Home | Literature | Klithma

Klithma

image
Lisat e gjatë, që duken si fantazma të trishtueshme, shushuruan. Edhe qyqja kukati tri herë. As bulku nuk mbeti pa lëshuar zë. Kurse hëna ndali rigën e praruar të rrezeve të veta.

 

 

 

 

Anton Pashku *

 

 

Klithma

 

Terri u derdh, e një rrigë e praruar e rrezëve të hënës e lau kreshtën e malit, luginën dhe u ngrit poshtë, atje mbi syprinën e lëmuar të lumit që rimon buzët dredharake të fushës. Çdo gjë është lidhur e shtrënguar mirë e mirë nga penjtë e qetësisë, nga penjtë e kësaj heshtjeje, e cila është e rëndë, e palëvizshme. Edhe qyqja hesht. As bulku nuk dëgjohet. Çdo gjë është strukur në vetvete, është mbyllur e kygur në therrën e gjumit. 

E lart, atje lart nëpër hapësirën e kupës së qiellit, një yll noton duke lënë mbas vetes një hark të gjatë vezullues.

Një klithmë u dëgjua!

Korbi krokati.

E penjtë e qetësisë u prenë si me shpatë.

Lisat e gjatë, që duken si fantazma të trishtueshme, shushuruan. Edhe qyqja kukati tri herë. As bulku nuk mbeti pa lëshuar zë.

Kurse hëna ndali rigën e praruar të rrezeve të veta. Ajo u fsheh mbas një reje me skaje të grisura. Nuk desh të shihte krimin, nuk desh të përlyhej nga pikat e gjakut që i lëshonte prerja e korbit.

Një hije, si hije vdekjeje, kaploi vendin.

 

 

Në Stuhi

 

Në atë çast ndjeu një plogështi të jashtëzakonshme. Ajo ia përshkoi tërë trupin. Dhe çdo gjë iu duk e çuditshme, madje edhe vetvetja.

Kurrë s'e kishte lënë fuqia, si kësaj here. Një lodhje e madhe e kishte kapluar, duke filluar prej qepallave deri te gishtat dorës, që i dridheshin.

Desh të çohej për të ikur prej këtij vendi, por mendimi se, kur të çohej, do të dukej qesharak, e ndali.

E edhe trari mbi derë rrënkëlloi. Rrënkëllima e tij - e frikësoi. I frikësuar, hyri e u struk edhe më brenda, në lëkurën e vet.

Rrinte duke dëgjuar vërshëllimën e stuhisë. Dhe kratjen e trarit.

 

* Anton Pashku (1937 - 1995) u lind në Has të Thatë të Prizrenit. U shkollua në Prizren dhe në Prishtinë. Deri në ndarjen nga jeta punoi redaktor në gazetën "Rilindja". Është autor i disa vëllimeve me tregime: Tregime (1961), Një pjesë e lindjes (1965), Kulla (1968), Kjasina (1973), Lutjet e mbrëmjes (1978). Ai ka shkruar dy drama: Sinkopa (1969), Gof, 1976 dhe romanin Oh (1971).

Tregimet e para Anton Pashku i botoi në vitin 1957. Për afro tridhjetë vjet punë krijuese letrare, ai botoi relativisht pak, por, për nga vlera artistike, vepra e tij zë vend në krye të panteonit letrar kombëtar...

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00