Ajo
Me një pikë lot, më rijep jetë Me dy pika, më lëndon, Pikë e tretë me vdes, më tret Më fik, si llambë e natës vonë.
Leonard Seiti
Ajo, Vjeshta ime plot ngjyra magjije
Shpirtin ma zhveshi, si pemë, ngadalë
Pastaj,më veshi me Aurorë dashurie
E u puthëm pa-reshtur, si bregu me valë
Ajo,vjeshta ime me shpirt të zhveshur
Që flokët e gjata i shpurpuris gjithkund
Në parkun e ëndrrave m’zbriti buzëqeshur
Zilkat e shpirtit me qerpikë nis t’mi tund
Ajo, zemrën e shtrydhi e nis t’i pikoi
Dhe buzët m’i lagu me t’kripurin lotë
Pastaj mes gjetheve pa jetë më trazoi
Si një kufomë pa emër, pa varrë në botë.
***
Ndodhi, kështu, pa e kuptuar
Dhe u rrëzuam në një hon
Si të ishim dy pika loti
Rënë nga qielli, natën vonë
Ndodhi, dhe humbem që të dy
Arenave, ku plagosen zemrat
Unë, i dënuar, të të ndjek ty
Ti, e dënuar, të tretesh ëndrrash
Ndodhi, kështu, krejt rastësisht
U rrëzuam të dy, pa e kuptuar
Ti humbe zemrën, unë dhash shpirt
Ne ishim Lot, dy të mallkuar.
***
Ajo, errësirën kalëron
Mbi trupin tim, për ç’do natë
Dhe kur e ndjen se po më zgjon
Kthehet në ëndërr dhe ikën prapë
Ajo, më merr në sy për ç’do mëngjes
Me vështrime gjithkund më hedh
Dhe kur petaleve s’ka pika vesë
Pikë loti, nga shpirti derdh
Me një pikë lot, më rijep jetë
Me dy pika,më lëndon,
Pikë e tretë me vdes, më tret
Më fik, si llambë e natës vonë
Dhe kur e ndjen se jam në gjumë
Mbi trupin tim vjen e vallëzon
E mbasi ndjehet e lodhur shumë
Derdh një pikë lot kristal, më zgjon.
Comments (0 posted)
Post your comment