Home | Literature | Rëndësia e diplomës universitare

Rëndësia e diplomës universitare

image
Dhe përpara se të vinte mbrëmja e kuptova se jeta e tij ka vetëm një histori, dhe fqinji im nuk do ta ndryshojë atë. Të shkojë në qytet do të thotë të zhytet në një botë të panjohur, me vlera të tjera të cilat ka të ngjarë të ndihet tepër i vjetër për t’i mësuar.

 

 

Paulo Coelho

 

 

 

 

 

Mulliri im i vjetër në fshatin e vogël në malet Pirenej ndahet nga ferma fqinjë nga një radhë pemësh. Dje në derën time u shfaq fqinji im: duhet të jetë nja shtatëdhjetë vjeç. Herë pas here e shoh duke punuar me të shoqen dhe them me vete se u ka ardhur koha të dalin në pension dhe të pushojnë.

 

Me shumë mirësjellje, fqinji u ankua se degët e pemëve të mia po i binin mbi çati, kështu që duhej t’i prisja.

 

U trondita vërtet: si mundet dikush që e ka kaluar gjithë jetën në kontakt me natyrën të më kërkojë të shkatërroj diçka të cilës iu desh kaq shumë kohë të rritet, vetëm sepse pas dhjetë vjetësh kjo mund të krijojë ndonjë problem për tjegullat e çatisë së tij?

 

E ftova për një kafe. I thashë se përgjegjësinë e merrja unë: nëse ndonjëra nga degët e thata (që mund të këputeshin nga era dhe shkaktonin ndonjë dëm në verë, me shpenzimet e mia do t’i ndërtoja një çati të re. Fqinji ma ktheu se kjo nuk i interesonte aspak: ai donte që unë të prisja pemët.

 

Mua më hipën pak xhindet dhe i thashë se parapëlqeja në këtë rast të bleja fermën e tij.

 

“Tokën nuk e shes” m’u përgjigj.

 

 “Po me gjithë ato para ju mund të bini një shtëpi të mrekullueshme në qytet dhe të jetoni bashkë me gruan për gjithë jetën pa u dashur të duroni këtu dimra të tmerrshëm dhe të korra të këqia. »

 

“Fermën nuk e shes. Këtu kam lindur dhe jam rritur, tani jam tepër i vjetër për të ndërruar vend.”

 

Ai propozoi të sillte një ekspert nga qyteti për të gjykuar dhe vendosur mbi këtë rast– në këtë mënyrë -  askush nga ne nuk do t’i binte në qafë tjetrit. Tek e fundit, jemi fqinjë.

 

Kur u largua, reagimi im i parë ishte t’a akuzoja për mospërfilljen dhe mungesën e respektit për Tokën nënë. Pastaj më hyri dyshimi: përse nuk pranoi t’a shiste tokën? Dhe përpara se të vinte mbrëmja e kuptova se jeta e tij ka vetëm një histori, dhe fqinji im nuk do ta ndryshojë atë. Të shkojë në qytet do të thotë të zhytet në një botë të panjohur, me vlera të tjera të cilat ka të ngjarë të ndihet tepër i vjetër për t’i mësuar.

 

“A mos ndodh kjo vetëm me fqinjin tim? Jo, e ndjej se mund t’i ndodhë kujtdo – nganjëherë ne jemi kaq të lidhur me një mënyrë jetese sepse humbasim mundësi të mëdha, sepse nuk dimë sesi t’a përdorim atë. Në rastin e tij, ferma dhe fshati i tij janë të vetmet vende që ai njeh dhe prandaj nuk ia vlen të rrezikojë. Në rastin e njerëzve që jetojnë në qytet, ata besojnë se është e domosdoshme të marrësh një diplomë universiteti, të martohesh, të kesh fëmijë, të përkujdesesh që edhe ata të marrin marrin diplomë universiteti, e kështu me radhë. Askush nuk pyet ndonjëherë veten: a mund t’i bëj gjërat ndryshe?”

 

Më kujtohet që berberi im punonte natë e ditë në mënyrë që vajza e tij të përfundonte studimet universitare në sociologji. Ajo arriti t’i mbaronte studimet dhe pasi trokiti në shumë dyer më në fund arriti të gjente punë si sekretare në një kompani çimentoje. Megjithatë, berberi im thoshte gjithmonë me krenari: “Vajza ime ka diplomë universiteti.”

 

Shumica e miqve të mi, dhe fëmijët e miqve kanë gjithashtu diplomë universiteti. Kjo nuk do të thotë se ata punojnë aty ku do të donin – përkundrazi, ata hynë dhe u larguan nga universiteti sepse – asokohe kur universitetet ishin të rëndësishme – dikush tha se që një njeri të arrijë diçka në jetë duhet të ketë diplomë universiteti. Kështu që bota humbi rastin të kishte kopshtarë të shkëlqyer, bukëpjekës, shitës antikash, skulptorë dhe shkrimtarë. Mbase ka ardhur koha ta shohim këtë punë edhe një herë: doktorët, inxhinierët, avokatët, të gjithë duhet të studiojnë në universitet. Po të tjerët çfarë bëjnë? Po ia lë poezisë së Robert Frostit t’a japë përgjigjen:

 

“Dy shtigje në pyll ndaheshin, dhe atë që ish më pak i rrahur zgjodha,

 

Dhe kjo gjithçka ndryshoi.”

 

P.S. Për ta mbyllur historinë e fqinjit: eksperti erdhi të na takojë dhe për habinë time më tregoi një ligj francez i cili përcakton se pemët duhet të jenë të paktën tre metra larg pronës së tjetrit. Pemët e mia ishin dy metra larg, kështu që do të më duhet t’i pres.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0