Zgjohu, Kosovë!
Kosova Që nga ujrat e kulluara të Ohrit Deri në errësirën e minierave të Mitrovicës...
Zgjohu, Kosovë! Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
zgjohu, oj! A po e ndjen vajin tim?
A po sheh si t'i kam ngulur sytë
mu në zemër, mu në shpirt,
si t'i kam hedhur duart rreth belit
për të përqafuar unë, ashti yt?
Zgjohu, Kosovë!
- Ali Podrimja (1942 - 2012)
* * *
Kosova
Me ndarje dhe nënndarje gjeografike
Me ndarje dhe nënndarje historike
Kosova
Që nga ujrat e kulluara të Ohrit
Deri në errësirën e minierave të Mitrovicës
Që nga brigjet e kaltra të Ulqinit
Deri në Qelekullën e në fushën e Nishit
Kosova
Fushë e begatshme me fruta e grunore
Që bie erë pranverës e tëra lule molle
Kosova me male kreshnike
Male të zhveshur me pisha e bredhishte
Që e rrahin qiellin me krahë shqipesh
Që e dehin diellin me aromë rreshirë
Që e ndezin qiellin me zbardhëllime dëbore
Kosova
Krahinë shqiptare që në fillim të saj
Tokë e Manastirit
E Prizrenit
E Plavës dhe e Gucisë
Tokë e legjendave legjendare të Gjergj Elez Alisë
Kosova
Legjendë e mbetur në rrugëkryq të historisë
Kosova
Gjithnjë ashtu si gjithnjë
Më dhëm të shternguar e me shpirt ndër dhëmbë
Kosova
Ku shqiptarët flasin një gjuhë dhe dëgjojne dy gjuhë
Kosova gjithnjë ashtu.
- Bilal Xhaferri (1935 - 1986)
* * *
Do t'valvitet m'Kaçanik
M'Kaçanik, po, do t'valvitet
Kuq e zi Flamuri i shqyptarvet,
Përse toka shqyp ku flitet,
Ajo vetë asht, q'i prej t'parvet
Trashigim na e kemi pasë:
Mbrendë i huej, jo ma s'do t'shklasë,
Posë atëherë kur vjen për mik.
Jo, jo: sot na ktu sundojmë;
Ktu s'hecë fjala e tjetër kuej;
Gjall Lirin' na nuk e lshojmë
S'njohim mbret as krajl të huej.
Zoti n'qiell e na mbi tokë:
Me gjithkënd vllazen e shokë,
Por se i cili m'cak të vet.
- Gjergj Fishta
Comments (0 posted)
Post your comment