Home | Literature | "Në pritje, furia e syve të tu të vijë"

"Në pritje, furia e syve të tu të vijë"

image Sebastiano Grasso
Dimri skandinav ka një fjongo blu

dhe një mbishkrim që nuk di ta përkthej.

 

 

 

 

 

Nga Bujar Plloshtani *

 

 

 

 

Që ta lexosh poezinë dhe vargun e frymëzuar, së pari duhet ta njohësh thelbësisht atë. Poezia nuk është teori që duhet mbajtur në mendje, por një krijim që brenda duhet të përmbajë filozofinë e mendimit mbi konceptet e ndryshme shoqërore dhe ekzistenciale. Shpeshherë lexuesi ndeshet me poezinë, pra me vargun që i referohet ndjesive, erosit, dashurisë, hënës (si metaforë për pikëpamjet e poetit) dhe kështu ai mund të arrijë ta përjetojë thelbin që është paraqitur nga poeti. Gjithkush prej poetëve të talentuar kërkojnë sot me çdo kusht ta thonë të bukurën dhe rëndësinë e saj për shoqërinë dhe kohën që jetohet. Edhe poeti Sebastiano Grasso duket se nuk ka mundur t’i fsheh zërat e tij të vrullshëm poetik, madje as të hesht mbi heshtjen e tij të mistershme që preokupohet mbi vegimet e tij ndaj dashurisë dhe erosit. Ai nuk mund të hesht, ose të mbyll sytë përballë syve që ia shpojnë thellë zemrën dhe shpirtin e tij, por mundet ta thotë ndjesinë përmes fjalës së bukur, të motivuar poetikisht. Vëllimi poetik "Ti, në grackë nën qepalla" duket se është më shumë në pritje, nga furitë e syve të saj që ia zhveshin emocionin që mezi e ruan nën buzë. Vargu i tij ka metaforë të thellë që mezi shquhet përmes një leximi të rëndomtë, po kështu poezia e tij ka bërthamë të mistershme të mendimit më të thellë që ruan tipizimin dhe teknikën e të qenurit poet modern. Në disa poezi ai paraqitet me vargun e mendimit real, që kërkon më çdo kusht t’ia tejkalojë vetes dhe rrethanshmërisë, pra ta paraqesë një realitet të ri krejt ndryshe nga kjo e zakonshmja që ne arrijmë ta shohim. Ai kërkon gjithnjë e më tepër ta kapërcejë të zakonshmen, ta ngre me anë të poezisë dhe mendimit të vrullshëm krijimtar bindjen e njeriut, emocionet midis dashurisë dhe dhembshurisë, abstraktes midis konkretes, reales midis imagjinares...

Thellësia e mendimit letraro-estetik brenda vargut mund ta bëjë poezinë e tij më të habitshme e të ndërlikuar për realitetin e të kuptuarit, mirëpo po kjo thellësi poetike mund të arrijë ta nxjerrë nevojën e domosdoshme për ta ndryshuar bindjen e shoqërisë në drejtimin e duhur. Mendimi i thellë në poezi për disa poetë mund të jetë një shkak i dobishëm për të paraqitur revoltën ndaj mendimit meskin të shoqërisë apo institucioneve me interes publik, andaj dhe poeti mund të ndodhet shumë pranë këtij rrëfimi që askujt nuk ia ka rrëfyer. Poeti Sebastiano Grasso shpeshherë në rrëfimet e tij poetike dëshiron t’i ndriçojë pikëpamjet për dashurinë, si koncept që i duhet çdo njeriu; më pas udhëtimet për të njohur botën apo civilizimet e ndryshme.

Në vëllimin poetik "Ti, në grackë nën qepalla", poeti ka shkruar poezi të ndieshme, të bukura, lakonike dhe të ndërlikuara emocionalisht. Aty është përpjekur të shkruhen përjetimet e poetit në udhëtimet e tij në Skandinavi, Siçili e kështu me radhë. Udhëtimi i poetit Grasso është më shumë një udhëtim poetik, se sa një udhëtim prej aventurieri. Duket se është duke u ndeshur ndërmjet qyteteve që kanë mbresa për të njohur vlimet e reja shpirtërore, ngritjet intuitive të masës njerëzore dhe peizazheve të ftohta të mbuluara me dëborë. Poezia e tij është e gjallë, e mishëruar prej vegimeve të vërteta në dashuri, dhe pikërisht kjo dashuri e bën poetin të jetë rezistent me kohën. 

Në poezinë "Dimër skandinav", poeti i kthehet një prej qyteteve skandinave duke e përjetuar bukurinë e dimrit skandinav që kalon përmes librit, dhe mbrëmjeve që kurdisin etje për një realitet të ri shoqëror. Duke e lexuar poezinë me vëmendje mund të konsiderohet se dimri skandinav për poetin paraqet një bukuri të rrallë ndiesore që thellë ai e përjeton në më të fshehtat e vrullit të tij krijimtar. Edhe pse i ftohti ka depërtuar në rrugët dhe xhamat e qytetit, përkundrazi, ai ngrohet me pamjen e pazakontë të dimrit skandinav, duke i kushtuar frymëzimet e tij për qytetet dhe dimrin skandinav. Duhet të jetë i rrallë frymëzimi dhe shikimet e një poeti si Sebastiano Grasso në vendet nordike, pasi ai sheh të bukurën dhe përmes të bukurës e krijon të bukurën në poezi. Poezia "Dimër skandinav" është krijim mjaft i ndier, që poeti ia ka vënë një titull simbolik, që shfaq bukuritë e natyrës, imagjinatën, këngët për dashurinë dhe hënën që sjell harenë dhe frymëzime poetike. 

