* * *
Toka digjej nën të; të korrat lëshonin afshe mbytëse. Ajri i mpitë t‘i shtypte mushkëritë, të godiste në tru, si avull i rëndë e me erë të keqe. E ai korrte, me sytë të shtrënguar nga vetëtitja e vazhdueshme e drapërit, me duart të enjtura që dukej sikur do të plasnin, atje, këmbadoras, i përhumbur e i pandjeshëm ndaj atij mundimi, duke harruar se është gjallë.
Pasqyrimet e turbullta të ditës rrihnin në oborr e lëshonin prej mureve, xhamave e gurëve, një afsh vezullimesh përvëluese që të bezdisnin sytë e të vështirësonin frymëmarrjen. Ishte mesditë e vapët, plym me avuj të turbullt. Në qiellin e zbardhyltë nuk dukej dielli. Shiheshin rrezatime drite të bollshme ngjyrë bakri. Në oborr dukej sikur jeta ishte shuar. Ndonjë gjel deti i ngrefosur rrinte i palëvizur mbi këmbë në tinarët e zbrazur si të ishte i balsamosur. Dy tasa të kuqërremtë me ushqim të freskët mbi një karrige druri, thyenin atë monotoni të trishtuar vërshimi të përhimët. Jashtë, nga njëra anë, katundi i shtrirë verdhacak, i heshtur dhe i plogësht, nga ana tjetër, deti atje tej më i bardhë se qielli.
Nora, poshtë strehës, lante tesha; krahët e gjerë i zhyste në freskinë e ujit rrëshqitës e i tërhiqte pastaj lart të mbuluara me shkumë sapuni. Gjinjtë i hovnin duke u përpjekur nën gjoksoren me lule. Tërë ai bollëk mishi i rrëshqiste nën veshje duke lëshuar ama të athta djerse. Ajo i frynte herë pas here shkumës që të mund të shihte në pasqyrën e kaltëreme të ujit fytyrën e gjerë hundështypur me sytë si të dhisë. Pa e shtrembëruar trupin u kthye duke kaluar gishtat e lagur mbi ballin e përvëluar, me një psherëtimë lodhjeje.
– A nuk keni gjumë, tatë? – e pyeti të vjehrrin që rrinte aty mbrapa i ulur, ndërsa thithte llullën.
Burri nuk u përgjigj. E ndjente gjuhën të trashë e të tharë si në zjarrmi; ndjente turbullim, një farë shqetësimi të çuditshëm. Dukej si t‘i ishte futur në gjak një ndjesi e keqe, një helm, diçka që e digjte dhe e ligështonte më keq se djegaguri i zhegut. Bëri nja tre a katër thithje me tërbim; tymi e mbështolli të gjithin porsi një vello. Më pas u përhumb ngadalë. Gruaja ishte ende aty, e përkulur sërish mbi tinar, duke fërkuar teshat. Afshi ishte i rëndë dhe kërcënues; në atë afsh nuk ndjehej veçse gurgullima e ujit dhe frymëmarrja e lajtores, si frymë mëshqerre e nginjur e që burri e ndiqte me një përhumbje të lehtë, në të gjitha kuptimet, duke ndjerë gicilime e dridhje të lehta epshi. Ai i kishte ngulur sytë tek çorapet e Norës, që i kishin rrëshqitur deri tek kavilja, duke lënë të zbuluar pulpën e trashë, dy sy të kërcyer e të gjelbër që herë herë zhdukeshin nën qepalla, si kokrra rrushi në ujë të turbullt. Nora duke u kthyer e ndeshi këtë vështrim e nuk pati bezdi. Përkundrazi, ndjente t‘i rridhte nëpër vena një valë gjaku të lig, përballë figurës ende të gjallë të të vjehrrit, në atë vapë që t‘i sfiliste gjymtyrët e të ngjallte dëshirat.
– Ku është Rroko? – tha burri me zë të mekët duke u afruar.
– Atje poshtë, duke korrur.
Ndërkohë Nora tregoi fushën e përcëlluar që ngjante me një shkretinë pa kufi.
