Intervistë me Dr. Ilir Shytën
Dr. Ilir Shyta, është vlerësuar me titullin "Doktor" i Shkencave në Letërsi pranë Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës...
Nga Dea J Klosi
Dr. Shyta, ju sapo jeni vlerësuar me titullin "Doktor" në Letërsi. Jeni një ndër studiuesit dhe mbrojtësi i veprës së poetit të njohur, Lasgush Poradeci. Ç’do të thotë për ju ky titull? (Tema e studimit "Receptimi i Poezisë së Lasgush Poradecit" me udhëheqëse shkencore Prof.Dr. Dhurata Shehri) A ka qenë e vështirë rruga e suksesit?
Dr. Ilir Shyta: Është e vërtetë. Saktësisht më 21 Shtator 2015, më është dhënë titulli “Doktor” i Shkencave në Letërsi, pranë Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Theksova datën, sepse mbetet një ditë e rëndësishme për mua, që sigurisht skalitet thellë në kujtesë. Vlerat e Lasgushit janë koherente, por ajo që dua të theksoj është fakti se ai konsiderohet nga kritika letrare, si poeti i parë modern shqiptar dhe si liriku më i madh i shekullit që lamë pas. Më lejoni të përmend një citat personal të tij për të madhështuar koherencën lasgushiane. “...poeti nuk rron jetën e vdekur të vet, po jetën e pavdekur të Kombit të vet. Përpara së gjithash është Poezija. Ajo formon shpirtin e kombit. Një libër me një roman është një libër bashkëbisedimi, ndërsa një libër me poezi është një libër formimi. Prandaj duhet të shkruajmë poezi jo të mirë, po shumë të mirë, jo të lartë po shumë të lartë, shumë të thellë, shumë të gjerë, që t’i vemë shpirtit të kombit themele... të shëndosha”.
Për t’i mbetur pyetjes së rrugës së suksesit, them që ajo ka drit’hijet e saj, ngritjet, uljet, sërish ngritjet. Nuk besoj që ka rrugëtim të lehtë, por kur gjërat bëhen me pasion dhe profesionalizëm mendoj se kalvari të shijon në fundin e tij. Doktoratura ime vë Lasgushin përballë lexuesit të tij ndër vite, si në Mbretërinë e Zogut, në atë përgjatë dy luftrave botërore, si dhe në diktaturë dhe demokraci. Është një punim interesant i mbështetur në gjurmët e studimeve më të mira për receptimin. Meqë ju në pyetjen tuaj përmendni edhe udhëheqësen time shkencore, Prof. Dr. Dhurata Shehrin, sigurisht them që është fat të punosh me të. E di që asaj si pëlqejnë glorifikimet, por për mua, ajo, mbetet pjesa më e bukur e rrugëtimit të dy studiuesve që ndajnë bashkë përpjekjen. Prof. Shehri ka qenë engjëlli im mbrojtës, në përfundimin me sukses të doktoraturës sime.
Dr. Shyta, Ju jeni pedagog, poet, studiues dhe publicist. Si kanë qenë fillimet tuaja të para në lëmin e Letërsisë? Siç dihet, flitet se lexohet pak ose aspak, sipas jush a mund ta zëvendësojë ndonjëherë Interneti, librin?
Dr. Ilir Shyta: Listimit tuaj do t’i shtoja edhe pozicionin e gazetarit televiziv. Pa u bërë emotiv për veten time, them që të gjitha plotësojnë njëra-tjetrën mësë miri në rrethin vicioz të përditshmërisë. Mësimdhënia në universitet, artikujt shkencorë, kërkimi shkencor, letërsia, krijimtaria, gazetaria..., uf sa shumë... Bëj shaka në përdorimin e pasthirrmës, por, kur gjithëkush di t’i bëjë gjërat mirë, mendoj se ia del. Askush nuk duhet të jetë modest, koha e saj ka ikur. Nëse ke sukses, e ke atë, një moment apo përgjithmonë. Nëse jo, sigurisht që se ke. Kur ndjen se e bën mirë atë që do, kjo është e gjitha. Ndaj insistoj të them që ka ikur koha e modestisë.
Krijimtaria ime fillon me poezi. Nuk kam provuar të botoj prozë edhe pse kam pothuajse gati një novelë sms-sh. Mendoj se thurrima e saj vjen si risi në këtë gjini. Në qendër është një love story që gryen ende përroin e ndërgjegjes...
Sa për poezinë, kam disa krijime të reja, disa akoma të pabotuara nga koha e shkrimit të tyre. Po nuk e vë në dyshim se poezia mbetet elitare në sqimën e shijimit të saj. Edhe kur ajo është e thjeshtë për t’u receptuar, sërish mbetet elitare për t’u përtypur. Nuk mendoj se lexohet pak. Përkundër poezia lexohet shumë dhe shijohet pak. Poezia përgjithësisht kuptohet nga masa e gjerë e lexuesve edhe ajo më elitarja, por teza ime vijon të mbetet kokëfortë te pjesa e përjetimit të saj... Përgjithësisht, faktin e të lexuarit pak, do e shikoja në kontekstin e përgjithshëm të letërsisë, të të gjitha llojeve dhe nënllojeve të saj. Përkundër, përballë tyre, poezia është ajo që lexohet më së shumti. Problemi i madh, i kohës sonë është që përgjithësisht lexohet pak, kjo edhe nga studentët e Letërsisë. Leximi është kulturë më vete, që të realizon si frymor në shtigjet e jetës, leximi është një ajrosje letrare e domosdoshme në ekzistencë! Për hir të së vërtetës interneti po e zëvendëson librin. Njerëzit janë të prirur drejt botës virtuale. Libri, gazetat dhe revistat on-line po dominojnë. Edhe mirë, edhe keq do ta përkufizoja unë këtë epokë. Ta pranosh je trendy, të mos e pranosh je demode. Po ta hajë dreqi, kemi nevojë për pak aromë letre, faqesh libri edhe pse mund të ngjajmë jashtëmode:)
Sot, flitet shumë për kritikën letrare shqiptare që, sipas mendimit të përgjithshëm, nuk ekziston. Ndërkohë, hasim vetëm kritikën e parathënieve miqësore dhe prezantimeve shoqërore… Si e mendoni Ju rolin e kritikës letrare?