 

 

"Dimër skandinav"

 

Krahë të ngritur. Qyteti bie nga ora në orë

mbi këta libra që mbyllin sekretet e Templarëve,

***

Dimri skandinav ka një fjongo blu

dhe një mbishkrim që nuk di ta përkthej.

***

 

Në poezinë e radhës "Profil bore", poeti e kthen muzën e tij sërish për ta përshkruar të ftohtin si mundësi për ta identifikuar e personifikuar dashurinë dhe vegimet që nxisin delire aromash. Këtu, ai çlirohet tërësisht nga emocionet dhe këndon i vetmuar mbi dashurinë nëpër udhët skandinave të mbuluara me borë, ku mbrëmjet janë fillikat të vetmuara nën shoqërimin e Hënës, që i jep jehonë mendimeve të tij dhe e ngjesh me imagjinatë për të kënduar për dashurinë dhe peizazhin që sytë ia ofrojnë pranë. Profil bore, edhe pse mbetet një profil i ftohtë, poetin nuk e mërdhih asgjë, ai me siguri mbetet i frymëzuar ende më tepër, duke e kthyer vrullin dhe vlimet e tij shpirtërore si nevojë për t’u shpirtëruar ende më tepër me arsyen që ta thotë të bukurën në mesin e këtij të ashtuquajtur profil bore.

 

"Profil bore"

 

Profile bore. Përmbys ti imazhin

e përmbysur dhe nxit delire aromash.

Të këndosh, mes të dashuruarve të rrugës. S’gjen

asgjë në horizont, edhe pse e mundon vështrimin

dhe imagjinatën, hëna i varrosi të gjitha

para shkëlqimit.

 

Sebastiano Grasso, pos vlimeve shpirtërore, ai i kthehet dhe motiveve që artikulojnë pak eros në mes të natës. Edhe psikoanalisti i njohur Sigmund Frojd e tha se qenia njerëzore është e prirur dhe ndiqet sipas nevojës ndaj erosit. Kështu, poeti guxon ta konstatojë nevojën ndaj erosit edhe me anë të poezisë, vargut që i përmbush nevojat e thella intuitive dhe instinktet e njeriut. Instinktet e poetit nuk janë veçse motive, por një realitet që e përmbush atë me çdo kusht. Përmbushja e tij prej vërteti paraqitet nëpër poezitë e tij. Po e paraqes nevojën njerëzore ndaj erosit nën paraqitjet e mahnitshme të poetit Sebastiano Grasso në poezitë e tij të më poshtme si "Natë surrealiste" dhe “Të këputësh agimet”. Në poezitë e më poshtme, poeti përfundimisht shfaq cilësitë e tij të favorshme, të cilit qiejt ia kanë dhënë si thesar për ta thënë të bukurën, të ndërlikuarën, të thjeshtën dhe erosin përmes poezisë me stilin modern të të shkruarit. 

 

 

"Natë surrealiste"

 

Një violinë në rrugë përsërit me orë të njëjtën

qarje dhe nga ballkonet tashmë dikush bërtet

se nuk mundet më. Dysheku ishte

më i ashpër në atë natën tjetër surrealiste

në të cilën gjumi u shpall i falimentuar.

Është fytyra jote në sirtarin e parë

 

***

 

Një poezi tjetër që prek instinktet e erosit dhe dashurisë, por tashmë me një simbolikë të gdhendur teknike, përmes fjalës simbolike dhe të zgjedhur e përshkruan realitetin ndryshe, duke shfrenuar bindjet erotike si një mundësi për ta kapërcyer veten nga rrethanshmëria e përditshme. Në poezinë “Të këputësh agimet” përdor një teknikë simbolike, ku vargu çlirohet nga përditshmëria dhe thyen bindjet e ngurta shoqërore. Një vëmendje ndaj kësaj pozie mund të na detyrojë ta kuptojmë poetin ndryshe nga gjithçka. Këtu poeti është ndryshe, mendon ndryshe dhe shkruan ndryshe, prandaj dhe dashuritë e tij janë ndryshe nga realiteti i përditshëm. Ai mund ta thotë ndryshe të vërtetën, që të tjerë nuk e thonë as edhe me një libër të tërë. Ky është poeti Sebastiano Grasso, i cili meriton të lexohet me kujdes adekuat, pasi ai shumë më ndryshe i këndoi dashurisë, erosit, hënës, qyteteve skandinave nga çdokush prej nesh.

 

“Të këputësh agimet”

 

***

Zërat tanë coptojnë

flukset e reflukset, hiri bën pis parketin

dhe mes gjinjëve të tu shtrij dorën dhe fillon

solfezhi me mollzat e gishtave. Thonë që përroi

u çmend dhe ujrat vërshojnë luginave.

Nuk duhet shkuar në teatër, ditë pas dite

drama do të luhet brenda mureve shtëpiakë.

 

 

 

* (Ky artikull për Laureatin Sebastiano Grasso botohet në kuadër të edicionit të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "DITËT E NAIMIT", Tetovë)

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00