Rroko korrte e korrte. Drapërin e kalonte nëpër kërcellin e grurit të rritur, me të njëjtin rritëm, sikur lodhja të mos ia mbërthente kurrë krahun.
Toka digjej nën të; të korrat lëshonin afshe mbytëse. Ajri i mpitë t‘i shtypte mushkëritë, të godiste në tru, si avull i rëndë e me erë të keqe. E ai korrte, me sytë të shtrënguar nga vetëtitja e vazhdueshme e drapërit, me duart të enjtura që dukej sikur do të plasnin, atje, këmbadoras, i përhumbur e i pandjeshëm ndaj atij mundimi, duke harruar se është gjallë. Fusha shtrihej përkundër me valëzime të mëdha në erë. Nuk kishte të mbaruar ajo fushë. Kallëzat rriteshin përsëri posa priteshin, rriteshin përsëri. Korrësit, aty-këtu hiqeshin zvarrë përpara, të heshtur, pa këngë, pa fjalë.
Korvo merrte gjithnjë një melodi me tre nota melankolike, të ngjashme me një ankim tiorbe, një motiv i mësuar nga kush e di se kush e kush e di se ku… Tingëllonte si një muzikë funebër. Jeta e atyre njerëzve shkatërrohej nën ata tinguj si bishti i kmesave, pa pushim.
Kur dielli perëndonte nën avujt e kuq e manushaqe të malit e qentë fillonin të lehnin prej larg, Rroko kthehej tek gruaja e tij i dërrmuar, duke iu marrë këmbët, me trupin që i digjte e me sytë ende të shtrënguar. Shihte përkundruall n‘ajrì, njolla veguese, të mëdha e të verdha, e asgjë më shumë.
Kur kthehej, Nora i vinte përpara një çanak plym me supë që ai e përpinte pa e ngritur kokën, me neps, si një qen i uritur. Ai nuk e shikonte atë femër plot me rini e me epsh, atë grua me bark pjellor e me gjinj të fryrë nga qumështi; ai nuk e ndjente erën e shëndetshme të atij mishi që vlon. Kishte gjithnjë ato njollat e verdha në sy. Lëshohej aty në një qoshe, në kashtë, si një kafshë e stërmunduar dhe flinte. Kuqëlosh, me ngjyrë bakri të vjetër, me një shami të lidhur rreth fytyrës, si të kishte plagë, me flokë të yndyrshëm e të paprerë që i vareshin mbi ballin e ngushtë e në qafën e shkurtër. Pah! I shëmtuar.
Atë mbrëmje kthehej shtegut me mushmolla të egra duke dihatur për të thithur të paktën një fije ajër deti. Në qiellin e qetë e të hirtë po ngjitej çereku i parë i hënës. Ishte një e shtunë korriku.
Aty pranë takoi të atin i cili rrinte drejt, me llullë në gojë, duke e pritur për t‘i marrë të hollat e ditës.
– Mirëmbrëma tatë!
– Mirëmbrëma! Silli këtu!
Rroko nxorri nga xhepi një dorë të holla. Më pas ecën në heshtje deri në oborr, babai përpara duke pirë duhan, i biri nga mbrapa si një qen i rrahur. Kur i pa të vinin bashkë, Nora u turbullua e tëra, ndjeu brenda vetes një farë frike dhe u zbeh. Rroko ishte drejtuar nga tavolina me hapin e pasigurt të një të verbëri, duke i hapur fort sytë gri, si për të thithur dritën në mbarim të muzgut. Ishte si i trullosur nga lodhja e nga dielli. Ai punonte nga agimi në mbrëmje si një buall në parmendë, që i ati të majmej në limonti duke thithur duhan e duke pirë. Punonte pa u ankuar, pa asnjë dëshirë, si buall në fushën e të tjerëve. Ai kishte vetëm kmesën, belin dhe krahët që nuk i lodheshin kurrë.