Dr. Ilir Shyta: Kritika letrare është kryefjala e letërsisë. Nuk mund të them që s’ka të tillë. Ndoshta jo shumë të mirë, mbase edhe sporadike, mbase jo shumë e për lumë si nën diktaturë. Ekziston pjesa e saj e klonuar në formë parathëniesh apo parafjalësh, në promovime librash. Do të thoja më mirë të ketë një performacë të tillë edhe pse të dobët, sesa fare. Ky vend ka kritikë të mirë, të kualifikuar dhe profesionalë. Ata e thonë fjalën e tyre. Ai që do hap sytë dhe veshët drejt saj. Për të mos i fluturuar pyetjes, ndonjë syrresh i saj e retushon mendimin e tij të “pavaruar” edhe përmes kahut politik. Kjo lloj kritike e angazhuar mbetet servile dhe këta lloj kritizerësh, Dantja do të vijonte t’i linte në portat e paraferrit. Dëmi i tyre është pjesë e fajësisë kolektive të ditëve tona. Kritika profesionale ekziston. Një 30-vjeçar kalendarik do i verë saktë pikat mbi i, do të bëjë bilancin e asaj që është shkruar në këto vite tranzicioni.
Dr. Shyta, si e përshkruani politikën shqiptare sot? A përbën ajo një material të përshtatshëm për zhvillimet letrare?
Dr. Ilir Shyta: Politika shqiptare mbetet kaotike. Është një pikë pa sipërfaqe, është një rreth vicioz. Për sa kohë makinës së saj nuk do t’i afrohen drejtues mjetesh të rinj, mjeshtrat e rrethit vicioz do na lejnë në të njëjtin stacion, pa e prekur revanshin e botës së qytetëruar. Në politikë duhet një erë e re, e njerëzve të rinj, e imazhit të ri. Njerëzit e ricikluar të diktaturës duhet të dalin nga skena politike. Mirëpo kjo është vite dritë larg dhe shqiptarët do qajnë akoma në grupfatin e tyre të mbrapshtë.
A mund të veçoni librin më të bukur që keni lexuar deri tani? Si edhe diçka për vendlindjen tuaj, Pogradecin?
Dr. Ilir Shyta: “Emri i trëndafilit” të Umberto Ekos. Lista është shumë e gjatë dhe një titull është pak, shumë pak në këtë zhvillim njerëzor. Mbase ky titull më erdhi si prangim ndër vite, apo edhe si kortezi për mjeshtrin e madh që bota jonë e humbi këto ditë.
Pogradeci mbetet qytet i dashur për të gjithë. Kam idenë se me të dashurohesh në çdo stinë. Gjithkush arrin deri në afeksion personal me qytetin tim... Shkel një herë dhe Pogradeci mbetet dashuri që të bën ta kthesh kokën pas...
Gjithashtu, Ju jeni edhe fituesi i poezisë më të mirë për “VERËN PIJE 2015”, që organizohet në Pogradec çdo Dhjetor? Diçka më shumë për lexuesin?
Dr. Ilir Shyta: Poezia titullohej “Nën çati” dhe është fiks një gotë verë e kuqe, që frymorët e pijnë të gjithën si eliksir. Kam dëshirë ta risjell edhe një herë poezinë për kënaqësinë e atyre që do e lexojnë këtë Intervistë.
Nën çati
Vera e sivjetshme
vdiq mbi shtator.
Vera e buteve akoma jo!
...sepse është në gjakun tim.
E shenjtë,
e ëmbël dhe e hidhur,
gjithë trupin ma deh.
Dhe prapë
të pi të gjithën,
më pi të gjithin...
Plot pjalmim
errësira xhelozon nudizmin,
mes çarçafësh!
Së fundmi, a keni diçka në dorë tani, dhe kur mund të shpresojmë një vepër të re nga Ju?
Dr. Ilir Shyta: Besoj se do nxjerr diçka për botim. Një libër me Intervista Vip, të gjitha ekskluzive për mua. Janë 31 intervista të veçanta. Po zbuloj se veçanësia e tyre lidhet me qytetin tim. Të gjithë personalitetet e përzgjedhur nga jeta politike, letrare, artistike dhe sportive, me përgjigjet e tyre, vizatojnë profilin e Pogradecit. Pra është një libër, i cili e bën biografinë e Pogradecit, nga goja e të intervistuarve. Biografia e një qyteti në intervistë do të jetë risi në llojin e botimit tim.
Ju falemnderit!
* Dr. Ilir Shyta është Pedagog i Letërsisë Bashkëkohore Shqiptare në Universitetin “F. S. Noli” të Korçës. Ka botuar: “...kur çmendej Dea!” poezi 1997; “Trill vjeshte” poezi 1999; “E vërteta bën keq në zemër” sprovë letrare 2006; “Lasgush Poradeci, bibliografi e arsyetuar” studim 2009; Ai është gjithashtu autor i dhjetra artikujve shkencorë për letërsinë, në revista universitare brenda dhe jashtë vendit.
Comments (0 posted)
Post your comment