Nji lule vjeshtet
Mbi kobe t’dheut. Sot përmbi vorr t’kanë bijtun Hithat e madergona! ’I kryq dullijet...
Gjergj Fishta
N’atë rrahe t’dekne mbrenda vorrit t’errshem
Tash pluhën je. Ata dy sy t’janë errun,
Ku qiella prirej me sa hana e diella
Terthores s’epër m’sharte vrejn t’njerzimit!
T’janë sosun fjalët e ambla e plot urti,
E ai za t’asht kputë, i cilli bite m’zemër
Si kumbë liret t’tingllueshme, qi prej s’largut
Ndihet tue ra, kur dora e prekë e msueme!
Ehu! po; “deka, qi baras m’derë t’pellazvet
Trakllon, si m’trinë t’kolibavet,” ku i vorfni
Me lot njomë bukën, ty edhe ajo ke dera
T’traklloi, e ti kalove porsi voesa
E natës kalon, kur dielli vjen me shndritun
Mbi kobe t’dheut. Sot përmbi vorr t’kanë bijtun
Hithat e madergona! ’I kryq dullijet,
Qi e përshpirtshme nji dorë ta vu te kryeni,
Ndër to ka hupë, as tjetër send trishtimin
E vorrit nuk ta zbutë, posë va’it t’trishtueshëm
Të hutit t’natës, qi nëpër curra t’malit
Dhimbshem në rreze t’hanës rrin tue gjimue! . . .
Njai grumbull gursh, qi m’vorr t’randon përsypri,
Vetë gjaksorit t’pashpirt, qi mbyti nierin,
Lugat i duken, n’hikë kah t’bjen nget vorrit,
Edhe t’përqethët atë botë i shkon n’për zemër.
Po, a thue, krejt deka n’asgjasend t’përpini
E, posë se do kocijsh edhe ’i grusht pluhen,
Nuk t’la tjetër? Jo! N’prehen t’Amëshuemit
Pjesa ma e mira e jotja ka flutrue
Me gzue n’dritë t’qiellvet, ku pushon dishiri
I nierit t’drejtë, si drita m’sy kthiellun
Po, po, se përtej vorrin shpirti i nierit
Gjallon për jetë! Njeky mendim i ambël
Deken e zbutë e vorrin ban t’pëlqyeshëm,
Kur zemrën fa’i s’e grisë. Prej ktij mendimi
As vetë per ty s’lotova shum, kur ndjeva
Se diqe: se n’ma t’mirën lule t’motit
E lae ti ketë shkreti, ku shuen e Drejta
E paudhnija, ku sundon mizore;
Ku i zhyemi m’vese sod me dorë dhunuese
Vesin shinon me Theta t’zi, e selija
M’rrashta t’përgjakshme t’njerzvet m’kambë, ku mbahet.
Ehu! po, se shpirti i yt, kulluet si rrezja
E diellit, qi përfton lulet e erandshme,
Kur bora dehet, s’mujt me e bajtë qelbsinen
E randë t’ktij sheklli t’zi; por fletët i rrahi
Kah jeta e dytë, ku Njai qi rruzullimin
N’themel e dridhë veç me ’i vetimë t’qerpikut:
Amshon n’lumni shka Atij t’i ket përgja.
S’kje toka, jo, për ty kje qiella!
E tash, qi vetë jam tue ravisë kto karta,
Ti, kushedi, n’per vrrije t’amëshueme
Shkon tue kërkue për lila e drandofille,
Qi s’dijn me u veshkë e ndreqë me ta kunora,
Për me u lulzue mandej ndër t’zjarrtat valle,
Qi nëpër vrrije rrijn tue kndue t’Parrizit:
Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjuj,
Kndon Zotit lavde n’për ylbera t’qiellit:
A, marrë krejt n’t’pam t’s’hyjnueshmes faqe t’Zotit,
Porsi m’pasqyrë t’kulluet skjyrton shestimin
E rruzullimit, vu prej s’eprës Mende,
E cila n’t’kenun sendet thirri t’tana
Prej hijevet t’kthellueshme t’asgjasendit,
Kur bani Ajo furin me heshtë t’thellimit,
E me ’i fuqi t’pamatne prapi terrin
E pakthellimit, qi atje n’t’skajshmet megje
T’ktij sheklli ndihet mnershëm tue gjimue,
Kah për ledhe plandoset t’rruzullimit,
E aty, n’atë dritë plot ambelcim dashtnijet,
Qi porsi lum i kjartë prej Atit t’Dritvet
Gjithkah dikohet nepër verë t’Parrizit,
Shpirtent e lum krejt m’rreze tu’ i pershi,
T’kthiellta ti i prirë t’vërtetat, t’cillat Hyji
Desht t’muzta nierit ma ia lanun t’shkrueme
Nder fletët t’hyjnueshme t’t’amëshuem Ungjillit.
Oh! sa e sa herë, kur n’mbrame shuen natyra,
E tjetër s’ndihet, veç se rryma e prronit,
Qi përmallshëm gurgllon n’per rrajë e curra
Un’, lodhë mbi letra t’t’dijshëmvet t’kahmotit,
Mbas t’cillvet fjalën rrij tue lmue shqyptare,
Dal në dritsore me kundrue shatorren!
