Dëshira e premierës (Cikël poetik)
Vera e sivjetshme vdiq mbi Shtator. Vera e buteve akoma jo! ...sepse është në gjakun tim...
Nga Ilir Shyta*
Bosh
Unë e ti
pa dashuri.
Zemrat vet’mëvete
janë sy statujash
që shenjojnë
funeral lumturie.
Nën çati
Vera e sivjetshme
vdiq mbi shtator.
Vera e buteve akoma jo!
...sepse është në gjakun tim.
E shenjtë,
e ëmbël dhe e hidhur,
gjithë trupin ma deh.
Dhe prapë
të pi të gjithën,
më pi të gjithin...
Plot pjalmim
errësira xhelozon nudizmin,
mes çarçafësh!
Kumbarës
(Ana Jovanit )
Mbrëmjes
jeton tej largësisë, mallin
kalëruar si Doruntinë.
Agut
pi gotën e diellit
e rrezaton për mua.
Thua të jetë dashuri?!
Ëmbëlsisht bënë qejf
(Prezervativi doli jashtë mode).
Klithje,
Ngrohtësi
Jo intimitet...
Pastaj në lojë hyri kënga,
E plaka lara-lara
I kreh flokët mbi trup.
Krijesa ofshan,
Duron...
duket s’e kupton lezbizmin!
Requiem për J...
Kambanat gjëmojnë papushim,
litarët e gjatë
akrobaci i bëjnë ajrit.
Organo luan requiem .
Mesha filloi dhe mbaroi.
Hija e saj
është jashtë-brenda meje
si dikur.
Sa keq që të ëndërruarën puthje
Harruam!
Ti je larg,
shumë larg.
Kaptuar male, shtete, oqeane...,
Ke marrë formë avioni.
Shkrihen zhurma, ajri... në një
e ti bëhesh kaltërsi
që syrin tim vret.
Tani je larg
vetja më është
gjymtim dhe mall,
dhimbje dhe shpresë.
Ti je larg dhe afër.
Afër dhe larg.
Dritësorja e fakultetit
ka vështrimin tënd.
Sytë e t’u zëvendësuar
kanë xhamat.
Në pritje të çdo vështrimi
dashuror,
cigaret digjen e tymojnë
aromë trupash
si atëherë.
Vetëm mimozat nuk duan
të ledhatojnë syrin e qelqtë,
ndaj anën time mbajnë.
Unë rri e vështroj statujshëm
etydin e malltë.
Verdhësia e pemëve
pikon hije të verdhtë,
si ajo llamba konviktore
netëve të vona,
errësirë i pikonte lakuriqësisë tonë
deri në çastin,
kur fshesaret fillonin të fshinin
rrugën e fatit,
e dashuria mbulohej
me pluhur malli,
si sot që je larg
kur e verdha hije,
hijezon trupin tim të mishtë
e duket sikur toka na mbledh
me perin e Arianës.
Fillin e hijes së dielltë
dhe të verdhin fill të rrezes
pranë mimozës
shtërngojmë të dy.
Me pè në duar, sy...
fluturojmë avionësh
të fatit haraq
e mbase një ditë
mbrritja është
në aeroportin (oborr)
të fakultetit,
ku si zanë kreshnikësh
Ariana ndriçon
requiemin e dashurisë,
e na ruan edhe pse larg
njëri-tjetrit.
Me fillin e saj ndoshta
një ditë do ndezim
ëndrrën e dikurshme,
e flaka magjike
do kumbojë jo nota requiemi,
në festën e bashkimit
të dëshirave tona!
Dëshira e premierës
Të kisha parë
s’më kishe parë,
e njëkohshëm përtypnim suksesin
dhe ngrinim flamuj
të buzëqeshur virtualë.
Bobina e metrazhit vijon të luajë
ende ekranizimin e Vitit të Mbrapshtë.
Fletët e librit janë
ftesa e një eksperience të re,
për të firmosur
llojin e përjetësisë
së gjithësecilit.
-Ku do ikësh tani?
-Në shtëpi, të thashë!
…dhe nata e kryeqytetit
errësoi si në fundfilmi
minutën tonë.
Nuk u ndamë si miq
që të takoheshim gjithë mall.
Ajo ishte një natë
e mrekullueshme
për në tejmiqësi...
Mbase ju ka ndodhur…?
E tillë është performanca
edhe këtejmi Gjermanisë!
B. D., më pas u harrua në intervistat
e premierës…!
Njerëzit janë si yjet
nuk i sheh gjithmonë,
por e di s’e ekzistojnë
me sukseset e tyre!
U shkrep një foto,
më saktë disa të tilla
që ti s’i refuzove në ballinë të Millennium-it.
Kishte diçka të përafërt
mes nesh,
në prezencën tënde
që i nevoitej prezencës sime.
Ajri i zbrazët
njëlloj si dashuria
më krijoi boshësi,
në sallën e mbushur përplot.
Nga inati dua të thyej ekranin e gjerë
dhe ta puth Martën,
m’u përballë spektatorëve
dhe vetë B. D.-së!
(Cikël poetik nga Ilir Shyta)
* Dr. Ilir Shyta është pedagog i letërsisë bashkëkohore shqipe në Universitetin “F. S. Noli” të Korçës. Ka botuar: “...kur çmendej Dea!” poezi 1997; “Trill vjeshte” poezi 1999; “E vërteta bën keq në zemër” sprovë letrare 2006; “Lasgush Poradeci, bibliografi e arsyetuar” studim 2009; Ai është gjithashtu autor i dhjetra artikujve shkencorë për letërsinë, në revista universitare brenda dhe jashtë vendit...
Comments (0 posted)
Post your comment