* * *
Me Çmimin Përkthyesi i Vitit u nderua Edvin Cami për shqipërimin e librit “Dru qershie dhe ndjenja të vjetra”, nga libri i autores kroato-gjermane Marica Bodrozic.
© Përkthyer nga Edvin Cami
© Marica Bodrozic
«...Kohët e fundit e gjelbra është një ngjyrë që më jep ngushëllim. Hapësirat në kokën time janë zgjatuar. Korridore mes tyre. Lumenj dhe varre. Ura. Qelq venecian. Gur i bardhë, vezullues nën diell. Mite të lashta greke. Kaq shumë vend në kujtesën time të gjerë. Peizazhe në shuarje në njërën anë. Lugina në spikatje dhe dete të ronitura në anën tjetër. Fusha e Panonisë, treva e lindjes së Silvës, prej nga ajo ka ikur. Ajo ia ka dalë. I ka shpëtuar vrasësit të vet. Këtu, atë ia kishte shitur fati syve të tij lakmitarë. Unë e mbaj mend këtë fushë, edhe sytë e Bombës i mbaj mend. Në gazetë kanë nxjerrë shumë shpesh një fotografi të tij. Kur isha fëmijë, kam qenë shumë herë në Donaushtat. Kemi vizituar kombinatin ushqimor, një i afërm punonte atje. Kujtesa ime është një shtëpi e madhe. Dhomë më dhomë ajo zgjerohet në kokën time. Këtu më thonë se kjo ka të bëjë me prejardhjen time, që më përndjek. Por unë e di se filli im ndriçues nuk ka kurrfarë pasaporte. Unë vetëm buzëqesh. Prej kohësh nuk korrigjoj më askënd. Prapatokë. Karst. Male. Det. Sërish e sërish kripa e atij ajri veror të lashtë, fërgëllues. Prej andej vij unë. Prej këtij ajri. Koka ime është autonome, ajo e di se tani të gjitha pasaportat janë të vulosura gjithandej. Por në dhoma, natën, fluturojnë të tjerë zogj. Dhe në përfundim të ditës, të të gjitha ditëve, më duhet të vihem në provë para fillit tim ndriçues ...»
* * *
Me Çmimin Përkthyesi i Vitit u nderua Edvin Cami për shqipërimin e librit “Dru qershie dhe ndjenja të vjetra”, nga libri i autores kroato-gjermane Marica Bodrozic.
Motivacioni për këtë çmim: “Për shqipërimin e një letërsie sa ballkanike aq edhe të përbotshme që sjell njeriun përballë vetes dhe të tjerëve në kërkim të identitetit të një bote plot dyshime.”
* * *
Titulli: Dru qershie dhe ndjenja të vjetra
Origjinali: Kirschholz und alte Gefühle
Gjinia: Roman
Autori: Marica Bodrožić
Shqipëroi: Edvin Cami
Shtëpia botuese: Dituria
Viti: 2016
Comments (0 posted)
Post your comment