Qi i Lumi t’kthielltë ia vuni rruzullimit,
E kqyri hyjt, qi, thue, se njaq sy Zotit
Flakojn mbi dhe — kushdi, për me felgrue
Nierin, qi egrue ma fort prej mnerës s’territ
Përbluen punë t’mbrapshta: — e atë botë mendoj për ty.
E, ku ta shoh ma t’flakshmen tue xhixhllue
Nji hyll, aty selin’ un’ tham me vedi,
Ti do ta kesh, e syt m’atë hyll pa da
I nguli, e m’bahet si me t’pa. Me emën
Un t’thrras atëbotë n’per terr. Nji vaj bylbylit,
Qi përmallshëm ndër gemba rrin tue kja
Fatin e vet, e ndoshta, zojt e dashtun,
Jehonë m’i bahet t’grishunit; e m’duket
Se bisedoj me ty! . . . Nuk dekka i miri,
Jo kurr; e sidomos nja’, i cili ti zemër
E len mbrapa m’e ankue. Prej vorrit t’errshëm,
Gjumin e dekës ku ai ban, na i flet mendimit,
Ambel edhe na nzitë kah punët e mbara,
E n’mende tonë gjallon. — Kur Aleksandri
Prej Bregut t’Matës ngallnjyes u kap ke vorri,
Ku shuen idhnimi i Prisit t’Mirmidonvet,
Qi atje nën She vorfnoi me aq djalë Ekuben,
Iu ndez aty flakë zemra kah lumnija.
Mbi njatë vorr, po, u betue me ngulë flamurin
N’skaj t’dheut, e prej selis’ me i zhdrypun mbretent;
E atëherë përpara tij tanë bota shuejti.
Mue edhe, qi sheklli e nji dishir lirijet
T’thepisne raven m’ia kanë shtrue gjallimit,
Mue, po, edhe zemra mbi vorr tand t’përvujtun
M’ndezet kah punët e mbara e kah burrnija.
Përmbi vorr tand, po, xa të fortë me e mbajtun
Besen e dhanme — e miqasin e zanme;
Për fe e për atme n’ball me i dalë rrezikut:
Të ligshtit dorën me ia njitë e t’fortin
Mos me e gledhue; kur t’jet me u thanë e drejta,
Mos me i shmangë syt’ prej cakut, n’t’cillin mendja
Dishron me u kapë, as kurr mos me u ligshtue
Ndër sa t’vishtira, qi t’na sjellin motet.
Po, po! se pre’ atij vorri kam me shkepun
Hovin kah punët e mdhana. Ai kryq dullijet,
Mneren e vorrit qi ta zbutë, ai qanderr
Ka me m’kenë ndër salvimet: Engjlli i Zotit,
Qi rojës besnik fuqit t’i pruen mizore,
Gjumin e dekës në vorr mos me t’turbllue,
Der qi të shkimen n’qiellë e hana e dielli
E t’ngele moti e sheklli mbarë t’rroposet,
E t’vijë dita e gjyqit t’rruzullimit,
Ai ka për t’m’kenun zana. E atëherë pa u tutun
Zhgjetat e prehta e t’zjarrta kah me i prehun,
Ai kundra vesit do t’ia lshoj njerzimit:
Atë herë un kangët kam me i ndërtue kreshnike,
Me t’cillat botës un do t’ia la të shkrueme
Se shka viejn armët besnike n’dorë t’shqyptarit.
E me kangë t’mija ’i përmendar t’madhnueshëm
M’vorr tand kam për t’ndërtue, të cillin motit
Me fletë të ngrita kot ka për ta rrahun;
Pse, si curr, qi n’mjes t’detit rreh tallazi,
Edh’ ai njashtu do t’jesë ndër gjire t’motit
Qi bumbullojn mbi faqe t’rruzullimit.
Atëherë prej bjeshkvet kanë me u djergun zanat
E me të njoma vjollca e drandofille
Vorrin kanë me t’vallue, e kanë me rritun
Me shum kujdes për qark selvija t’blerta;
E shtektarit mundqar, qi n’ato hije
Ka me xanë vend, me ndalë pak gja t’dihamet,
Kanë me i kallzue se sa pjesë qiellet vrani
Deka n’atë vorr. E atë botë i largë shtektari
Të lehtë dhen ka me t’urue, e t’paqta e t’buta
Shinat e borën: e, kur n’male t’veta
T’dredhojë ke stani, fmis’ ka me i kallzue
Shka ndjeu për ty. E fmija e tij aso bote
Emnin tand kanë për t’kndue, e vrrini e bjeshka
Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,
Ambël prej emnit tand kanë me jehue.
Me majë t’briskut kanë me shkrue mbi lisa
Me shkrola t’njohtne veç e prej barivet:
Kanë me u rritë lisat, përse spata as reja
S’e prekin tanden, ku asht ravisë aj emën:
E tu’u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;
E kshtu ma t’kjarta mbas disa qindvjetve
Nipat ma t’vonët me i këndue, e emni
Sa t’bjerë dielli tokës ka me t’u kndue.
Comments (0 posted)
Post your comment