Mirësitë e Hënës
Lulet e frikshme. Parfumet që do të bëjnë të luash mendsh. Macet që zvarriten mbi piano e rënkojnë si gra, me zë të ëmbël që del nga gryka. E, ty do të të duan dashnorët e mi, ty do të vijnë rrotull kurtizanët e mi. Ti do jesh mbretëresha e njerëzve me sy të gjelbër. E atyre që u kam zënë frymën me puthjet e mia të natës. Atyre që adhurojnë detin. Detin e pafund, plot shtërngatë.
Charles Baudelaire
... Ndërkohë që ti ishe duke fjetur, tekanjozja Hënë, qe nga prapa dritares pa shtratin tend e tha: Kjo vogëlushe më pëlqen. Dhe zbriti butësisht shkallët prej resh e, pa bërë zhurmë, kaloi mespërmes xhamave. Pastaj, u shtri mbi trupin tënd me ëmbëlsinë e një nëne e, mbi fytyrën tende hodhi ngjyrën e vellos së saj. E sytë e tu u benë të gjelbër e faqet tepër të zbehta. E, pastaj, ndërkohë që ti ishe duke kundruar plot qejf atë vizitore të çuditshme, ajo t’u ngjit nëpër gushë, ta pushtoi gjoksin fort e sytë e tu, çuditërisht u zmadhuan shumë shoqëruar me një dëshire vajtimi, ndjenjë të cilën ti do ta ruaje përjetë.E, sakaq, e dehur nga lumturia, Hëna kish mbushur gjithë dhomën me një atmosferë fosforeshente si ajo e peshqve që natën lëshojnë drite e, mendueshëm, thoshte: Ti do t’i nënshtrohesh përjetësisht influencës së kësaj puthje. Ti do të jesh e bukur ashtu siç dua unë. Ti do të duash atë që dua unë dhe atë që më mua më do: ujin, retë, heshtjen dhe natën. Detin e pafund ngjyrë gurkali. Ujërat e tij herë të qeta e herë të trazuara. Vendet ku s’do vesh këmbë asnjëherë. Dashnorin që s’do ta njohësh kurrë. Lulet e frikshme. Parfumet që do të bëjnë të luash mendsh. Macet që zvarriten mbi piano e rënkojnë si gra, me zë të ëmbël që del nga gryka. E, ty do të të duan dashnorët e mi, ty do të vijnë rrotull kurtizanët e mi. Ti do jesh mbretëresha e njerëzve me sy të gjelbër. E atyre që u kam zënë frymën me puthjet e mia të natës. Atyre që adhurojnë detin. Detin e pafund, plot shtërngatë. Atyre që s’dinë ku ndodhen e mes grash që s’i njohin. Mes lulesh të çuditshme që i ngjajë temjanicës së një feje të panjohur. Mes parfumesh që prishin vullnetin dhe kafshësh të egra e epshore, te cilat janë idhujt e çmendurisë së tyre. E, është kjo arsyeja pse moj e mallkuar, vajze e dashur e nazemadhe që, tani, unë jam shtrirë pranë kembkave të tua, duke kërkuar në tërësinë e qenies tënde refleksin e Hyjnisë së dyshimtë, asaj, të rraskapiturës nunë, të fatthënës ndrikull, mëndeshës helmdhënse të gjithë lunatikëve ...
* * *
... Lermë t'u marr erë, të thith thellë, pafundësisht, aromën e flokëve të tu, të zhys në to krejt fytyrën si në ujët e një burimi të kristalte e, pastaj, me gishtat e mi t'i shpupuris ato si një shami erëmirë që shpërndan kujtime të ëmbla në eter. Ah, sikur ti të mund të imagjinoje gjith'ato që unë shoh, gjith'ato që ndjej, gjith'ato që dëgjoj në flokët e tu! Shpirti im lundron mbi parfume si shpirti i të tjerëve në muzikë... I zhytur mes flokëve të tu, shoh një ëndërr plot anije, vela e direke të cilët musonet i shtyjnë drejt klimash të mrekullueshme, mes detrash pafund, aty ku qielli është tepër blu e deti shumë i thellë, aty ku thithet ajër i parfumuar nga aroma e frutave, barit e lëkurës njerëzore. Ja, në oqeanin e flokëve të tu shoh një port plot dallgë këngësh melankolike, me njerëz të fortë racash të ndryshme e plot anije lloj-llojesh të cilat lartojnë arkitekturat e tyre të përkryera nenë një qiell të pafund ku prehët një ngrohtësi e përjetshme. Duke ledhatuar flokët e tu, ndjej ofshamat e lëngatat e dikurshme, të përjetuara shtirë mbi një divan, në dhomëzën e një anije të bukur përkundur nga valët e lehta të molos; aty mes vazo lulesh e amforash freskuese. Mes vatrës së zjarrtë të flokëve të tu, tani thith aromë duhani ekzotik përzier me opium e kallam sheqeri e, ndërkohë, në natën e flokëve të tu, më shfaqet shkëlqimi i pafund i kaltërsive tropikale; mbi brigjet e kadifenjta të flokëve të tu mbushem plot aroma ku ndjej përzier bashkë: bitum, myshk e vaj kokoje. Ah, lermë të ledhatoj flokët e tu ! Kur fus gojën mes masës së tyre elastike e rebele, më duket se shijoj kujtimet më të ëmbla!...
Comments (0 posted)
Post your comment