"Kjo dashuri"
Magji janë sytë e tua që mua më robëruan, Dhe mbi lirinë time të plotfuqishëm janë: Porse për të më mbajtur, në të mbajnë duan, U duhet dashuria veç bukurisë që kanë.
Këto ditë ka dalë në qarkullim përzgjedhja me poezi nga gjuha franceze, hartuar nga Hashim Baftiari, titulluar "Kjo dashuri".
Kozmosi me lirikën erotike e përmbush parajsën e ndjenjës së përjetshme. Kjo formë e përjetuar e lirikës është shumë e afërt me individin, sikur ajo t’i dedikohet atij, sepse dashuria nuk është vetëm etje e njëanshme, personale, por është edhe një etje e përgjithshme sublime përjetuese, kur lejon që kjo poezi të duket, sikur gjithçka merr formën e dritares së hapur që përndjek një shikimin erotik në çdo çast të jetës. Të duket se përmes kësaj poezie intime dashuria e individit bëhet më e plotë. Përmes kësaj ndjenje erotike të largësisë dhe afrisë gjejmë gjurmët e mallit të pa shuar individual. Këto vargje janë imazhe erotike të ndërtuara me stile të veçanta franceze. Ajo çka e tërheq autorin Hashim Baftiari është arti poetik dhe vlerat estetike të këtyre poezive të përkthyera nga shumë autorë shqiptarë, madje e tërheq bukuria e shumëllojshme e lirikave, si dhe muzikaliteti, gjetja metaforike, ekspresiviteti i vargut, dhe sidomos të atyre vargjeve që shpalojnë ndjenja të forta për ta shijuar të bukurën estetike të rrallë. Kjo antologji mund të jetë një mirëseardhje për lexuesin e kohës sonë, ngase lexuesit të interesuar për këtë letërsi të madhe franceze, i ka munguar një mundësi e tillë. Besoj se kjo përmbledhje sado pak do të gjejë lexuesin e vet shqiptar, për t’i shijuar fjalët e bukura të autorëve dedikuar dashurisë, e cila si e tillë mund të përmbushet vetëm duke përvetësuar përvoja të ndryshme. Ne si lexues mbetemi t’i shijojmë këto vargje kur ta kemi në duar këtë antologji. Andaj secili do të ketë mundësinë të krijojë në vete gjykimin dhe vlerësimin e këtyre vargjeve të autorëve të përfshirë në këtë antologji.
Remzi Salihu
François de Malherbe (1555 - 1628)
E DASHURA QË VEÇ PREMTON
O bukuri mizore, me shpirt të pavendosur
Ku si në det batica edhe zbatica ke,
Vendos që të ma heqësh kët' dhemkë të pasosur,
Në mos po vendos vetë mos ta duroj endé.
Magji janë sytë e tua që mua më robëruan,
Dhe mbi lirinë time të plotfuqishëm janë:
Porse për të më mbajtur, në të mbajnë duan,
U duhet dashuria veç bukurisë që kanë.
Kur them se arrita pikën ku puna do bitiset,
Gjithmonë pa bitisur ndonjë sebep e lë:
Është coha e pafundme e gruas së Uliksit,
Ku puna e bërë ditën - ndaj të gëdhirë u çbë.
Kuptoje pra, moj zonjë, se humb lavdinë tënde
Kur ha kështu premtimet edhe s'e ke për pesë;
Paske kujtesë të dobët, në se s'të bje ndër mendje,
Në se të bje ndër mendje, aherë s'paske besë.
Kur ty të dashuroja, pata menduar prore
Se s'ka veç vdekjes forcë prej teje që më ndan;
Tani në ndodhtë ndryshe, ti vetë je fajtore
Që bën premtime shumë edhe asnjë nuk mban.
Përktheu: Aurel Plasari
Titulli: "Kjo dashuri", poezi e zgjedhur franceze
Autori: Hashim Baftiari
Fotografia: Vajza duke lexuar nga Jean-Honore Fragonard
Botues: Rezna, Tetovë
Faqe: 171
Çmimi: 5 euro
Comments (0 posted)
Post your comment