Home | Literature | Tjetri

Tjetri

image
Situata jonë ishte unike, dhe ç’është e vërteta, nuk ishim të përgatitur për këtë.

 

 

Përkthyer nga Urim Nerguti

 


E pyeta ç’libra të këtij mjeshtri kishte përshkuar.
Më numëroi dy ose tre tituj, ndër ta Hija.
E pyeta nëse, duke i lexuar, i shquante mirë personazhet, si tek Joseph Conrad, dhe nëse mendonte ta vazhdonte hulumtimin e veprës së plotë.
– Ç’është e vërteta, jo, m’u përgjigj ai disi i befasuar.
E pyeta se çfarë ishte duke shkruar këto kohë dhe më tha se po përgatiste një përmbledhje vargjesh që do të titullohej : Himnet e kuqe. Njëherë kishte pasur ndërmend ta quante Ritme të kuqe.
– E përse jo ? i thashë unë. Mund të mbështetesh në shembuj të mirë. Vargu blu i Ruben Dario dhe kënga gri e Verlaine.
Pa ma vënë veshin, ai më shpjegoi se libri i tij do të këndonte vëllazërinë ndërmjet të gjithë njerëzve. Në kohën tonë, poeti nuk mund t’ia kthejë shpinën epokës së vet.
Mbeta i menduar dhe e pyeta nëse ndihej vërtet vëlla me të gjithë. Për shembull, me të gjithë varrmihësit, me të gjithë palombarët, me të gjithë ata që banojnë në numra çift, me të gjithë ata që s’kanë zë, etj. Më tha se libri i tij kishte lidhje me masën e madhe të të shtypurve dhe të të përjashtuarve.
– Masa jote e të shtypurve dhe e të përjashtuarve nuk është tjetër veçse një abstraksion, iu përgjigja unë. Vetëm individët ekzistojnë, nëse ekziston dikush. Njeriu i djeshëm nuk është njeriu i sotëm, ka shpallur njëfarë Greku. Ne të dy, mbi këtë stol të Gjenevës apo të Cambridge, ne jemi prova e kësaj.
Përveç në faqet e rrepta të Historisë, ngjarjet e paharrueshme kalojnë mënjanë fjalëve të paharrueshme. Një njeri në vdekje e sipër kërkon të kujtojë një gravurë të vështruar në fëmijërinë e tij ; ushtarët që do të hidhen në sulm flasin për llucën apo për serxhentin. Situata jonë ishte unike, dhe ç’është e vërteta, nuk ishim të përgatitur për këtë. Kemi folur, fatalisht, për letërsi ; kam frikë se nuk kam thënë gjë tjetër përveç atyre që iu them zakonisht gazetarëve. Alter ego ime besonte në shpikjen apo zbulimin e metaforave të reja ; kurse unë, në ato që përkojnë me afri intime dhe të dukshme dhe që përfytyrimi ynë i ka pranuar. Pleqëria e njerëzve dhe muzgu, ëndrrat e jetës, koha që kalon dhe uji. Ia parashtrova opinionin tim, të cilin do ta paraqiste në një libër, shumë vite më pas.
Mezi më dëgjonte. Papritur, tha :
– Po nëse ju keni qenë unë, si ta shpjegojmë atëherë që ju keni harruar një takim me një zotëri të moshuar që, më 1918, ju ka thënë se edhe ai ishte Borges ?
Nuk e kisha menduar këtë vështirësi. Iu përgjigja jo fort me bindje :
– Mbase kjo ngjarje ka qenë aq e çuditshme sa jam munduar ta harroj.
Ai provoi një pyetje të ndrojtur :
– Si i ka punët kujtesa juaj ?
E kuptova se për një djalë që nuk ishte as njëzet vjeç, një burrë mbi të shtatëdhjetat ishte pothuaj një i vdekur. Iu përgjigja :
– Shumicën e kohës, ajo më ngjan me harresën, por gjen ende nëse ia kërkoj. Po mësoj anglo-saksonishten dhe nuk jam i fundit i klasës.
Biseda jonë zgjaste tashmë që prej një kohe të gjatë, dhe s’mund të ishte një ëndërr.
Befas më erdhi një ide.
– Mund të të provoj në vend, aty ku je, që nuk je duke ëndërruar me mua. Dëgjoje mirë këtë varg që nuk e ke lexuar kurrë, me sa di unë.
Dhe ngadalë, recitova vargun e famshëm :

Hidra-univers duke përdredhur trupin e saj të luspuar me yje.

E ndjeva shtangien e tij pothuaj të frikësuar. Ai e përsëriti me zë të ulët, duke e shijuar secilën prej këtyre fjalëve të shkëlqyera.
– Eshtë e vërtetë, mërmëriti ai. Nuk do të mund të shkruaj kurrë një varg të tillë.

 


(Jorge Luis Borges)

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00