Kishte edhe një vajzë, një vajzë tre vjeçare që mend plaste nga shëndeti, me flokë të verdhë e të rrallë, me sy të vegjël që i hapeshin në bardhësinë e fytyrës si lule të kaltra në qumësht, dy sy gjithnjë të habitur kur nguliteshin tek ai.
Ai rrufiti supën dhe u lëshua në kashtë, por ai pak ushqim që kishte ngrënë i shkaktonte neveri; dridhje të gjata ia përshkonin kockat e etja ia digjte grykën. E megjithatë qëndroi aty, i palëvizur, me sy të hapur krejt, pa i parë përflakjet dhe rrathët e zjarrit vërtitës në terr. Në këtë errësirë nuk e dalloi hijen e të atit që përshkonte dhomën i zbathur, pa asgjë veshur, duke fërgëllyer i tëri nga epshi; ecte qorrazi, me gishtërinjtë që i dridheshin, për të kërkuar trupin e Norës, e nuk e dëgjoi ulërimën e të bijës që në gjumë kishte ndjerë prekjen e pasigurt të atyre duarve…
Dritarja e vogël ishte e hapur dhe hynte zhurmërima e mbytur e detit dhe kundërmimi i flladit të natës me hënë të re.
Në agim Rroko ra në kllapi. Ishte aq e lodhshme për të të ngrihej në këmbë; kokën e ndjente të trullosur e të rëndë. Fytyrën e kishte të mbuluar me njollëza të kuqe. Rrëmbeu drepërit dhe u hoq rrëshqanë drejt fushës, ndërsa gjunjët i thyheshin pas çdo hapi. Fusha përreth humbiste në bardhësinë e agimit e deti shtrihej me një ngjyrë blu në manushaqe. Ndonjë zog lëshonte trila mbi mushmollat e egra. Ai arriti te parcela e tij, por papritur iu sosën fuqitë dhe u plandos përtokë.
– Edhe një! – tha Korvo ndër dhëmbë duke e ndërprerë kantilenën.
Ishin shenjat e tmerrshme të tifos. Rrinte shtrirë në shtrojen e të atit, i shpartalluar, me trupin të flashkët që kullonte djersë të yndyrshme, me bark të plandosur si calik, me fytyrën ngjyrë dheu, me flegra të thara, me sytë të mbuluar me një shtresë mukoze si ata të një deleje të ngordhur. Nga buzët e nxira i dilte një mërmërimë e pakuptueshme.
– Nora! – mërmëriti ai.
Por asnjëri nuk po afrohej. Në atë dhomë të errët e të ulët e që të mbyste nga kutërbimi, ai ndjente të tretej pak nga pak, ndjente erën e rëndë të kufomës së vet, si në një varr.
Ç‘netë, ç‘netë të gjata agonie!… Në dhomën ngjitur, gruaja përgjonte fytyrënxirë duke shtrënguar mbulesat përsipër me fytin të mbërthyer nga ngashërimi e duke u dridhur nxirrte një ankim të ngjirur. Brejtja e mëkatit e gërryente përbrenda, e megjithatë, kur i vjehrri me gishtat e ngrirë që i dridheshin ia prekte gjoksin, ajo përhumbej në atë përqafim, pa mundur të rezistonte, me epsh të pangopshëm, si një bushtër e ndezur.
Vetëm një herë kundërshtoi.
– Ç‘do prej meje? – i tha, me zë të dridhur që dukej se i dilte nga një brimë fyti e çjerrë, duke u ngritur mbi shtrat e duke e shtyrë me grushta të mbledhur.
- Ç‘do? Mos je djalli?
Ai nuk u përgjigj, nuk kundërshtoi, deshi të ikte. Përshkoi dhomën e Rrokos, e me flokë të ngritur mbi kokë doli jashtë i tmerruar nga frika; humbi nëpër shteg, humbi në fushën që flinte nën qetësinë hënore. Mjaullimat e maceve të dashuruara ia akullonin venat.
Por u ritakuan. U takuan përsëri të nesërmen në kullën e barit të Truvas. Frynte një erë e ngrohtë dhe e lagësht në pragperëndimin e kthjellët nën qartësinë metalike të qiellit.
