Vend i Thyeshëm
Muret e shpijave janë kështjellë të rrxueme me frangjija të panjehuna...
Nga Martin Camaj
NJI STINË E HUMBUN
Verës sa nji mëngjes me vesë
nuk ia pau kush ballin simjet
me sy të përlotun të sjellun
kah mali.
Vjetit nuk i mungon asnji ditë
në kalendar e i dhimbet
e mbramja pikë e dyllit në djegie:
e sotmja ka ndijen e dridhjes
së fletëve të shqemes
para dhambëve të sutës.
LETËR NGA JUGU...
Larg në nji tjetër botë jam
e shikoj kah mali :
rêt ruejn majën kujdesëshëm
pse ajo âsht e vetmja mbështetje
e qindresës së tyne në ajr.
Harrova gjithshka, Lule,
në botën e malit e të qiellës
unë pasqyrë e pandame e rêve.
Po të shkruej se këndej
sa shkambi ka ngjyrën
e faqeve të rrezituna.
Muret e shpijave janë kështjellë
të rrxueme me frangjija të panjehuna
e njimij sy më shikjonë
npër to kur parakaloj
në pikë të mjesditës pa hijen teme për bri.
Lule, sonte ndoshta do të bijë
shi i nxhetë në Jug
e nesër do të shoh mes avullit
ylberin e shtrëngatës së kalueme
e atëhere kam me kthye te ti.
VEND I THYESHËM
- Fiseve poshtë rreth Drinit -
Mes malit Molç e Qerretit
hapet humnera deri në lumë:
si të kish qenë ajo liqe
n’barka druni palnje ishim endë
mbi të, jeremi.
Kishim ditë përmenç
emna peshku t’ambël e jo
shpendësh rrëmbyes e bimësh
t’egra.
Edhe drita e synit e kaltër
do të ishte e jo e zezë.
N’ujë kishim notue
e jo në re.
Comments (0 posted)
Post your comment