Fundi i mbinjeriut - Sibel Halimi
Toka nuk është simbolikë e nënshtrimit As qielli i superioritetit Njeriu tue u ba mbinjeri, kontestoi ekzistencën e tij Ne mbetëm syhapun Mos po qahet qielli më dysh Prej nji toke- dy mu ba Nji ngjizje krishterore Prej vetes, prej tij, prej saj
Biografia
Sibel Halimi ka kryer studimet MA në departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Aktualisht është e angazhuar si ligjëruese në lëndën "Studime gjinore", në Departamentin e Filozofisë si dhe asistent profesore për grup lëndësh në departamentin e sociologjisë në Fakultetin Filozofik.
Gjithashtu, është e angazhuar në Qendrën e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim ATRC në ekipin e granteve Programi Angazhimi për Barazi E4E të financuar nga USAID.
Sibel Halimi, njihet si aktiviste për barazi gjinore dhe të drejtat e grave. Me angazhimin e saj, ka arritur që disa çështje që kanë të bëjnë me gratë t`i vërë në fokus të debatit publik. Ajo është aktive edhe në fushën e publicistikës. Si sociologe ajo boton në vazhdimësi artikuj që trajtojnë problemet e shoqërisë kosovare dhe opsionet për tejkalimin e tyre.
Ka të botuara dy libra me poezi: "Kopshti i mëkateve" dhe "Qenia nuk banon këtu" si dhe një sërë hulumtimesh në fushën e studimeve sociale dhe gjinore.
Sibel Halimi
Nana – politika
Tutna me shkru veç për gratë
se s`du asnjiherë me ju hi n`hak
Kurrë njoftë lirinë s`ia kemi
Veç kemi dërdëllitë
e kemi ba nanën
plagë të përvujtun
e kemi shtri për toke
e kemi naltësu në vargje
ia kemi rritë dashninë,
madhështinë
prej rolit s`kemi mujtë me nxjerrë
Kauzën ja kemi kriju, por zanin kurrë digju
Se kjo shoqni ka zanë n`thu
Nanën kauzë politike tue ba
Liria e saj nuk asht dogma e jote - as e jemja
Është veç liri ... qoftë edhe vdekja!
Vetes
Më mbuloni sikur të jem nga argjila
Vepër e mallkimit tuaj
Sikur të jem pëllëmba e fundit
ku thundra hipur ka mbi barkun tim
E unë marrë frymë dhe jetë tjetrit i jap
Më mbuloni, e botës frikë i shtini
mbyllni dritaret e epshit tim
lejoni që shikimi im të jetë vetëm juaji
sisët e mia le të takojnë vetëm ty
që i deshe gjithnjë
edhe atëherë kur ma mbulove dëshirën
me mushama
Mi mbuloni fërkemet në rrugën e vetmisë
E lumturia ime le të mbetet e juaja, s`ka dert
Po ua fal, se kiameti s`bëhet
Më mbuloni, me penel të zi m`i nxini qerpikët
Që dita të më duket natë, e nata ditë
Më mbuloni, që t`i vrasë fjalët
Se nata dëshmitarë nuk ka
E krim nuk është veç me vra
Më mbuloni, lirinë t`ua fal
E kënaquni kur kuptimin e jetës nën vello ta zbuloni
Kur turpi t`u dëftohet në të qarat e para të fëmijës
Trishtohuni!
Më mbuloni, por, ti njeri, jo
Le t`i falem dheut
Përjetësisht!