Rrinin aty, si brenda një strofkulle. Kashta përreth vlonte duke lëshuar avuj ngrohtësije dhe ere të rëndë, si prej diçkaje të tharët. Dëgjoheshin zhurma, kërcitje të vazhdueshme; dukej sikur një zjarr i brendëshëm do ta shkatërronte atë pirg, ku në fund ziente një grumbull i madh insektesh të pangopura. Herë pas here era frynte një afsh i padukshëm.
- Ç‘të tha? – e pyeti i vjehrri me zë të ulët.
- Asgjë nuk më tha. I çova kamfurin për dizinfektim, ia lashë atje…
Vështronte brezin e dritës, vështronte, me kokërdhokët e syve përjashta…
Ndjeu një neveri që i përshkoi eshtrat, dhe të vjellat i zunë fytin.
E megjithatë ajo grua ende nuk kuptonte gjithçka; ndjente një shqetësim të vagullt, ndjente një tmerr të pakuptueshëm, një brejtje ndërgjegjeje që nuk i zgjaste shumë. Ajo nuk ndjehej e detyruar ndaj atij njeriu që ishte në grahmat e fundit, nuk ndjente mëshirë. Ndjente t‘i çponte trupi. I jepej të vjehrrit me hovje të verbëra dëshire pa e vështruar në fytyrë, pa i thënë një fjalë dashurie.
– Eja! – i thoshte ai, duke u hequr rrëshqanë nëpër kashtë, me krahë të mbledhura rreth kokës, e buzët i dridheshin sikur donte të hingëllinte.
Burri mëdyshej para asaj pangishmërie të tmerrshme që ia kishte thyer shpinën, para atij përçmimi të tepruar ndaj rrezikut; ai ishte i plakur, ishte frikacak. Mendoi për vdekjen me një dridhje të pavullnetshme; kutërbimi i dilte nga flegrat.
- A dëgjove gjë? – pyeti Nora duke ngritur kokën. Qëndruan në heshtje, me vështrimin nga fusha e errët, duke mbajtur vesh.
– Nuk është asgjë, eja! – e theu heshtjen ajo duke u shtrirë sërish në shpinë, ndërsa i vjehrri i mbështetej i nxirë në fytyrë, i inatosur nga pamundësia.
Nora bëri një ngërdheshje të papërcaktuar dhe tha diçka që tingëlloi si prerje brisku. Pastaj u ngrit duke u përpëlitur nëpër kashtën që epej, me krahë të kryqëzuar e me sytë të turbulluar, duke mbartur në gjak helmin e epshit të pashuar. Ajo zbriti në rrugë, ndërsa yjet dukeshin aty këtu mbi krye, në qetësinë e rimtë të muzgut.
Prej larg, nga kallamishtet e djegura dëgjohej kantilena e gjatë.
Rroko vdiq ditën e Shën Anës. Ishte një pasdite e nxehtë dhe e heshtur. Nga spiralja futeshin rrezet e diellit duke krijuar në hije shirita thërrmijash të arta që vlonin.
Nga ai grumbull eshtrash dhe lëkure të qelbur, ende gjallë nga grahma dhimbjesh, ende përpëlitëse nga ethet e mbrame të jetës, ngrihej një kutërbim mbytës nga ku përhapeshin valë valë mikrobet që do të helmonin gjak tjetër.
Rrotull nuk ishte askush. Në prag u duk vogëlushja, gjysëm e zhveshur. Në duar mbante një vesh qershi të kuqe.Rrezet e diellit përhapeshin duke ia prekur flokët e verdhë me shkëlqime të lehta. Ajo vështroi me kureshtje kah shtrojet ku i ati rrinte shtrirë e i pajetë. Nuk kuptoi, nuk pati frikë; u kthye e qetë në oborr, thuajse këmbadoras, si një kone e rënduar që ankon.
Gabriele D‘Annunzio
Përktheu: Ledia Dushi
Comments (0 posted)
Post your comment