Revolucioni i Pavdekshem
...Që bilbilat i këndojnë të vdekurit fol për tharjen e lumit Idapse dhe për Lekën që pushtoi Aleksandrinë trego për Revolucionin ...
Vedat Memedaliu
Fol për Revolucionin
dhe për ndryshimet e të huajve
fol se urat lidhen me tokën
dhe se përskaj rrugës gjenden varret
fol se liria kushtoi
dhe se robërit pushuan punën
tregoju se bota është materiale
ku shit-blerjet kanë fjalën e parë
tregoju se pasqyrat japin të njëjtën
dhe se vetëm kornizat ndryshojnë
jepi shembuj për litarët që lidhin botën
kujtoje ndreqësin e teneqeve në lagjen
e romëve
tregoju se sistemi i gjithësisë
është krijuar nga një re e padefinuar
fol dhe për zërin e udhëkryqit
që lidh tre kryeqytetet
për sorrat që mallkojnë të gjallin
që bilbilat i këndojnë të vdekurit
fol për tharjen e lumit Idapse
dhe për Lekën që pushtoi Aleksandrinë
trego për revolucionin dhe
ji i kujdesshëm me shpirtrat e vdekur.
Golgota Shqiptare
Do të isha bërë luftëtarë
e të vrisja armikun
luftëtar prej atyre që magjepsen nga
trimëritë vetjake e fiktive
vetëm të dobëtit tradhtojnë luftën
heronjtë e mëdhenj janë luftëtarët e panjohur
Markezi thotë se kritikët nga padija
merren me artin e të tjerëve
paqja gjendet në varr
aty ku pushon jetë-lufta
luftëtarët i shërbejnë popullit
politikës dhe atyre që bëjnë politikë
luftëtarët nuk flasin për platformë
veç plumbit që kërkojnë
në luftë, mund edhe të të vrasin
ankohesh për një plagë që ke marrë
në golgotë u kryqëzua Krishti
në golgotën shqiptare u kryqëzua një popull
nxora armën dhe vrava vjershën.
Comments (0 posted)
Post your comment