si shkrimtar ka hyrë në marrëdhënie edhe me Surrealizmin. 

 Temat qendrore të veprave të tij janë kërkimi i identitetit, realiteti i fshehur brenda jetës së përditshme të njerëzve të zakonshëm dhe ankthi i ekzistencës. Është njeri nga tregimtarët botërorë më të lexuar. Proza e tij është nga ato që të mbetet në mendje për një kohë të gjatë. 

 Një pjesë të mirë të jetës e ka kaluar në Paris, qytet në të cilin u vendos qysh nga viti 1951 dhe ku disa nga veprat e tij kanë marrë subjektet. Në vitin 1981 mori qytetarinë franceze. Ka jetuar gjithashtu edhe në Spanjë, Zvicër e në disa shtete të Amerikës Latine.

 Ka botuar 17 vëllime me tregime, shtatë romane, tre vëllime me poezi, dy vepra teatrale dhe përmbledhje të ndryshme me ese, artikuj, kujtime e letra.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00