Përzhitje Dritash
Si të shpëtonte prej të sotmes? Një dritë parajsore e qumështuar, buruar nga antikiteti, rridhte vragës së viteve. Buzëqeshi për hilen e zbuluar. Parajsa e hyjnive, mrekullia e ardhshme e dramave.
Nga Bujar Balliu
Ngricë Krismash
Naguib Mahfouz, Nobel 1988.
Ecën nëpër vitet e nëntëdhjeta të jetës. Rrudhat i brazdojnë fytyrën, flokët si mjegullat mbi Nil, vetullat vënë nën hije sytë e perënduar. Po mësohej edhe me fatkeqësinë e fundit, megjithëse iu u duk më e rënda, më e padrejta. Pas pamundësisë për të zbritur vetë nëpër shkallë, pas zhdukjes së zhurmave në greminën e shurdhërisë, mbërriti braktisja e shikimit, humbëtira në terr. Po dëshira për të shkruar i u bë më gërricëse. Gishtat me vështirësi i bindeshin, por duhej. Ndodhitë shtynin ledhet e fjalëve prej nga moduloheshin imazhe. Tendosej për të mos i lënë të kapërcenin radhën e të derdheshin buzës së tavolinës ku shkruante. Tani zhurmat nuk vinin më nga dritarja, po nga një zonë diku fshehur për së brendshmi. Një klithmë, endur mbi krismat e armëve, zhurmëronte prej vitit 1919. Burra e gra, shpërfytyruar nga plumbat e policisë nuk binin, po lëkundeshin, vraponin, këlthisnin, hepoheshin
nëpër ditë, net, vite. Dielli u kuqëlonte plagët, era u buçiste britmat. U mundua t’i kyçte mes faqeve të librave, po nuk qetoheshin. Pengoi krismat të zbraseshin hapësirave dhe mori në trup dhimbjet e tyre.
Në vitin 1978 përshëndeti marrëveshjen e Presidentit Sadat me Izraelin në Kemp Dejvid dhe kjo ngriti dallgët e zemërimit të shumë arabëve që ia dogjën librat në sheshet e qyteteve.
Në ceremoninë e Nobelit u shpalos me gjithë dashurinë.
“Shpëtoni palestinezët nga plumbat dhe tortura! Shpëtoni izraelitët nga përdhosja e trashëgimisë së tyre të madhe shpirtërore! Shpëtoni ata që janë zhytur në borxhe!”*
Kur hodhi firmën në deklaratën e 80 intelektualëve për të mbrojtur Salman Rruzhdien, donte të shurdhonte krismat e gjithë vrasjeve ndodhur viteve të mërguar, por dhe atyre që
projektoheshin.
“Nuk ka blasfemi më të rëndë që dëmton më shumë Islamin dhe muslimanët se sa thirrja e muslimanëve për vrasjen e një shkrimtari.”
Ecte ngadalë nëpër dhomë. Shqisat po heshtnin njëra pas tjetrës, ndërsa jehona e krismave nuk po fashitej. Ajo mbante me dritë këndin e kujtesës nga pëshpëriste ngadalë, papushuar një shtjellë e ngrohtë mendimesh.
Përzhitje Dritash
Gerhart Hauptman, Nobel, 1912.
E kapi veten duke folur me zë pa patur njeri pranë. I ndodhte për herë të parë, po nuk u çudit dhe nuk i erdhi keq. Bile filloi të ndihej më i qetë. Me veten do të bisedonte e me veten do ta zgjidhte edhe këtë brengë. Zërin do ta buçiste aq sa të mos e dëgjonin të tjerët, po ndërgjegjja të trazohej, të tronditej, të pështjellohej.
Paturpësisht i kërkuan të shkruante një dramë sipas shijeve të Fyhrerit. Një dritëz e keqe jargëzonte prej syve të kumtpërcjellësit.Gazi shpëlahej në ngrefosjen kërcënuese. Në sjelljen e tij këmbëngul diçka cingëritëse, fyese, provokuese. Dramaturgu e largoi me mirësjellje,pa i premtuar dhe pa e refuzuar. Për një çast e mendoi veten në premierën e dramës së porositur “sipas shijeve të Fyhrerit”.
…Në hollin e teatrit dhe në lozha feksin dritat. Aktorët të shkujdesur janë shkarkuar nga emocionet e shfaqjes. Sa rrezëllitje, shkrepëtima gëzimi, shushurima! Si mund të dallohej drita buruar nga stolitë e grave prej asaj që thyhej në gradat e medaljet ushtarake? Rrezet lodheshin në shpatullat e bardha lakuriqe, binin të dehura nga parfumi, fërkoheshin pas uniformave të
djaloshave shtathedhur SS, murrëtoheshin në tymin e purove të industrialistëve. Pëshpëritej për tualetin e grave, flitej për pasuritë e burrave, murmuritej për prapaskenat politike, aludohej për sëmundjen e Fyhrerit. ..
Po për dramën…???
Nuk do ta shkruante kurrë atë tekst. Nuk mund të duronte përzhitjen prej flakëritjes bastarde dhe ndotjes në llomotitje.
Si të shpëtonte prej të sotmes? Një dritë parajsore e qumështuar, buruar nga antikiteti, rridhte vragës së viteve. Buzëqeshi për hilen e zbuluar. Parajsa e hyjnive, mrekullia e ardhshme e dramave.
* Shkëputur nga " NOBEL, Lauratët e Letërsisë", i Bujar Balliut.
Comments (0 posted)
Post your comment