Fundi i mbinjeriut
*
Kur njeriu u bë mbinjeri
Kafshët u bën të zotët e botës
E njerëzija përtoke të gjunjëzuem
Të tillë, pothuajse gjithnjë ndje i kam
Kurrë s`e kam kuptu, pse pakurrizorë janë
**
Toka nuk është simbolikë e nënshtrimit
As qielli i superioritetit
Njeriu tue u ba mbinjeri, kontestoi ekzistencën e tij
Ne mbetëm syhapun
Mos po qahet qielli më dysh
Prej nji toke- dy mu ba
Nji ngjizje krishterore
Prej vetes, prej tij, prej saj
***
Po shoh diçka ma tepër
Të shoh ty
Të ndjejë rrallë
Kohë dot s`kam
N`hapësirë jetoj
Por, pa ajër
Të dyja janë aposteriori - une apriori
Kanti krejtësisht matanë
****
E sëkëlldisur në shtratin e botës
Peshë diçka më qon
Më lëvizë, më trandë
Sikur vdekja të më ishte pranë
*****
E ndjej thellë në mua nji madhështi,
Një duhmë përjetësie
Frymën se ç`ma zë
Nga majat e gishtave te fija e flokut
Mornicat thurin elegjinë
E përjetësia lumturinë sakaq e bën fli
Të du
Të du pse je ti
Asnjëherë andrru s`e kam
Me jetu pa të pas ngat
Në mes neve është një oqean
I kthjelltë e i kaltër si na
E kur e gëlltit diellin e fut n`bark
Të du
Se kur qesh unë, i gëzuem je ti
E kur qaj, i trishtuem je
Të du, se kurrë nuk e di deri n`fund kush je
Asnjiherë s`kam dashtë me ditë
Këtë betejë t`humbun e kam pas
Të du
Se kjo fjalë ka kuptim me ty
I ka rezistu çdo hipokrizie ngatë saj
Të du
Se dashnia i pengon njerëzve
Tuten se me dashtë asht me u ndi i vogël
E kurrë s`u tuta mu ni e tillë
Të du
Se ti më ke mësu qysh asht me dashtë
Ma ke mësu nji rrugë t`cilën se kam shiju tu nga sa ç`kam mujtë
E me ecë ditë kurrë s`kam
Të du
Se kur kam ra përtokë, ti mi ke njeh yjet
M`ke thanë qoje kryet e shihe veten qysh po shndrit
Si nur i bukurisë
Të du
Se ma ke thjeshtu jetën
Mi ke tretë dilemat
E m`ke dhanë puthje të panumërta
Të du
Se njerëzia pak e përdorin këtë fjalë, prandaj besojnë në religjion
Të du
Sepse me dashtë nuk asht veç një akt
Asht esencë...
Jeta në të sosun
Në këtë vend jeta po soset,
veç duhma e njerëzve po ndihet
rrugës fosile njerëzish arkaik
që t`shalakatun ecin tutje - tëhu në kërkim të hiçgjaje
Dikush në facebook përjarget, tjetri gulçon
Jeta është faculetë që n`shportë mbaron
N`kët vend thonë mirë ka mu ba
Përgjigjen kurrë kush se di
E nëse najherë ajo njëmend ndodh
Mos besoni asht sall fatamorganë
Po sosen tana, po tkurren
Atdheu çdo ditë po kputet
S`du atdhe që prej vete gja s`ofron
Eutanazist me qef për ta isha ba
Poshtë atdheu, se i ligsht ma mirë mos me kanë...!
Lermëni
Mu hiq qafe burri i dheut
Dashnoret kurrë rehat s`të bëjnë
Të endin rrugëve të kryeqytetit
Fytyrëskllav për gjynah
Strehë s`të bëjnë
Ftohtin në palcë ta shtinë
Ti s`ke ku e futë
Ato më parë dreqin në shishë e kanë shti
Dashurinë në kuti shkrepëse ta izolojnë
Shikimi yt, i huaj ngjason
Fëmijë të bëjnë e jargët rrëke të shkojnë
Burrërinë as mustaqet s`ta shpëtojnë
Pluhun
Dikush botën me një lloz do ta përmbysë
Me një sy, dy duar e një kry
S`ka faj, sepse vjetruar tejmase është
Si një balonë me helium që mbetet pa substancë
Përtej botës s`ka ma
Nëse po, a thu pse s`u kthy kush me kallxue çka pa
Jetës së përtejme besë nuk i za
Sepse kur vdes, s`mbetet gja, as shpirt, as vampir,
…veç pluhun në një urnë…
Comments (0 posted)
Post your comment